Hajrizët e Strofcit i kanë dalë çdoherë plumbit përballë në mbrojtje të atdheut
Shkruan: Ismail Syla
1.
“Këta i ndjek plumbi”. Këto fjalë ia kishte zënë veshi Xhevat Hajrizit, xhaxhait të dëshmorit, rrjedhimisht heroit Hamdi Hajrizi (i lindur në Strofc të Vushtrrisë më 15 maj 1973 , i rënë më 6 nëntor 1998), thënë ndoshta pa keqësi, por, faktikisht në mënyrë të gabuar.
Në fakt, ishte e kundërta. Këta (Hajrizët) i dalin para plumbit. Këtë e pat dëshmuar më 2 prill 1981 Naser Beqir Hajrizi, i cili në lule të moshës së rinisë, maturant i shkollës së mesme, ra heroikisht në ballë të demonstratave në zemër të Prishtinës, së basku me shokun e tij, Asllan Pireva.
Këtë fakt e vulosi në distancë kohore prej 17 vitesh edhe vetë Hamdi Hajrizi në Opterushë në një ditë nëntori në krye të detyrës.
2.
Në orën 9 të 6 nëntorit 2025 në memorialin e dëshmorëve të Vushtrrisë në Bletajë (Stanofc) kanë ardhur shumë familjarë të dëshmorit Hamdi Hajrizi. Jahir Hajrizi, një kushëri i ngushtë i Hamdiut, kujton pyetjen e nënës së Hamdiut, “Pse po shkon bir, kur ti armën tande e ke.” Hamdiu ia kishte kthyer: “Oj Nanë, këtë që e kam dikush nga atje e ka sjellë…” Ishte kjo përgjigje që flet shumë për karakterin dhe vendosmërinë e Hamdiut, që në radhët e Ushtrisë Çlirimtare.
Për të nderua dëshmorët këtu vijnë edhe gjenerali Rrahman Rama dhe kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi. Jo pa ironi, Jahiri këtë prezencë të madhe zyrtarësh e sheh edhe si pjesë fushate para zgjedhjeve të balotazhit më 9 nëntor.
Më 6 nëntor 1998, në pritën e ngritur të policisë serbe në Opterushë të Rahovecit…
Hamdi Hajrizi dhe shokët e tij po sillnin armatim nga Shqipëria…
3.
Pas nderimeve, familjet e të rënëve nisen drejt Opterushës së Rahovecit, ku më 6 nëntor 1998 ndodhi përballja tragjike, 27 vjet më parë. Në vendin e ngjarjes familjarët tregojnë detaje të ndryshme. Vendosmëria për të sjellë armatim sa më shpejt në zonat e luftës në vendet nga vinin këta luftëtarë ishte e madhe. Përballë plumbave ranë heroikisht “Mici”, “Toni” Hamdi Hajrizi, Bektesh Haliti dhe Nezir Imeri…
Gjurmët e asaj dite kur plumbat e policisë serbe mbollën edhe vdekjen në trupat e pesë djemve të lirisë shihen në konstruksionet metalike të dy veturave, që i ka zënë korozioni, ndonëse brenda një strehe me materiale transparente…
Pesë bashkëluftëtarët ishin nisur drejt fshatit Dobërdalan, për të arritur në zonën e Malishevës me vullnet dhe armatim. Por, nuk patën fat.
4.
Një pjesë të historisë të pesë të rënëve para pjesëmarrësve të përkujtimit të 27 vjetorit të rënies e ringjall ish komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj. Dukagjini, duke qenë gjeografikisht afër me kufirin shqiptar, pati fatin dhe detyrën që të pres dhe përcjell shumë vullnetarë që shkonin dhe vinin për armatosje në Shqipëri. “Ua pamë hajrin atyre burrave,” thotë ish kryeministri Haradinaj… “Kur plasnin luftimet në ZOD, ata luftonin bashkë me ne. Por edhe përcjelljen e tyre e kishim obligim”, thotë ai, duke shpjeguar arsyen pse në këtë përballje me forcat serbe UÇK-ja humbi dy komandantë të shquar, Selajdin Mullabazin,- Micin dhe Xhelal Hajden, Tonin.
5.
Babai i dëshmorit, Xhemajli, 78 vjeçar, kujton rastin kur me personel të misionit ndërkombëtar, në morgun e spitalit të Prizrenit, kishte shkuar për ta identifikuar dhe marrë trupin e Hamdiut. Një punëtore serbe e morgut e kishte pyetur: “A ka qenë në UÇK?”, e përgjigja kishte qenë e prerë “Po!”, – “Ky u vra, i kam edhe katër tjerë. Po të duhet edhe vetë do të luftoj për vendin tim…”.
Vëllai ynë, kujton Avni Hajrizi, e përmbushi një amanet të gjyshit tonë, Zenel Hajrizi, ish i burgosur politik, pjesë e organizatës patriotike të veprimtarit të shquar, Kadri Halimi, Ali, Aliu etj., njëri ndër frymëzuesit në rrugë patriotike të të gjithë Hajrizëve.
Kur gjyshi u lodh nga shëndeti e shprehu një peng të thellë në zemër, thotë Avniu. Ai peng-amanet ishte: po shkoj në atë botë me merak që nuk e luftova me pushkë robninë. Këtë e tha pak para vdekjes, në dhjetorin e vitit 1990. E, Hamdiu i, vëllai ynë i dytë, ishte zotuar se këtë peng-dëshirë të tij do t’ia përmbushte.
Tetë vjet më vonë nga vdekja e gjyshit, nipi, Hamdiu, ra dëshmor i luftës së Ushtrisë Çlirimtare.
6.
Familja e gjerë Hajrizi, me krenari çdo vit e nderon me solemnitet birin e tyre Hero, Hamdiun dhe bashkëluftëtarët me të cilët ra më 6 nëntor 1998. Në mesin e pinjojve të shumë në këtë 27 vjetor është edhe Eron Avni Hajrizi, 10 vjeçar. Plot energji, sytë gacë, i kthjelltë. Para publikut deklamon një poezi kushtuar xhaxhait. As i trembet syri, as nuk dridhet para publikut. Ai është mishëruar kokë e këmbë me trashëgiminë familjare. Fund e krye UÇK-ë. Nuk ka këngë me motive të UÇK-së dhe heronjve të saj që nuk e di.
7.
Në orën 16, duke rënë mbrëmja, tërë familjarët kthehen në fshatin e lindjes, në Strofc. Në hyrje të lagjes Hajrizi është ngritur një monument betoni tashmë i ngjyrosur. Porta e Lirisë, e quajnë. Më kujton Portat Triumfale. E kanë bërë bashkëluftëtarët e Hamdiut me dashuri. Në terrin e mbrëmjes tri germat e shenjta UÇK ndriçojnë fuqishëm. Në muret e Portës së Lirisë dominojnë piktura siluetash të ushtarëve të UÇK-së me ngjyrë të zezë në sipërfaqet e lyera me ngjyrë të kuqe.
8.
Te Porta e Lirisë përmbyllet përkujtimi i kësaj date që e sensibilizon edhe më ndjenjën e krenarisë dhe atdhetarisë së Hajrizëve të Strofcit.



