
Haradinaj përkujton masakrën e Studimes: 22 vjet më parë ndodhi krimi që ende ka mbetur i pandëshkuar
“Njëzetedy vjet më parë në Studime të Vushtrrisë, ndodhi krimi që ende ka mbetur i pandëshkuar. Përpos që nuk është vendosur drejtësia, i tmerrshëm është tentimi për mohimin e krimit makabër”, kështu ka shkruar lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Haradinaj ka thënë se forcat policore serbe dhe ushtarake nxorën nga kolona qindra njerëz që kishin marrë udhën për në Shqipëri.
“Ata nuk kursyen as te miturit e as gjyshërit. Ata ishin barbarët që na mbajtën nën okupim për disa dekada. Familje të tëra, kanë dhënë nga gjaku i tyre për lirinë e Kosovës, e sa pak kemi bërë si shoqëri e shtet për ta”.
“E drejta për viktimat asnjëherë s’do të jetë e plotë por duhet të jemi të bashkuar në kërkimin e saj. Gjithmonë duke ndarë dhembjen me ata që humbën të dashurit, duke ndjerë atë dhembje, e duke e nderuar e mbrojtur vlerën që u krijua nga sakrifica e të rënëve”, ka shkruar Haradinaj.