Histori e dhimbshme nga ekspedita policore serbe kundër nëntë shqiptarëve të pafajshëm

27 prill 2021 | 16:16

Shkruan: Lulzim Sahiti

Ishte bërë dita e 35-të kur forca ushtarake më e fuqishme botërore NATO po vazhdonte bombardimet ajrore kundër caqeve të Ushtrisë Jugosllave dhe forcave policore serbe. Në anën tjetër, kishte përshkallëzuar dhuna dhe terrori nga forcat barbare serbe ndaj popullsisë shqiptare kudo që ishte ajo. Një njësit policor serb ishte vendosur mbi kodrën e quajtur “Çesta” që gjendej përmbi fshatin Reçak. Nga atje bëhej vëzhgimi nga distanca i qytetit, ku nga ky pozicion shihej si në pëllëmbë të dorës çdo lëvizje e banorëve të Shtimes.

Kësaj radhe, më 27 prill 1999 në epiqendër të vëzhgimit të tyre ishte vënë Bashkësia e Pestë e Shtimes, e cila në vijë ajrore nuk është më larg se 500 metra nga Çesta e Reçakut. Në këtë lagje është edhe objekti i Stacionit të Policisë. Forcat serbe gjatë vrojtimit të tyre kishin parë lëvizjen e disa të rinjve në shtëpinë e Ragip Hafir Shalës, i cili në atë kohë bashkë me familje jetonte në Zvicër.

Përndryshe, Ragipi është vëllau i dëshmorit Sadik Hafir Shala, i cili ka rënë dëshmor më 19 korrik 1998 në Betejën e Rahovecit. Pra, kjo nënkupton që jo rastësisht forcat armike kanë piketuar këtë shtëpi, ku në atë kohë po banonin përkohësisht vëllezërit: Ejup, Musë dhe Fehmi Krasniqi, të ardhur nga Karaçica e Shtimes. Atë ditë, Bajram Iballi, që në atë kohë ishte vetëm 16-vjeç, takohet rastësisht me nipin e tij, Musë Krasniqin dhe me stërnipin Elmi Bajramin, me të cilin jeton në të njëjtën lagje, në Bashkësinë e Parë të Shtimes. Si të rinj që ishin, të tretë kishin vendosur të shkojnë për drekë te familja e Musë Krasniqit. Në mesditë, pasi kishin ngrënë drekë, si zakonisht në familjet shqiptare fillojnë të pijnë çaj. Nga dritarja e shtëpisë, Ganimetja (nusja e Ejupit) kishte parë duke hyrë në oborr policinë serbe bashkë me paramilitarë. Kjo ekspeditë e policisë serbe ishte e befasishme për familjen Krasniqi! Ata pa kurrfarë paralajmërimi, hyjnë brenda shtëpisë duke kontrolluar në çdo skutë të saj. Pas pak çasteve, Bajramin, Elmiun, Musën… i urdhërojnë të dalin përjashta duke i shtrirë me fytyrë prej toke.

“Na kanë rrahur me bishta të lopatave, sfurqëve dhe gjësende tjera të forta”, tregon Iballi. Atë ditë, komplet kjo lagje ishte rrethuar nga policia dhe paramilitarët serbë që ishin me shamia në kokë dhe të lyrë në fytyrë. Ndërkohë, Iballi tregon se në anën e djathtë të fanelës e kishte pasur një emblemë të vogël të UÇK-së të punuar bukur nga metali, të cilën ia kishte dhënë dhuratë rrobaqepësi i UÇK-së, Feriz Hysni Gashi. Ndërkaq, në xhepin mbrapa pantallonave e kishte një letër të djalit të tezes, Eqrem Sherif Berishës, pjesëtar i UÇK-së nga Kizhnareka (Drenas), i cili shërbente në Zonën Operative të Drenicës. Në fund të kësaj letre shkruante: “Mirë u pafshim në Kosovën e lirë!”. Duke më kontrolluar, polica ma gjeti këtë letër. Gjatë kohës sa e lexonin atë, jam munduar me tërhequr emblemën nga fanela po nuk goxoja ta hudhja sepse isha nën vëzhgimin e tyre. Mirëpo pasi që e kanë lexuar pjesërisht atë, më kanë godtur me bishtë druri të sfurkut.

Këtë rast e kam shfrytëzuar me maturi duke bërtitur nga dhimbja që vërtet kisha. Më janë ngritur duart në mënyrë instikte dhe kam hudhur emblemën në bari, rrëzë një peme që ishte në oborr. Ndërkohë, gjatë kontrollimit të shtëpisë, në albumin e Musës kishin gjetur një fotografi të Eqrem Berishës, i cili kishte pasur të veshur uniformën e zezë ushtarake, me emblemë të UÇK-së dhe një mitraloz të modelit “Gulinov”. Me këtë rast, nisën të kërkojnë letrën e tij që dikun ju humbi në barishta por nuk arritën ta gjejnë ngase nuk ju premtonte edhe koha. Mandej, gjatë kotrollimit të Fehmi Krasniqit, në xhepin e bluzës së tij ia gjejnë një plumb të revolës. Me këtë rast, Fehmiun e marrin dhe e fusin brenda shtëpisë duke kërkuar revolen. Atë gati e kanë mbytur duke e rrahur, kurse vëllaun e tij, Musën tentonin ta hudhnin në bunarë. Ai arriti të tejkalon këtë sfidë vetëm duke u kapër me gjithë fuqinë që kishte për rrethi të bunarit. Trishtim i madh ka qenë me parë këtë skenë. Ata, mendonin se ne jemi njësit i UÇK-së. Në këto momente, kanë sjellë nga shtëpitë e tyre vëllezërit: Brahim dhe Qazim Krasniqin dhe dy kusherinj të tyre që ishin vëllezër: Rifat dhe Mehdi Godenin. Edhe këta i shtrijnë në oborr bashkë me neve. Krejt kjo dhunë bëhej në prezencë të hallës Hyrë, vajzës së saj Hatixhes dhe nusës së Ejupit, Ganimetes. Ndërkohë ka ardhur edhe babai i Brahimit dhe Qazimit, haxhi Hakiu që ishte plak i shtyrë në moshë dhe bashkë me te edhe nëna e tyre, Fazilja. Prindërit e moshuar bënin përpjekje t’i shpëtonin djemtë, por barbarëve nuk ju bënte përshtypje kjo punë. Informatorët e sigurimit shtetëror serb tashmë e dinin saktësisht se Selim Haki Krasniqi ishte pjesëtar i UÇK-së, prandaj bishat serbe në shenjë hakmarrje ushtronin dhunë të tmerrshme ndaj familjes Krasniqi.

Rreth dy orë këtu na kanë rrahur me shqelma brinjëve, fytyrës dhe krejt trupit, rrëfen gjithnjë Iballi. Pastaj na kanë renditur rresht për një dhe kanë urdhëruar të nisemi teposhtë drejt Stacionit të Policisë në Shtime. Na kanë çuar nëpër rrugën që kalon kah shtëpia e Rexhep Mulës. Meqë shumica e të arrestuarve kishin mbiemrin Krasniqi, serbët na thoshin: “Hajde çeta e Jakup Krasniqit!”. Kur kemi mbërri në Stacion të Policisë edhe aty në oborr na kanë rrahur nja dy orë të mira. Këtu kryesisht na ka rrahur një polic i Grackës së Lipjanit. Mandej një nga një na kanë marrë në pyetje, në katin e dytë të stacionit. Së bashku me oficerin serb që na merrte në pyetje ka qenë edhe një shqiptar i veshur me uniformë të policisë serbe. Atë e thërrisnin Bajram. Fillimisht pyetjet e tyre kishin të bënin për dy-tri bomba që kishin ekspozuar përmbi kashtë, të cilat gjojase i kanë gjetur në shtëpi ku na morën. Ngjyra e bombave të reja shkëlqente. Ishin krejtësisht të reja. Dukej mirëfilli se ishte një inskenim i tyre. Ai shqiptari po thotë: “Është mirë me na treguar se të kujt janë këto bomba?” Unë nuk e di, aty kam qenë vetëm si mysafirë te dajtë, ishte përgjigja ime e prerë, tregon Iballi. Pas intervistimit tim, më nxorën në korridor, ku kishte qenë edhe Elmiu.

Aty në korridor takuam rastësisht edhe Zvonko Stamenković-in nga Shtimja, i cili dikur ishte postier por tash kishte veshur uniformën e policisë si reservist i MUP-it serb. Ai nga Elmiu kërkonte zinxhirin e arit që kishte në qafë duke i thënë: “Ti ashtu-kështu je i vdekur, bile bima zinxhirin mua!” Kur e pa që Elmiu nuk e kishte ndërmend t’i jepte atë, ai ia kapi në qafë zinxhirin por nuk arriti ta këpuste. Më tutje nuk e zgjati sepse frikohej se po e hetojnë të tjerët. Pas marrjes në pyetje na detyronin të qëndrojmë përsëri të shtrirë në oborr. Kemi pasur frikë se do të na shkelin me ndonjë automjet luftarak sepse ai vend kishte qenë i mbushur përplotë me paramilitarë.

Ne ishim në pritje pa ditur për epilogun tonë se çka do të ndodhë tutje. Dikur policia kishin shkuar te një llamarinëpunues i Shtimes, ku kishin marrë një kamionetë me çadër, ku shkruante “Te Bajra”. Na kanë lidhur dy nga dy për duar të njëri-tjetrit. Mua më lidhën për dore të Rifatit, kurse Ejupi mbeti tek dhe ai ka qenë i lidhur vetëm. Na kanë hipur të gjithëve duarlidhur në kamionë. Gjatë rrugës e bënim plan me kërcyer nga kamioneta por kur kemi këqyrë nga një vrimë e vogël që kishte çadra, kemi parë që jemi të përcjellur mbrapa nga një veturë e policisë. Pak para mbrëmjes kemi mbërri në oborrin e kafes “Pranvera” në Ferizaj. Atje kemi zbritur dhe na kanë mbështetur me duar lartë për muri të xhamisë. Aty kemi qenë:

  1. Brahim Haki Krasniqi
  2. Qazim Haki Krasniqi
  3. Rifat Halit Godeni
  4. Mehdi Halit Godeni
  5. Ejup Hamdi Krasniqi
  6. Musë Hamdi Krasniqi
  7. Fehmi Hamdi Krasniqi
  8. Bajram Bashkim Iballi
  9. Elmi Hysen Bajrami.

Ne menduam se tash na pushkatojnë. Na thanë me qëndruar me fytyrë drejt murit të xhamisë dhe mos me këqyrë as majtas dhe as djathtas. Këtu na kanë rrahur me të njëjtin ritëm por tash nga policë të Ferizajt. Mandej na kanë futur në bodrumin (garazhën) e kafesë, ku nuk njoha askënd nga të pranishmit. Bodrumi kishte qenë i mbushur me ujë deri në zogë të këmbës, ku nuk kishte as toaletë për nevoja fiziologjike. Ishte tmerr vetëm me pa atë vend të papastër e lëre më me bërë natën njeriu aty.

Të nesërmen, në mëngjes një polic i ri, i cili thoshte se është futbollist i Ferizajt, tregonte se dhunshëm e kishin rekrutuar. Ai thoshte se ka fqinj shqiptarët, me të cilët kalon shumë mirë. Për të ngrënë ne, ai na ka dhënë bukën e vet. Nërkohë ka ardhur Azem Dremjaku me një jelek të ushtrisë, ku nga ai disa të burgosur kërkuan cigare. Ua dha pa thënë asgjë, pra pati sjellje korrekte me ta. Kah mesi i ditës kam parë dy persona civilë të shtrirë në oborr. Dukeshin sikur të ishin pa shenja jete. Nuk i kam njohur veçse për njërin thanë se ka mbiemrin Maloku. Kjo u kishte ndodhur për shkak të dhunës së shfrenuar nga ana e operativistëve të sigurimit serbë.

Mua atë ditë më ka marrë në pyetje inspektori Dragan Jašović, kurse Momčilo Šparavalo me operativistët e tij më kanë vendosur dy tela në gishtat e dorës së djathtë. Njërin tel elektrik ma vendosën në gishtin tregues, kurse tjetrin në gishtin e parafundit. Jashovići më pyeti a e njeh Farukun? Po, e njoh vetëm si person të Shtimes. Mandej, ka filluar të më pyes për Sefë Hysenajn, të cilin ne e kemi mik të shtëpisë. Përgjigja ime ishte përsëri, nuk e njoh! Në këtë çast, kanë nisur të më godasin me një dru që ishte një këmbë e tavolinës. Ndërkaq, në anën tjetër Šparavalo më ka lëshuar rrymën. Kjo tortur më shkaktonte siklet të brendshëm, trupi donte të më pëlcas. Kur e lëshonte rrymën i tërë trupi më shkonte përpjetë. Me këmbë sadistët më shtypnin mbi shpinë. Ky aparat i posaçëm kishte ampermetër që e kontrollonte fuqinë e rrymës elektrike dhe sipas nevojës Šparavalo bënte rritjen e fuqisë së rrymës elektrike. Ai ishte specialist për të torturuar në mënyrën më mizore shqiptarët e pafajshëm dhe duarthatë.

Në mbrëmje sërish më kanë thirrë për intervistim. Kësaj radhe më treguan një fotografi të Sefë Hysenajt, i cili kishte qenë ulur, me pushkë në dorë, i mbështetur për një bunari. Po më pyesin: “A po e njeh?” Përgjigjem me jo. Vërtet nuk e njihja. Filloj tortura me elektroshok dhe rrahje brutale. Në vazhdim nuk arrita dot t’i përballoj dhimbjet e mëdha. Më detyruan të nënshkruaj deklaratën e tyre. Pas tri dite, më 30 prill 1999 mua bashkë me Elmi Bajramin na liruan. Ndërkaq, të rrahur në mënyrën më çnjerëzore, pak më herët ishin liruar: Brahimi, Qazimi, Rifati, Mehdiu, Ejupi, Musa dhe Fehmiu.

Pasi na liruan ishim të rraskapitur nga rrahja brutale, të lodhur shpirtërisht dhe nga pagjumësia. Në këmbë mezi qëndronim, mirëpo duhej të iknim sa më parë nga ky vend i mallkuar. Kështu jemi nisur në këmbë nga Ferizaj duke bërë rrugën nëpër fshatin Mohovc e tutje. Në mbrëmje kemi mbërri në Vojnovc, ku unë natën e kam bërë në familjen e Beqir Shabanit, i cili përndryshe është babai i dëshmorit të UÇK-së, Ibrahim Shabani, të rënë më 29 dhjetor 1998, në Llojza të Ferizajt. Këtë natë, kjo familje ka siguruar dikund lesh të delës dhe me te më kanë mbështjellur krejt trupin. Ndërsa Elmiu në Vojnovc e ka pasur familjen te Sahit Maloku ku ai atje ka shkuar.

Nga e gjithë kjo rezulton se ish-kafja “Pranvera” në kohën e bombardimeve të NATO-s ishte shndërruar në qendër për ndalimin dhe marrjen në pyetje të shqiptarëve të pafajshëm, të cilët nga regjimi serb dyshoheshin se kishin bashkëpunuar me UÇK-në, apo kishin përkrahur UÇK-në. Me këtë dëshmohet se shefi i MUP-it në Ferizaj, Bogoljub Janićević bashkë me inspektorët e tij: Dragan Jašović, Momčilo Šparavalo, Serboljub Vojinović, Darko Amanović e tjerë kanë kryer krime makabre kundër popullsisë civile shqiptare si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

P.S. Kafja “Pranvera”, në Ferizaj ishte ndërtuar në vitet 70-ta, e cila ishte pjesë e ndërmarrjes për hotelieri “Sutjeska”. Gjatë 78 ditëve të bombardimeve të NATO-s, kjo shtëpi dykatëshe ishte shndërruar në një kamp tmerri për shumë qytetarë të komunës së Shtimes, Ferizajt, Kaçanikut dhe Shtërpcës. Në vend që ky objekt të ruhej për muze si shenjë e dhimbjeve të mëdha që kanë pasur qytetarët e rajonit të Ferizajt, ajo menjëherë pas luftës ishte djegur nga dikush dhe përnjëherë ishte shndërruar në gërmadhë. Kurse në vitin 2007 është zhdukur çdo gjurmë e këtij objekti, thuaja se aty në vitin 1999 nuk ka ndodhur asgjë!

Kjo fotografi e kafes “Pranvera” që po e publikojmë sot është siguruar nga miku im Njazi Hajdari, i cili është njëri nga ata që kishte përjetuar tmerrin në kthinat e këtij objekti famëkeq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ai në një postim të bërë në “Instagra” ku shihet…