Hapet ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër

17 dhjetor 2025 | 16:54

Është hapur për qarkullimin e këmbësorëve ura e re mbi lumin Ibër, që lidh Mitrovicën e Jugut, të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut, të banuar me shumicë serbe.

Ura e re u përurua nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, dhe kreu i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.

Kurti tha se me hapjen e kësaj ure për këmbësorë, “rritet qarkullimi dhe të ketë sa më shumë mobilitet në Mirovicë, në këtë qytet kaq të rëndësishëm për Republikën tonë”.

Ndërkaq, Durmishi kujtoi se më 26 gusht ishte hapur për qarkullim një urë tjetër mbi Ibër, dedikuar për automjete.

“Sot po e shënojmë hapjen e një vepre hidraulike dhe artisitike, jo vetëm thjesht një urë për këmbësorë por një vepër arti”, tha Durmishi.

Ndërtimi i kësaj ure u bë pas një memorandumi mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut.

Ndërtimi i këtyre dy urave, krahas urës kryesore mbi Ibër, u bë pavarësisht kundërshtimeve nga serbët lokalë dhe reagimeve të bashkësisë ndërkombëtare.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë vazhdimisht se ndërtimi i këtyre urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për automjete – ka për qëllim t’i lidhë Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut, qytet i ndarë etnikisht që nga paslufta.

Ekzekutivi kishte ndarë rreth 3 milionë euro për ndërtimin e tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë i tha të…