Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bekim Haxhiu, ka lëshuar akuza të forta lidhur me procesin e votimit me postë, duke pretenduar për falsifikim të organizuar të vullnetit të votuesve nga diaspora.
Gjatë një interviste në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Haxhiu ngriti dyshime serioze mbi ligjshmërinë e mijëra fletëvotimeve që, sipas tij, kanë arritur në Kosovë me vonesë – nga 7 deri në 10 ditë pas mbylljes së afatit ligjor.
Sipas Haxhiut, manipulimi është lehtësisht i evidentueshëm nëse organet e drejtësisë ndërhyjnë. Ai deklaroi se një numër i madh i fletëvotimeve duket se janë plotësuar nga të njëjtët individë.
“Vetëm një hetim i Prokurorisë i këtyre fletëvotimeve e vëren qartë, nëse e çon në ekzaminim se këto vota janë të manipuluara. Bëhet fjalë për vota të cilat kanë pasur impakt të drejtpërdrejtë”, deklaroi Haxhiu në Klan Kosova.
“Sepse deri më datën 8 janar janë numëruar votat me postë dhe janë pranuar në KQZ. Bile është njoftimi i datës 7 janar në të cilën ne si Parti Demokratike kemi bërë ankesë sepse aty nuk ka pasur njoftim zyrtar në QNR se po procesohen votat me postë të ardhura pas afatit ligjor”, shtoi Haxhiu.