Haxhiu: KGJK-ja të tregojë emrin e gjyqtarit që ka neglizhuar rastin e Dardan Krivaqës
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor që të publikojë emrin e gjyqtarit, i cili neglizhoi rastin e Dardan Krivaqës.
Ajo ka thënë se është skandal neglizhencën e trajtimit të rastit nga gjyqësori, ndërkohë që për Dardan Krivaqën kishte aktakuzë që nga viti 2013.
“Për mua ishte skandal që i dyshuari kryesor të ketë aktakuzë të ngritur që nga viti 2013, por seanca për shqyrtim gjyqësor të mos mbahej në lidhje me këtë rast. Për këtë duhet të flas Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që të na i bëjnë të qartë se kush ka qenë gjyqtari që e ka neglizhuar një rast të tillë dhe të ndërmerren veprimet për një neglizhencë të tillë. Sot e kemi një grua që ka humbur jetën, ata të cilët nuk kanë vepruar karshi rasteve të tilla pa dyshim që duhet të marrin ndëshkimin e merituar”, ka deklaruar Haxhiu, pas marshit protestues që është mbajtur në Ferizaj për vrasjen e 18-vjeçares./KP/



