Hamza: Zhvillimi ekonomik, i mundshëm vetëm përmes fuqizimit të sektorit privat

05 janar 2018 | 13:14

Përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, organizuan tryezë diskutimi të premten me Ministrin e Financave, Bedri Hamza, ku të pranishmit patën rastin të njoftohen nga afër me përmbajtjen e ndryshimeve në kornizën fiskale dhe planet e ministrisë për vitin në vijim.

“Masat e reja fiskale që kanë hyrë në fuqi nga data 1 janar 2018 do të kenë ndikim pozitiv në sektorin privat në vend, si dhe do të ndikojnë në rritjen e konkurrueshmërisë së prodhuesve kosovar krahasuar me ata të rajonit”, u konkludua në këtë tryezë.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Amerikane, u shpreh i kënaqur që tanimë një iniciativë shumëvjeçare e Odës Amerikane për krijimin e politikave të tilla fiskale është realizuar, gjë që ka hapur rrugën për një rritje të përshpejtuar të sektorit privat, veçanërisht në sektorët e prodhimit dhe teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Sipas Zekës, Oda Amerikane mbetet e përkushtuar për të bashkëpunuar me Ministrinë e Financave dhe institucionet tjera në iniciativa që kanë për qëllim përmirësimin e situatës së sektorit privat në vend.

“Ministri i Financave, Bedri Hamza, shprehu bindjen e tij se arritja e normave të larta të zhvillimit ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës është e mundur vetëm përmes sektorit privat në vend. Në këtë drejtim, ai sqaroi se politikat e reja fiskale, përfshirë këtu lirimet doganore në lëndë të parë dhe pajisje të TIK, por edhe lirimet e akcizës për lëndën djegëse të përdorur në procese të prodhimit, kanë për synim të përmirësojnë mjedisin e të bërit biznes në vend, në mënyrë që kompanive në sektorin privat të ju krijohen parakushtet e nevojshme për t’u zhvilluar dhe për të konkurruar në nivel rajonal dhe më gjerë”, është thënë në komunikatën e OEAK.

Sipas kësaj komunikate, po ashtu Hamza deklaroi  se janë duke punuar që të krijohen parakushtet e nevojshme ligjore dhe institucionale që të fillohet me mbledhjen e TVSH-së në brendi të vendit, hap ky që do të përmirësonte likuiditetin e kompanive në sektor privat. Ai sqaroi se Ministria ka identifikuar nevojën e ndryshimeve edhe të ligjeve tjera tatimore, në mënyrë që të adresohen disa sfida dhe pabarazi ekzistuese në treg.

Pjesëmarrësit në këtë tryezë patën rastin të diskutojnë me Ministrin e Financave edhe mbi zhvillime tjera që ndikojnë në sektorin privat, përfshirë këtu pagën minimale dhe luftimin e informalitetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një projekt që përfshin gjithë Ballkanin, për t’i pajisur rrugët…