
Hamiltoni mbron Vasseurin: Është njeriu i duhur për të na çuar në majë, prej tij jam te Ferrari
Piloti britanik Lewis Hamilton e ka mbështetur përsëri Frederic Vasseur, drejtorin sportiv të Ferrari, i cili, në mes të sezonit, ende nuk është konfirmuar në këtë detyrë për vitin tjetër.
“Mendoj se Fred është vërtet njeriu i duhur për të na çuar në majë. Kjo është gjithashtu arsyeja pse po punoj sa më shumë që mundem për ta mbështetur atë dhe për të bërë ndryshimet e nevojshme, të cilat janë mjaft të shumta”, ka thënë Hamilton.
“Më pëlqen të punoj me Vasseur. Ai është arsyeja pse jam këtu dhe duam të vazhdojmë së bashku. Ai ka mbështetjen time të plotë. Fred më solli në këtë ekip, kështu që i detyrohem shumë. Sapo arrin në një ekip të ri vëren se sa i shkëlqyer është organizimi dhe si është ngritur struktura. Ata që kanë ardhur së fundmi kanë një perspektivë të freskët krahasuar me ata që kanë qenë atje për një kohë të gjatë. Dhe kështu mund t’i shihni qartë anët pozitive dhe negative”, ka deklaruar 7 herë kampioni i botës në Formula 1.
Deklaratë kjo e dhënë gjatë një interviste me transmetuesin britanik “Channel 4”, që i bën jehonë asaj që tha Sir Lewis pak më pak se një muaj më parë, para garës në Kanada, kur Hamiltoni pranoi se ishte drejtuesi francez që e bindi të vijë te Ferrari.