
Haxhiu për krimin në Prizren: Institucionet përgjegjëse janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë
Ministrja në dorëheqje e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar për krimin që ndodhi në një familje turke që po qëndronte në Prizren tash e gjashtë muaj.
Atje dyshohet që babai theri për vdekje vajzën e tij 15-vjeçare, ndërsa ka plagosur vajzën tjetër 10-vjeçare dhe gruan e tij.
Haxhiu tha se ky akt i tmerrshëm përbën një krim që duhet të dënohet maksimalisht.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në Prizren, ku një shtetas turk me banim të përkohshëm në Republikën e Kosovës vrau vajzën e tij të mitur dhe plagosi rëndë vajzën tjetër 11-vjeçare. Ky akt i tmerrshëm i dhunës në familje është i papranueshëm dhe përbën një krim që duhet të dënohet maksimalisht. Në emrin tim personal dhe si Koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e vajzës së ndjerë dhe solidarizohem me qytetarët që me të drejtë ndjejnë zemërim dhe trishtim përballë këtij akti kriminal. Uroj shërim të shpejtë për vajzën që po merr trajtim mjekësor dhe përkujdesje të vazhdueshme për të kaluar këtë traumë të rëndë”.
Haxhiu shtoi se “dhuna, në çdo formë të saj, është e patolerueshme”.
“Fëmijët janë e ardhmja jonë dhe kanë të drejtën e patjetërsueshme të rriten të sigurt, të dashur dhe të mbrojtur dhe askush nuk ka të drejtë t’ua mohojë këtë të drejtë themelore. Institucionet përgjegjëse janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë”.