
Haradinaj nderon dëshmorët e Morinës: Beteja e Morinës, shënoi një kapitull të ri në historinë e luftës çlirimtare në Zonën Operative të Dukagjinit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish-gjenerali i UÇK-së, Ramush Haradinaj ka nderuar dëshmorët e Morinës në përvjetorin e rënies së tyre.
Njoftimi i plotë i Haradinajt:
Beteja e Morinës, më 7 korrik 1998, shënoi një kapitull të ri në historinë e luftës çlirimtare në Zonën Operative të Dukagjinit. Në këtë përballje të lavdishme me forcat armike, ranë në altarin e lirisë disa nga djemtë më të zotë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sot, së bashku me familjarë të dëshmorëve dhe bashkëluftëtarë, bëmë homazhe për të nderuar bashkëluftëtarët që u përjetësuan atë ditë:
Muhamet Ukshini, Shkëlzen Syla, Blerim Ukshini, Ahmet Pulatini, Fisnik Salihu, Nezir Elezaj, Ymer Bytyqi, Arben Ukshini dhe Sylejmon Abdyli.
Rënia e tyre ishte një goditje e rëndë për rrjedhën e luftës, por njëkohësisht u bë frymëzim për mijëra të rinj që iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e çuar më tej idealin e shenjtë të lirisë.
Në përvjetorin e rënies, nderuam gjithashtu kujtimin për dëshmorin Agim Mazrekaj. Ai ishte luftëtar i dalluar, i vendosur dhe gjithmonë i gatshëm për betejë dhe për çdo detyrë ushtarake. Trimëria e Agimit do të kujtohet ndër breza.
Gjithashtu, në Voksh të Deçanit nderuam pranë lapidarit të dëshmorit Xhevat Nitaj.
Nderim i përjetshëm për luftëtarët e lirisë!