Hasani: Mbajtja e seancës për Qeverinë është jokushtetuese
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, aktualisht profesor i të Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, konsideron se seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së re të vendit, e cila është thirrur për të dielën, më 26 tetor, është jokushtetuese.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani thotë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është ngutur që të dekretojë kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si mandatar për formimin e ekzekutivit dhe, siç shprehet, në mënyrë arbitrare ka konstatuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Konstituimi i Kuvendit është kontestuar nga Lista Serbe, e cila i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese pasi nënkryetar i Kuvendit nga radhët e deputetëve serbë u zgjodh Nenad Rashiq, nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
“Zonja Osmani, me ngutjen e treguar, ka bërë një shkelje serioze të Kushtetutës së Kosovës”, thekson Hasani.
Ai pret që një vendim i Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesën e Listës Serbe në të ardhmen, si dhe zgjedhja eventuale e Qeverisë së re nga Kuvendi i Kosovës, ditën e diel, do të jenë veprime që do të ndërthuren dhe komplikojnë situatën.
Intervista e plotë👇
https://www.evropaelire.org/a/enver-hasani-seanca-per-votimin-e-qeverise-se-kosoves-/33569676.html



