Halitjaha: Nëse janë 19500 veteranë të gabuar në lista, unë do të hidhem nga Ura e Fshejtë!

12 dhjetor 2018 | 19:58
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dorëzuar aktakuzat tek palët e përfshira në rastin “Veteranët”, aktakuzë kjo e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës për ‘fryrje’ të listave të veteranëve.

12 ish- krerët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari kanë pranuar aktakuzat e dërguara nga gjykata.

Në një prononcim për Ballkani.info, Sadik Halitjaha ish-Komandant i Zonës Operative të Pashtrikut ka konfirmuar se ka pranuar nga Gjykata aktakuzën e re. Ai ka thënë se edhe kjo aktakuzë si e para ka shumë defekte, pasi që sipas tij nuk është e logjikshme që 19 mijë e 500 ushtarë të jenë regjistruar gabimisht për të fituar statusin e ‘Veteranit’.

“Nuk mund të bindem pasi që nuk ka logjikë se 19 mijë e 500 veteranë qenkan të gabueshëm. Gabimet kanë pasë mundësi të ndodhin në 10-15 persona por jo në numër kaq të madh”, ka thënë Halitjaha për Ballkani.info.

Tutje ai ka thënë se nuk beson që do të shpallet fajtor në këtë çështje pasi që sipas tij “nuk ka bazë ligjore për këto akuza por pasi procesi ka filluar, ai do t’i përgjigjet Gjykatës me dëshirë”.

Halitjaha ka thënë se do të dëshironte krijimin e një Gjykate Ushtarake ku prokurorët do të ishin ushtarak dhe do të kuptonin terminologjinë e një komandanti apo eprori që ka pasur nën komandë dikënd.

Ish- Komandanti ka theksuar se sipas Ligjit të kaluar që ka qenë në fuqi, edhe dezertorët janë llogaritur si pjesëmarrës në luftë pasi që kanë qenë të pajisur me dokumente si fakte.

“Ligji i kaluar ka qenë me defekte, sipas të cilit edhe dezertorët janë llogaritur si pjesëmarrës në luftë pasi që kanë qenë të pajisur me dokumente që i kan paraqitur si fakte dhe këtë të drejtë nuk kemi mundur t’ia mohojmë askujtë. Sipas supozimeve në opinion janë llogaritu diku deri 15000 ushtarë që kanë kapur armë me dorë, por në realitet ne jemi dashur të bazohemi në dokumente përkatëse dhe përmes këtyre dokumenteve na kanë dalë të regjistruar 46000 ushtarë”, ka thënë Halitjaha.

Në aktakuzën e re, Halitjaha ka thënë se ka parë shumë pak ndryshime ku sipas tij është zvogëluar vetëm numri për 1000 persona. Por, ai ka theksuar se po të dalë e vërtetë se 19500 veteranë janë të gabuar, ashtu siç pretendon Prokuroria në aktakuzë, ai është në gjendje të vrasë veten.

“Nëse janë 19500 veteranë të gabuar në lista, unë jam në gjendje që drejtëpërdrejtë të nënshkruaj dhe të hidhem nga Ura e Fshejtë që ta vras veten sepse nuk do të ma pranonte logjika që të ketë 19500 ushtarë të gabuar”, ka deklaruar Halitjaha.

Tutje, ish-Komandanti i Zonës së Pashtrikut për Ballkani.info ka thënë se mendon që është krijuar një lloj presioni i barabartë me Gjykatën Speciale dhe Marrëveshjen me Serbinë andaj edhe “po shtypen vlerat e veteranëve dhe komandantëve, gjë që ka krijuar përqarje mes ushtarëve”.

Halitjaha ka deklaruar se është i gatshëm t’i përgjigjet edhe organeve vendore të Drejtësisë por edhe atyre ndërkombëtare siç është Gjykata në Hagë pasi që do të vërtetohej mungesa e bazës ligjore për një aktakuzë të tillë.

Në fund, Halitjaha ka thënë se do të bëjë një kërkesë ndaj Gjykatës që procesi të jetë publik dhe të zhvillohet në prani të kameramanëve, pasi që sipas tij do të jetë e nevojshme që opinion i gjerë të shohë si do të ecën procesi dhe të gjykohet ai si individ dhe asnjëherë lufta e UÇK-së.

“Është mirë që të përcjellet gjykimi edhe nga publiku drejtëpërdrejtë e të gjykohem unë personalisht se a jam fajtor në këtë çështje pasi nuk dua që në asnjë mënyrë të gjykohet UÇK-ja. Deri më sot asnjëherë nuk është gjykuar asnjë serb për masakrat apo dhunimet e krimet e shumta që janë bërë në Kosovë, ndërsa kundër UÇK-së janë ngritur vendorët bashkë me serbët dhe ndërkombëtarët” ka përfunduar Halitjaha. /Ballkani.info/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendërsulmuesi dhe kapiteni i Interit, Mauro Icardi, beson se Interi…