
Haradinaj takon ambasadorin britanik, flasin për tejkalimin e bllokadës institucionale
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike.
Haradinaj e ka informuar ambasadorin britanik për angazhimin e Aleancës në këtë periudhë vendimtare për vendin tonë.
“Shpreha shqetësimin për nevojën urgjente të tejkalimit të bllokadës institucionale, e cila duhet të zhbllokohet pas datës 8 gusht, kur presim qartësi nga Gjykata Kushtetuese. Funksionimi i institucioneve është thelbësor për stabilitetin demokratik dhe orientimin euroatlantik të vendit. Po ashtu, biseduam për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe vlerësova lart rolin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar në mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Theksova edhe njëherë përkushtimin tonë për integrimin euroatlantik dhe kërkova mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për anëtarësimin e Kosovës në NATO”, ka thënë Haradinaj pas takimit.