
Haki Abazi: Lajçaku po mban peng vizat dhe njohjet, po i kushtëzon me dialogun me Serbinë
Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, ka dalë i vetëm në konferencë për media në Kuvend për siç ka thënë për t’i ndihmuar jetës parlamentare në vend.
Abazi ka thënë se pas një javë qëndrim në Bruksel është moment kritik për Kosovën në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
“Jemi në një moment kritik të alarmit me marrëdhëniet ndërkombëtare. E patë edhe dje ne Komunitetin Politik në Pragë. Janë dy çështje jashtëzakonisht të rëndësishme, agresioni në Ukrainë dhe çështja e gazit, që na prekin edhe neve. Ky alarm duhet të merret seriozisht nga institucionet tona”, ka thënë Abazi.
Abazi ka kritikuar ashpër emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, për mënyrën se si po e trajton Kosovën në dialog, derisa tha se ky proces s’duhet ta pengojë Kosovën në proceset e saj integruese.
“Nga një javë qëndrimi në Bruksel, mund t’ju them se ka ardhur momenti kritik, është absolutisht kritik që dialogu të ndahet nga proceset integruese. Përkundër marrëveshjes Rusi-Serbi, prapë se prapë ka mirëkuptim për Serbinë nga disa qarqe të Bashkimit Evropian dhe ky është problem në vete. Lajçak ka vazhduar ta mbajë agjendën tonë integruese peng të dialogut dhe në këtë kuptim Serbia ka vazhduar ta përdorë dialogun si formë të shantazhit. Liberalizimi i vizave, anëtarësimi në Këshillit të Evropës e pjesëmarrja në programe të NATO-s s’mund të jenë peng i dialogut dhe Lajçak mund të vendosë që ta mbajë përgjithmonë dialogun, sepse mund të ketë çështje të hapura me Serbinë pafundësisht, por ne s’mund të jemi peng i kësaj forme të tentimit për ta sjellë normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Abazi, duke shtuar se ajo që nuk duhet të ndodhë është marrja peng e liberalizimit të vizave për shkak të marrëdhënieve me Serbinë.
“Ajo ku nuk duhet humbur kohë është që Lajçaku ka arritur që edhe liberalizimin e vizave ta bëjë pjesë të dialogut dhe ta vë në tavolinë, por edhe njohjet e reja gjithashtu. Duhet thënë qartë që ne si Kosovë s’duhet pajtuar me këtë formë të trajtimit në dialog”, është shprehur Abazi.