Haxhiu ankohet për votat e diasporës pas afatit ligjor dhe ‘llogaritjen e gabuar të rezultatit zgjedhor’
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka njoftuar se ka dorëzuar dy ankesa zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me rezultatet përfundimtare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 31 janar 2026.
Ankesat, siç ka shkruar ai në “Facebook” lidhen me përfshirjen e 23,323 pakove të fletëvotimeve me postë nga votimi jashtë Kosovës, të pranuara pas afatit ligjor, në kundërshtim me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe llogaritjen e gabuar të rezultatit përfundimtar, i cila ka ndikuar në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura me 28.12.2025.
Haxhiu ka thënë se afatet zgjedhore dhe barazia e votës nuk janë thjesht rekomandime, por garantojnë besueshmërinë e procesit zgjedhor.
“Asnjë vendim administrativ i KQZ-së, nuk mund të ndryshojë ligjin dhe Kushtetutën. Nuk kërkoj privilegj. Kërkoj vetëm zbatim të barabartë të ligjit dhe Kushtetutës. Mbrojtja e votës së ligjshme është mbrojtje e demokracisë”, ka shkruar Haxhiu.



