HISTORIA E BISEDIMEVE POLITIKE NË MES TË PRISHTINËS DHE BEOGRADIT

12 qershor 2018 | 11:15

Shkruan: Jakup Krasniqi

(Përkujtues për vendorë e ndërkombëtarë, për raportet shqiptare e serbe në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi)

Hyrje

Qytetarët e Kosovës si dhe partitë politike edhe para Rambujesë e pas saj kanë qenë shumë të interesuar të gjejnë zgjidhje politike me Serbinë. Që nga bisedimet e Vjenës e sidomos pas Pavarësisë kanë qenë e janë të interesuar për t’i normalizuar marrëdhëniet ndërshtetërore me Serbinë.

Por, pas pesë e më shumë vjetësh të bisedimeve të Brukselit jemi të bindur dhe besojmë fort në bindjet tona, se mënyra se si kanë filluar bisedimet politike me ndërmjetësimin e Brukselit dhe sidomos se si janë udhëhequr e zhvilluar ato, vështirë se do të kemi normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Dhe për këtë faji nuk është në Prishtinë, por te politikat e vjetra të krimit e të gjenocidit të ushtruara nga Beogradi zyrtar dhe jo vetëm në luftën e fundit.

Historia e bisedimeve politike Serbi – Kosovë

Kosova me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar e sidomos të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit ka zhvilluar bisedime dy herë. Dhe Serbia asnjëherë, deri më sot, nuk i ka pranuar rezultatet finale të bisedimeve, ashtu si nuk po i pranon as këto të zhvilluara nën mbikëqyrjen e Brukselit zyrtar, të cilat ishin të autorizuara me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që të ishin bisedime teknike. Edhe në bisedimet e Brukselit të filluara si teknike e që përfunduan në bisedime politike, pala e Kosovës veç sa i ka thelluar kompromiset, duke hequr dorë nga të qenit palë e barabartë në bisedime.

Dëshmi për këtë është fusnota (që e mohon pavarësinë) dhe të gjitha çështjet e brendshme të Kosovës që u biseduan atje. Me këtë veprim pala e Kosovës në bisedime ka shkelur vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur përmes përfaqësuesve të tij të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës më 17 shkurt 2008. 

I.

Në bisedimet e para që janë zhvilluar në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje të Francës (shkurt – mars 1999) pala shqiptare pat bërë një kompromis goxha të madh. Arsyeja ishte se pala shqiptare donte të sakrifikonte për zgjedhjen politike e paqësore të luftës se filluar në shkurtin e vitit 1998 (e pranuar ndërkombëtarisht, se ajo kishte filluar vite më parë).

Serbia edhe pas dy raundeve të bisedimeve të zhvilluara në Rambuje (shkurt ’99) e Paris (mars ’99) nuk e pat nënshkruar Dokumentin Përfundimtar të Marrëveshjes. Mosgatishmëria e regjimit të Millosheviqit për ta nënshkruar Dokumentin përfundimtar të Marrëveshjes, Bashkësia Ndërkombëtare u obligua të kërkonte rrugë tjetër. Zgjedhja tjetër ishin bombardimet e NATO-s në territorin e Federatës së mbetur jugosllave (Serbi – Mal i Zi).

Deri te një zgjedhje erdhi vetëm pas bombardimeve 78-ditëshe të NATO-s, të cilat nuk do të ndodhnin pa ndikimin e fuqishëm të ShBA-së, MB e më vonë edhe të vendeve të tjera anëtare të NATO-s. Pastaj vjen Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, në të cilën thuhet: Kosova është protektorat i OKB-së. Sipas kësaj rezolute, OKB-ja ka përgjegjësinë për administratën civile, kurse NATO-ja për sigurinë në Kosovë. (https://sq.wikipedia.org/wiki/Procesi_i_Pavar%C3%ABsis%C3%AB_s%C3%AB_Kosov%C3%ABs)

 II.

Herën e dytë bisedimet dyvjeçare (2006 – 2007) të zhvilluara në Vjenë. Bisedimet e Vjenës u zhvilluan nën udhëheqjen e emisarit special të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, nga presidenti i Finlandës Marti Ahtisari, me mbikëqyrjen e shteteve që e përbënin Grupin e Kontaktit (GK). Pas bisedimeve të gjata dhe njerëzve specialë të angazhuar në pjesën e dytë të bisedimeve (2007), një nga ShBA-ja ambasadori (Frank Wisner), një nga BE-ja dhe ai ishte ambasadori gjerman (Wolfgang Ishcinger) dhe i treti nga Rusia, i dërguari i posaçëm i Ministrisë së Jashtme Ruse (Aleksander Bozan – Kharchenko). Rusia ishte anëtare e GK dhe pjesëtare e bisedimeve të Vjenës që nga deklarata e parë e GK e cila edhe e hapi fillimin e bisedimeve.

Deklarata nënvizonte se nuk ka kthim para vitit 1999 dhe nuk ka bashkim me ndonjë vend tjetër. Pra, orientimi ishte kah pavarësia. Edhe vazhdimi nga treshja e përmendur, palët i nuk ndryshuan qëndrimet e tyre. Dokumenti Përfundimtar për Zgjedhjen e Statusit Përfundimtar për Kosovën, i cili ishte rezultat i atyre bisedimeve, nuk ishte vullneti i shqiptarëve të Kosovës, natyrisht nuk ishte as vullneti i Serbisë. Dokumenti ishte i palës që i udhëhoqi bisedimet (komuniteti ndërkombëtar), pra ishte kompromis i ofruar nga shtetet anëtare të GK. Pa dyshim për shqiptarët ishte kompromis tepër i madh, por ama ishte kompromis për Pavarësinë e Mbikëqyrur të Kosovës dhe kjo ishte arsyeja që e pat pranuar pala e Kosovës. Komuniteteve pakicë, veçanërisht pakicës serbe, iu dhanë shumë të drejta e fare pak obligime, mbase asfare. Ndonëse ai nuk përbën më shumë se 5 % në numrin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Më 15 mars 2007 dokumenti i qe dorëzuar OKB-së nga zëvendësi i M. Ahtisarit, zoti Rohan. (B92 – Info – Report: Plan explicitly recommends independence)

Më 26 mars 2007 Martti Ahtisaari i dërgon raportin përfundimtar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku ai thotë se Kosova duhet të bëhet e pavarur (BBCAlbanian.com News).

Në Dokumentin Gjithëpërfshirës për Zgjedhjen e Statusit Përfundimtar të Kosovës ishte paraparë që Pavarësia e mbikëqyrur do të arrihej në KS, i cili do ta shfuqizonte Rezolutën 12 44 dhe me një Rezolutë ta njihte Pavarësinë e Kosovës, e cila automatikisht do të bëhej anëtare e OKB-së. Por, ky variant nuk shkoi, pastaj u zgjodh rruga tjetër që në koordinim me faktorin ndërkombëtar, Pavarësia të shpallej në Kuvendin e Kosovës dhe kjo u bë më 17 shkurt 2008.

Vlen të theksohet se para se të shpallej në Kuvendin e Kosovës, ajo që pranuar më 29 mars 2007 nga Parlamenti Evropian i cili miraton një rezolutë ku shprehet përkrahja për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Me 490 vota për, 80 kundër dhe me 87 abstenime. Ndërsa më 10 qershor 2007, presidenti amerikan George W. Bush viziton Tiranën, në atë rast ai thotë se Kosova do ta marrë pavarësinë. Po për këtë çështje kryeministri i MB Toni Blair, para se ta lëshojë zyrën e kryeministrit, thotë: “Jam krenar për rolin që Britania e Madhe ka luajtur për t’i dhënë popullit të Kosovës një të ardhme më të mirë” (https://sq.wikipedia.org/wiki/Procesi_i_Pavar%C3%ABsis%C3%AB_s%C3%AB_Kosov%C3%ABs).

Më pastaj, Serbia e dërgoi në GjND ankesën e saj për shpalljen e pavarësisë dhe në korrik të vitit 2010, mori përgjigjen se Pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar. “Gjykata, rrjedhimisht, ka gjetur se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit nuk i ndalon autorët e Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, nga shpallja e deklaratës së pavarësisë nga Republika e Serbisë. Prandaj, Deklarata e Pavarësisë nuk paraqet shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit”, tha presidenti i gjykatës, Hisashi Ovada. Pra, “Gjykata konsideron se e drejta ndërkombëtare e përgjithshme nuk përmban ndalesë të zbatueshme për deklarata të pavarësisë. Rrjedhimisht, ajo konkludon se Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit të vitit 2008 nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”.

 III.

Herën e tretë, bisedimet e Brukselit filluan si bisedime teknike, pa asnjë arsyeje e konsensusi nacional këto bisedime u shndërruan në bisedime politike. Këto bisedime jo vetëm se nuk kanë zgjidhur gjë, veçse shtetin e Kosovës dhe institucionet e tij i kanë bërë jofunksionale. Marrëdhëniet me Serbinë jo vetëm se nuk janë normalizuar, por disa herë vetëm sa janë acaruar. Kujtoni trenin nacionalist serb.

Këto bisedime e prodhuan Listën Serbe në institucionet e Kosovës e cila nuk i mbron interesat e qytetarëve serbë të Kosovës. Ata në institucionet e Kosovës mbrojnë interesat e politikës agresive të Beogradit e cila ka qëllim të prodhojë sa më shumë destabilitet e pasiguri.

Në një situatë të tillë palës sonë (politikës shqiptare) s’i mbetet gjë tjetër veçse të kërkojë konsensus nacional për t’i sjellë bisedimet në binarë normalë brenda vetvetes. Vazhdimi i bisedimeve nuk duhet të ndodhë pa u krijuar konsensusi nacional, si dhe ndryshuar si në formë, po ashtu edhe në përmbajtje, substanca e bisedimeve.

Për të vazhduar këto bisedime duhet një platformë e re dhe ekip i ri negociator. Ata apo ai që i ka sjellë këto bisedime në ketë gjendje nuk duhet të lejohen në asnjë mënyrë të jenë pjesë e këtyre bisedimeve ose, më së shumti, të jetë pjesë ceremoniale e atyre bisedimeve. Nuk ka asnjë dyshim, as pala e Kosovës e as ajo e komunitetit ndërkombëtar nuk e kanë gjetur gjuhën që do ta kuptonte politika zyrtare e Beogradit e cila nuk po mund të gjejë forcë që të shkëputet nga shtrati i politikave agresive e gjenocidare të Millosheviqit. Politikë që nuk i qëndron me korrektësi asnjë marrëveshjeje. Gjithë historia e bisedimeve me Serbinë e tregon këtë.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Suksesi i Rafael Nadalit në “Roland Garros” në terma financiarë…