
Hamiti i LDK-së: Kosova ka rënë në kurthin e Albin Kurtit, koha është me dalë prej tij
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamit, ka bërë me dije se Kosova ka rënë në kurthin e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Duke numëruar pasojat që Qeveria Kurti ia ka sjell Kosovës, ai ka vlerësuar se tani është koha që të dilet prej këtij kurthi.
Hamiti ka shkruar në “Facebook” se shoqëria e Kosovës është paralizuar, ekonomia po shembet, kurse njerëzit po varfërohen.
“Vetëvendosja e Albin Kurtit, që ka dalë e para në zgjedhje, e ka kthyer konstituimin e Kuvendit të Kosovës në farsë të demokracisë. Lideri i LV-së, deputeti Albin Kurti, po tallet me kandidaten seriale për kryetare të Kuvendit, me votuesit e vet dhe me të gjithë qytetarët e Kosovës. Pos regjimit të Kurtit, Kosova për fajin e tij po e përjeton edhe regjimin e sanksioneve ndërkombëtare tash e dy vjet. Mbi 600 milionë euro të humbura deri tani është kosto e madhe, e matshme. I pamatshëm është dëmi që i ka shkaktuar imazhit të vendit tonë. Në kulmin e sanksioneve, të korrupsionit masiv qeveritar, Kurti dhe VV-ja e tij morën 42% të votave të qytetarëve të Kosovës. Shoqëria e Kosovës është paralizuar, ekonomia po shembet, njerëzit po varfërohen dhe po e braktisin atdheun e vet. Kosova ka rënë në kurthin e Albin Kurtit. Koha është me dalë prej tij”, ka shkruar Hamiti.