
Hamza pret përfaqësuesit e Trepçës: Janë më shumë se trofe
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza dhe nënkryetari Arian Tahiri kanë pritur në takim përfaqësuesit e klubit basketbollistik “Trepça”. Pas shpalljes së “Trepçës” kampion i ri i Kosovës në basketboll për sezonin 2024/25 në Superligës, Hamza ka thënë se kupat janë më shumë se trofe.
“Në zyrën time, bashkë me nënkryetarin Arian Tahiri, sot i prita kampionët, ata që Mitrovicës i japin shumë krenari. Këto janë më shumë se trofe. Janë pasioni ynë, përkushtimi dhe puna e pandalshme për t’i sjellë fitore e tituj qytetit tonë”, ka thënë Hamza. Hamza është shprehur se atyre i’u ka premtuar mbështetje. “Faleminderit për angazhimin tuaj Vullnet, Lindrit, Anes dhe të gjithë lojtarëve të klubit ‘Trepça’. Faleminderit edhe tifozëve të ‘Torcidës’ për përkrahjen e zjarrtë!”, ka thënë Hamza.
Para gjashtë ditësh, Trepça është shpallur kampioni i ri i Kosovës në basketboll për sezonin 2024/25 në Superligë.
Në ndeshjen e gjashtë finale me Bashkimin, Trepça triumfoi me rezultat të thellë 82:67 dhe me rezultat të përgjithshëm 4-2 fituan titullin e kampionit.