Hasani: Gjykata tregoi kush e bllokoi Kuvendin, por duhej ta sanksiononte sjelljen e LV-së

09 tetor 2025 | 13:14

Instanca më të lartë gjyqësore në vend e konsideron të pakonstituuar Kuvendin dhe për ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, aktgjykimi i fundit është i qartë.

“Ajo që gjykata do të duhej të thoshte, megjithatë, ka të bëjë me sanksionimin e sjelljes jokushtetuese të partisë që fiton shumicën e zgjedhjeve nga radhët e shqiptarëve”, ka thënë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani në një intervistë me shkrim për Express-in.

Sidoqoftë, Kushtetuesja, ka thënë ai, “me guxim të madh, ka thënë përfundimisht se deputetët kanë detyrim kushtetues për të zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, nëse duan të kenë një Kuvend të konstituar”.

Gjykata ka konstatuar se procedura për zgjedhjen e Emilija Rexhepit nënkryetare e Kuvendit nga komunitetet e tjera minoritare joserbe nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Duke ‘amnistuar’ zgjedhjen e zonjës Emilia Rexhepi, Gjykata Kushtetuese ka ‘shpëtuar fytyrën’ e LV-së, por njëkohësisht ka krijuar iluzione tek ata se, me presione terrorizuese, mund të fitojnë koncesione edhe në të ardhmen – koncesione që mund të çojnë në zgjedhjen e një serbi ‘të mirë për pushtetin’, por që nuk e përfaqëson komunitetin serb në Kosovë”, ka thënë Hasani.

Por mënyra e administrimit të shortit, sipas profesorit të së Drejtës Ndërkombëtare, “ka qenë jokushtetuese” sipas aktgjykimit dhe Hasani ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk ka konstatuar “asnjë shkelje kushtetuese në veprimet e ‘Listës Serbe’”.

“Problemi ka qenë dhe mbetet tek sjelljet jokushtetuese, të përsëritura në vazhdimësi, nga partia e parë fituese e zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Hasani ka vlerësuar  njësoj siç ka thënë se ka konstatuar edhe Gjykata, se “gjendja është e qartë dhe e pastër si loti”.

Kushtetuesja “më nuk ka ndërmend të merret me këtë çështje”, ka thënë Hasani, i cili, për dallim prej kolegëve në Kushtetuese, ka thënë se ka frikë se “kjo ‘rashomoniadë’ do të vazhdojë, me aktorë të njëjtë, me të njëjtën qasje dhe me të njëjtin qëllim”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” po zhvillon sot aktivitete…