
Haradinaj: S’kemi nevojë për leksione, Rama e ndihmon Kosovën duke e zhvilluar Shqipërinë
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke komentuar fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Kuvendin e Kosovës me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë, ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për leksione nga askush.
“I kam thënë Edi Ramës se mund t’i shesim mend njëri-tjetrit sa të duam. Edi Rama e ndihmon Kosovën vetëm duke e zhvilluar Shqipërinë”, ka thënë Haradinaj gjatë qëndrimit në qytetin e Mitrovicës, ku po shënohet përvjetori i grevës së minatorëve të “Trepçës”.
Haradinaj ka thënë se nuk ka qëllim për të hyrë në debate të panevojshme me politikanët nga Shqipëria, duke përfshirë edhe Ramën.
“Por, duhet ta kuptojnë se Kosova ka njerëz, nuk munden me ardhur për të na mbajtur leksione. E duam popullin tonë. Por, është me rëndësi t’i kryejmë punët tona”, ka thënë Haradinaj.