Hamza i kërkon Osmanit t’i shpallë zgjedhjet pa vonesa: S’kemi kohë për të humbur

19 nëntor 2025 | 16:33

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas dështimit edhe për herën e dytë të partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, për të formuar qeverinë, ka vlerësuar se tashmë është koha për një qeveri që punon.

Ai ka thënë se qytetarët tashmë duhet ta kthejnë stabilitetin institucional përmes votës, ndërsa tha se presidentja Vjosa Osmani duhet të caktojë datën e zgjedhjeve sa më parë.

“Dështimi i njëpasnjëshëm i dy mandatarëve tregon qartë se qeveria aktuale e ka humbur mbështetjen politike. Shumica që doli nga zgjedhjet e fundit është treguar e paaftë t’i krijojë institucionet e reja, duke shkaktuar pasiguri institucionale, politike dhe shtetërore”, ka shkruar Hamza në “Facebook”.

Hamza ka thënë se sot “e kemi vetëm një rrugë të përgjegjshme përpara: zgjedhjet e reja”.

“Presidentja e vendit duhet ta caktojë sa më shpejt datën e tyre, sepse mjaft kohë kemi humbur. Qytetarët duhet ta rikthejnë stabilitetin institucional përmes votës së tyre, në mënyrë që ne ta krijojmë një qeveri funksionale, reformuese dhe të përgjegjshme. Koha e fjalëve të mëdha ka përfunduar. Ka ardhur koha për një qeveri që punon”, ka shkruar Hamza.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Superylli i futbollit, Cristiano Ronaldo, ka marrë pjesë të martën…