
Hajdari për Lladrovcin: Po del të jetë kampion i pazareve
Kandidati për kryetar të komunës së Drenasit nga radhët e PDK-së, Petrit Hajdari, pasi me bashkëpunëtorë kanë rrethuar objektin me shiritin që mbante mbishkrimin “Rrezik”, ka thënë se ky aksion simbolizon që ndërtesa është kthyer në vend të ngjarjeve të abuzimit, duke iu referuar publikimit të audio-incizimit të kryetarit aktual, Ramiz Lladrovci me Labinot Halilajn.
Hajdari e ka quajtur Lladrovcin kampion të pazareve.
“Vendosja e këtyre shiritave është si shenjë që kjo ndërtesë është kthyer në vend ngjarjeje të abuzimit. Ky akt është thirrje për drejtësi. Ka tronditur gjithë opinionin publik që prek jetën dhe dinjitetin e qytetarëve. Ky është një alarm. Ky skandal nuk është rastësi. Ai që thirrje në qeverisje me duar të pastra tash po del që duart i ka pasur thellë në xhepat e qytetarëve të Drenasit. Kjo është maja e Ajsbergut. Sot, nga kjo foltore, ftoj organet e drejtësisë që ta marrin dhe ta hetojnë deri në fund këtë rast”, ka thënë Hajdari.
Audio – incizimi, sipas Hajdarit ka shokuar qytetarët e Drenasit, duke theksuar se ky është një alarm të dëgjohet kryetari duke bërë pazare për tokat e komunës sikurse të ishin prona personale të tij.
“Ky nuk është vetëm një lajm i zakonshëm, është një alarm për fatin e komunës sonë. Dy ditë më herët opinioni publik dhe komuna jonë u shokua nga një audio-incizim tronditës ku kryetari në largim i Drenasit dëgjohet duke bërë pazare më tokat e komunës si të ishin pronë personale e tij, duke i llogaritur miliona përfitime. Ky skandal nuk është rastësi është fotografia e pastër e qeverisjes së tij. Kur populli numëron centët, kryetari numëron milionat. Ai që thirrej për qeverisje me duar të pastra, tash po del se duart i ka pasur thellë në xhepat e qytetarëve të Drenasit. Ky është një akt skandal, i pa precedentë, është turp institucional, është abuzim flagrant me detyrën publike dhe pronën e qytetarëve. Kjo është dëshmia që korrupsioni ka zënë rrënjë deri në zyrën e kryetarit në ikje, i mbjell po nga ai. Është e papranueshme që derisa fëmijët tanë rriten pa kushte elementare, disa shndërrojnë komunën bankomat personal”, ka thënë Hajdari.
Më tutje, Hajdari u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të nisin hetimet. Ai ka ironizuar me deklaratat kur Lladrovci quan vetën kampion, e që thotë se ai “vërtetë po del të jetë kampion pazareve”.
“Nga kjo foltore ftoj organet e drejtësisë që të marrin menjëherë këtë rast në shqyrtim, ta hetojnë deri në fund dhe t’i nxjerrin para drejtësisë që kanë abuzuar me detyrën dhe besimin e qytetarëve. Drejtësia nuk duhet të vonohet. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Është e dhimbshme që gara për komunën tonë po ndotet me skandale të tilla. Askush nuk të mos pret prej meje heshtje përballë këtij turpi. Ai që veten e quante kampion, vërtetë po del të jetë kampion pazareve dhe abuzimeve me prona publike. Kampion i korrupsionit jo i qytetarëve.12 tetori do të jetë dita kur Drenasi do ta ndërrojë faqen dhe do të hap një kapitull të ri”, ka thënë Hajdari.