Hamilton rrëfen sezonin e vështirë te Ferrari: Një betejë e vërtetë, por nuk dorëzohem

01 gusht 2025 | 12:50

Lewis Hamilton ka pranuar se sezoni i parë te Ferrari po rezulton një nga më të vështirët e karrierës së tij. Shtatë herë kampioni i botës, i cili u largua nga Mercedesi pas 12 vitesh për t’iu bashkuar ekipit italian, ende nuk ka arritur të ngjitet në podium në ndonjë garë kryesore pas 13 garash nga 24 gjithsej në sezonin 2025.

Duke folur me gazetarët para Çmimit të Madh të Hungarisë, gara e fundit para pushimeve verore, Hamiltoni pranoi se ka nevojë për kohë për të pushuar dhe reflektuar: “Sezonet e fundit kanë qenë të vështira në mënyrën e tyre. Ky ka qenë, pa dyshim, më i intensivi, nga pikëpamja e punës. Të përshtatesh në një kulturë dhe skuadër të re… jo gjithçka ka shkuar mirë, ka qenë një betejë e vërtetë. Kam nevojë të tërhiqem pak dhe të rifitoj energji, të kaloj kohë me fëmijët, të qesh, të çlirohem. Jam i sigurt që do të ketë ca lot dhe besoj se kjo është e shëndetshme”.

Piloti britanik 40-vjeçar ka hasur vështirësi për të treguar veten në ambientin e ri, duke qenë 30 pikë pas shokut të skuadrës, Charles Leclerc, i cili ka arritur tashmë pesë podiume në vitin 2025. Paraqitja më e mirë e Hamiltonit me Ferrarin ndodhi në Çmimin e Madh të Kinës, në garën e dytë të sezonit, kur ai fitoi garën Sprint dhe siguroi “pole-position”-in, por momente të tilla pozitive kanë qenë të rralla që atëherë. Pavarësisht rezultateve nën pritshmëri, Hamiltoni mbetet i motivuar dhe besimplotë në potencialin e Ferrarit. “Gjithmonë jam i emocionuar për të garuar. E dua atë që bëj, më pëlqen të vesh të kuqen, e dua Ferrarin dhe besoj shumë në të. Është e vështirë ta shpjegosh. E ndieja këtë gjë edhe me skuadrën time të mëparshme. Me kohën ndërtohet një ndjenjë bashkëpunimi dhe unë e shoh atë pasion në këtë skuadër dhe e adhuroj këtë”, u shpreh ai.

Hamiltoni është gjithashtu i përkushtuar që të shtyjë përpara ndryshime të brendshme në Ferrari, me synimin për t’i dhënë fund thatësirës së titujve që zgjat prej vitit 2008. “Gjithçka që dua është të kontribuoj sa më mirë që të mundem. Sigurisht që duhet ta bëj kryesisht në pistë dhe nuk po ia dal gjithmonë, por edhe jashtë saj, pas kuintave”. Me gjysmën e sezonit ende përpara, Hamiltoni premton se nuk do të dorëzohet dhe do të vazhdojë të luftojë për ta rikthyer Ferrarin në majat e Formula 1.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëpret vendimin e Qeverisë së…