Historia e panjohur e grupit që shpërfilli Enverin: Vetëvrasja pa i dhënë llogari…

13 dhjetor 08:14

Publikohet historia e panjohur të një grupi anëtarësh të Komitetit Qendror të PPSH-së të kryesuar prej: Njazi Islamit, Abedin Shehut, Shyqëri Këllezit, Isuf dhe Hamit Keçit, etj., të cilët në vitin 1950 kur mbanin funksione të larta edhe në qeveri e ushtri, si ministra e drejtorë drejtorish, etj., u goditën nga Enver Hoxha dhe Komiteti Qendror i PPSH-së, duke u akuzuar se: me veprimtarinë e tyre armiqësore, kishin shpërfillur Partinë dhe vijën politike të saj, duke bërë mbledhje të rregullta sikur të ishin një forum partie dhe qeveri tjetër…?!

“Për ata planet ekonomike të shtetit ishin “të parealizueshme”. Duke u nisur nga mosbesimi në forcat ndërtimtare të popullit tonë, duke qenë në kundërshtim me vijën e Partisë dhe duke dashur sabotimin e realizimit të planit ekonomik të shtetit, ata shfaqnin mosbesim në realizimin e planit të grumbullimeve dhe të sektorëve të tjerë ekonomikë dhe pritnin dështimin e këtyre planeve për të goditur Partinë dhe shtetin. Ata shqetësoheshin për luftën që u bëhej kulakëve në fshat dhe u qanin hallin atyre për goditjet që pësonin nga pushteti popullor. Urdhrat ushtarakë për ata ishin të diskutueshëm. Ata pretendonin se zbatimi i detyrueshëm i urdhrave ushtarakë nuk është i drejtë. “Inferiori, — thoshin ata, — duhet t’i vlerësojë dhe t’i diskutojë ata dhe në qoftë se nuk i mbushet mendja për saktësinë e tyre, të mos i zbatojë”. Ata s’kishin besim në aftësinë mbrojtëse të vendit tonë dhe në gatishmërinë luftarake të Ushtrisë Popullore. Ata informoheshin për aftësinë mbrojtëse të vendit tonë, për gatishmërinë luftarake të ushtrisë dhe për sekrete të tjera të rëndësishme ushtarake. Ata i përfundonin diskutimet e tyre të bindur se mbrojtja e vendit tonë, është e dobët dhe gatishmëria e ushtrisë nuk është e mjaftë. Ata bisedonin probleme organizative e kuadri, si krijim dikasteresh të reja, ndryshime ministrash, sekretarë të parë rrethesh etj”, Kështu thuhet në mes të tjerash në një komunikatë të Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me një mbledhje të Plenumit të V-të të PPSH-së, të mbajtur më datat 20-22 shkurt dhe 6 mars të vitit 1950-të, ku u morr në analizë dhe u dënua “veprimtaria e grupit antiparti të kryesuar prej: Abedin Shehut, Njazi islamit, Shyqëri Këllezit, Isuf dhe Hamit Keçit”, etj.,të cilat më pas u burgosën dhe u internuan si “armiq të popullit. Pas dënimit të “Grupit të deputetëve” në vitin 1947 me në krye, Shefqet Bejën, Gjergj Kokoshin, Riza Danin, etj., që tentuan të dilnin dhe të legalizonin opozitën e vërtetë brenda radhëve të Partisë Komuniste Shqiptare dhe Frontit Demokratik, “Grupi antiparti” brenda radhëve të Komitetit Qendror të PPSH-së që u godit nga Enver Hoxha në vitin 1950-të, përbënte në të vërtetë një disidencë, apo më saktë një grup opozitar, ndaj vijës politike që po ndiqte ajo parti. Po çfarë funksionesh mbanin pjesëtarët e këtij “grupi antiparti” dhe ku konsistonte veprimtaria e tyre? Lidhur me këtë bën fjalë ky dokument arkivor që Memorie.al po e publikon të plotë duke filluar nga ky shkrim.

Komunikata e Komitetit Qendror për veprimtarinë e “Grupit antiparti” të kryesuar prej: Abedin Shehut, Njazi Islamit, Shyqëri Këllezit, Isuf e Hamit e Keçit, etj.

PLENUMI V I KOMITETIT QENDROR TË PPSH

Tiranë, 20-22 shkurt dhe 6 mars 1950

KOMUNIKATË E PLENUMIT TË KOMITETIT QENDROR TE PPSH

Në mbledhjen e tij më datë 20-22 shkurt dhe 6 mars 1950, Komiteti Qendror vendosi përjashtimin nga radhët e tija të anëtarëve të Komitetit Qendror, Abedin Shehu, të Niazi Islamit, i cili u përjashtua edhe nga Partia dhe të kandidatit të Komitetit Qendror, Shyqri Këllezi, për aktivitet antiparti dhe trockist në dëm të interesave të Partisë, të popullit dhe të Republikës Popullore. Gjithashtu vendosi edhe përjashtimin e Nexhip Vinçanit nga radhët e Komitetit Qendror për gabime dhe faje të rënda në funksionet e tij shtetërore dhe të Partisë.

PLENUMI I KOMITETIT QENDROR TË PPSH

REZOLUCION I PLENUMIT’ TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH MBI AKTIVITETIN GRUPAZH TË GRUPIT ANTIPARTI TE KRYESUAR NGA ABEDIN SHEHU, NIAZI ISLAMI DHE SHYQRI KELLEZI

6 mars 1950

TAKTIKA E GRUPIT

Këta shokë përfituan nga eksperienca dhe nga metodat e grupit trockist për të zhvilluar punën e tyre prej grupazhi. Ata synonin:

Të thyhej centralizmi demokratik, të thyhej konspiracioni e disiplina e Partisë dhe e shtetit, të shuhej vigjilenca, të shkeleshin rregullat dhe parimet organizative të Partisë dhe të shtetit, të shuhej kritika dhe autokritika si armë të fuqishme të zhvillimit të Partisë dhe të shoqërisë sonë, për të degjeneruar Partinë dhe Republikën tonë.
Të ngjallej mosbesimi në punën e planit dhe të zhvillohej disfatizmi, çorganizimi, mosbindja, arbitrariteti dhe in disiplinimi. Të goditej ekonomia e vendit tonë, të dobësohej kjo si bazë e pushtetit popullor dhe të vështirësohej gjendja e brendshme e vendit…
Të minonin udhëheqjen e Partisë dhe të shtetit duke minuar më parë pozitat e shokëve udhëheqës të Partisë dhe të shtetit që ata kujtonin se mund të goditeshin më lehtë ose duke i provokuar ose duke u përpjekur për t’i komprometuar.
Të përfitonin nga çdo situatë për të forcuar dhe zgjeruar pozitat e tyre në pritje që të ndodhnin evenimente të tjera dhe situata të vështira për Partinë, që të mund të realizonin qëllimet e tyre. Edhe pas zbulimit të aktivitetit të grupit, të lartpërmendurit mbajtën një qëndrim trockist dhe përdorën po atë taktikë që përdori grupi trockist i Koçi Xoxes. E para, ata i prenë mbledhjet e përbashkëta duke mbajtur takime individuale sipas rastit. E dyta, të frikësuar, ata, për sy e faqe, u de solidarizuan me pjesëtarët e grupit që ishin më të komprometuar dhe më në sy kundrejt Partisë duke u bërë atyre deri diku edhe një farë kritike që nuk ngrinte peshë në krahasim me fajet që kishin. E treta, pranuan se kanë bërë bisedime kurdoherë me njëri-tjetrin, por pretenduan se këto bisedime me ata që ishin më shumë të komprometuar kanë qenë «në formë të përgjithshme» dhe «jokorrekte». Duke e ditur mirë se nuk janë të dënueshme dhe as të ndaluara nga Partia mbledhjet dhe bisedimet shoqërore të shëndosha, bisedimet ndërmjet anëtarëve të qeverisë për çështje qeveritare dhe bisedimet ndërmjet anëtarëve të Komitetit Qendror për çështje partie dhe pushteti, ata u përpoqën që t’i paraqitnin këto në fillim si “mbledhje të thjeshta shoqërore” dhe si bisedime “ndërmjet ministrash” ose “anëtarësh të Plenumit të Komitetit Qendror”. Por ndërkohë ata linin në heshtje çështjen kryesore:
bisedimet e tyre me shokë që nuk ishin anëtarë të Komitetit Qendror dhe anëtarë të qeverisë,
për probleme që nuk u përkitnin atyre, dhe
bisedimet që zhvilloheshin në kundërshtim me vijën e Partisë dhe të shtetit dhe në frymë anti marksiste-leniniste, antisocialiste, antipopullore. E katërta, fshihnin gjërat komprometuese dhe të rrezikshme dhe, kur kishin mundësi, binin dakord për qëndrimin që duhej të mbanin për çështje të caktuara, me qëllim që të fshihnin çka të ishte e mundur, të mbronin kë të ishte e mundur dhe të digjnin vetëm ata që nuk ishte oportune të mbroheshin më. E pesta, pohuan vetëm kur u gjendën përpara fakteve dhe vetëm aq sa kishte mundur të zbulonte Komiteti Qendror. E gjashta, herë pas here kur ata gjendeshin përpara fakteve premtonin, në të njëjtën mënyrë si trockisti Koçi Xoxe dhe shokët e tij, se do të bënin radhën tjetër autokritikë, pa arritur ta bëjnë këtë autokritikë as edhe përpara Komitetit Qendror.
Ky grup antiparti punonte për dobësimin e Partisë, të shtetit, të ekonomisë së vendit tonë, për forcimin e pozitave të tija në Parti dhe në shtet. Minonte pozitat e udhëheqjes së Partisë dhe priste, si dhe herë të tjera, një moment të përshtatshëm për qëllimet e tij antiparti, priste «kur të pëlciste në Parti». Këta shokë që kurrë nuk kanë qenë persekutuar siç kanë pretenduar, që nuk janë keqpërdorur kurrë, që Partia u dha dorën në Kongresin I të saj duke i zgjedhur anëtarë të Plenumit të Komitetit Qendror dhe që u dha pozita të rëndësishme në qeveri, në ushtri dhe në organe të tjera të pushtetit, që u dha besim se do të punonin për të mirën e atdheut, të pushtetit popullor dhe të Republikës, e shpërdoruan pozitën e tyre dhe besimin e Partisë, të pushtetit popullor për qëllimet e tyre antiparti, antipopullore.

ANËTARET E GRUPIT ZHVILLONIN ME NDËRGJEGJE NJË PUNE GRUPAZHI E ANTIPARTI

Shokët e lartpërmendur zhvillonin me ndërgjegje një punë grupazhi dhe antiparti, prandaj punonin në mënyrë konspirative dhe nuk e vinin për asgjë në korrent Partinë dhe qeverinë. Ata e dinin se puna që bënin ishte në kundërshtim me vijën e Partisë, me rregullat e saja organizative, me disiplinën e saj, porse ata nuk hiqnin dorë nga kjo, pse e çmonin të nevojshme një veprimtari të tillë grupazhi për qëllimet e tyre antiparti. Ata pohuan se nuk do t’ja tregonin kurrë Partisë ekzistencën dhe punën e grupazhit pse ishin të ndërgjegjshëm për punën që bënin dhe, sikur mos ta kishte zbuluar Partia, grupi do të vazhdonte rrugën për realizimin e qëllimeve të tij antiparti. Kurdoherë që ka pasur nga ana e tyre shfaqje të një qëndrimi jokorrekt, dekonspirimi, shfaqje pikëpamjesh antisocialiste e antisovjetike, shfaqje in disiplinimi, thyerje vendimesh, urdhrash, pikëpamje të shtrembra vije, shenja çorganizimi në punë, mungesë vigjilence. Komiteti Qendror ua ka vënë në dukje këto dobësi dhe i ka këshilluar që t’i ndreqin, por ata, duke qenë të ndërgjegjshëm për punë grupazhi që zhvillonin prapa shpinës së Partisë, nuk kanë treguar asgjë Partisë, nuk kanë dashur të korrigjohen dhe kanë vazhduar në punën e tyre antiparti. Por Komiteti Qendror dhe Partia përpara shfaqjeve të tilla e shtonin dhe e m’prehnin vigjilencën. Shfaqje të tilla nuk mund të ishin të rastit dhe të shkëputura aq më tepër kur këto shfaqje jonormale në jetën e komunistëve dhe të Partisë, përsëriteshin nga i njëjti person ose kishin analogji me shfaqje të pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi. Me një shtim më të madh të vigjilencës u arrit të zbulohet ky grup antiparti. Qëndrimi armiqësor i të lartpërmendurve pas zbulimit të grupit tregon edhe një herë se sa të ndërgjegjshëm ishin në këtë punë antiparti. Byroja Politike i pyeti me anën e të deleguarve të saj, i thirri përpara Byrosë, u paraqitën në mbledhjen e Komitetit Qendror ku u shtrua puna dhe aktiviteti i këtij grupi antiparti. Ata në çdo përgjigje të pyetjeve që u bëheshin dhe në autokritikën e tyre janë përpjekur të fshehin punën e qëllimin e tyre, të ruajnë «shokët e grupit» duke mos përfillur aspak interesat e Partisë dhe të shtetit. Duke qenë të ndërgjegjshëm në punën e tyre prej grupazhi, ata kanë pranuar fakte të pakundërshtueshme që u ka vënë përpara Komiteti Qendror, pa bërë nga ana e tyre autokritikë të hapur e të plotë dhe pa ndihmuar Partinë. Duke qenë të ndërgjegjshëm në punën e tyre antiparti, në kundërshtim me porositë e Byrosë Politike që t’i shkëputnin menjëherë lidhjet e grupit, ata kanë vazhduar t’i mbajnë këto lidhje dhe të organizojnë mbrojtjen. Me gjithë ndihmën e madhe që ju dha këtyre shokëve nga të deleguarit e Byrosë Politike, nga Byroja Politike dhe nga Komiteti Qendror, ata me ndërgjegje vazhduan të mbeten në pozita armiqësore kundrejt Partisë.

Komiteti Qendror, me qëllim që t’i ndihmojë këta shokë, t’i shpëtojë, t’i nxjerrë nga pozitat armiqësore kundrejt Partisë në të cilat kanë rënë, t’l bëjë që të punojnë për të mirën e Partisë dhe të popullit, i këshillon që të thellohen mirë mbi fajet e tyre, t’i analizojnë shkaqet e thella që i çuan në këtë rrugë, të nxjerrin konkluzione dhe të zbulojnë të gjithë punën e tyre prej grupazhi, se vetëm kështu do të kenë shpresë të shërohen dhe do të mundin të kthehen drejt rrugës së Partisë për të mirën e Partisë e të popullit dhe për të mirën e tyre. Ndryshe nuk do të jenë të denjë të jenë anëtarë partie. Plenumi i Komitetit Qendror u vë në dukje shokëve, që kanë rënë në këtë llum, të dalin nga pozitat armiqësore që janë sot, pse ato janë të rrezikshme dhe do t’i futin më thellë në rrugën e tradhtisë në qoftë se nuk kthehen me vendosmëri në rrugën e Partisë. Autokritika e shëndoshë, e hapur, pa hezitime dhe e guximshme, është i vetmi mjet i komunistëve që gabonin për të filluar kthesën drejt rrugës së Partisë. Që të mundin ta bëjnë këtë, shokët e lartpërmendur duhet të krijojnë besimin e fortë dhe të shëndoshë te Partia, të ndjejnë dashurinë e saj. Kjo, nga ana tjetër, do t’i ruajë nga provokacionet e nga rreziqet që patjetër do të gjejnë në rrugën e tyre. P.sh te gabim i madh të mendohet se nuk është oportune ose se është turp të bëhet një. analizë e thellë e gabimeve dhe e fajeve dhe një autokritikë e plotë sot për arsye se nuk u bë dje. Kështu mund të mendojnë dhe të arsyetojnë vetëm mikroborgjezët.

KONKLUZIONE

Plenumi i Komitetit Qendror konkludon se Partia jonë e ngritur mbi principet marksiste-leniniste, e udhëhequr nga mësimet e Leninit dhe të Stalinit, duke ndjekur shembullin dhe eksperiencën e Partisë Bolshevike, është dhe do të jetë si shkëmb graniti ku kanë thyer dhe do të thyejnë kokën armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm dhe elementi grupash e fraksionist. Ajo ka një eksperiencë të madhe në luftë me armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Ajo i ka dërmuar gjithmonë këta, ka dalë triumfuese dhe ka forcuar dhe çelikosur përherë e më shumë radhët e saja, unitetin e saj, rolin e saj si udhëheqëse pararojë. Klika trockiste e Beogradit, bashkëpunëtore e imperializmit, është armike e Bashkimit Sovjetik, e Republikës sonë Popullore dhe e Partisë sonë. Kjo klikë ka punuar dhe do të punojë kundër Republikës sonë Popullore, Partisë dhe popullit tonë. Ajo përpiqet të inkurajojë, të grumbullojë, të organizojë, brenda dhe jashtë Partisë elementin antiparti, armiqtë e klasës dhe çdo mbeturinë të reaksionit në vendin tonë kundër Partisë sonë dhe pushtetit popullor. Përveç kësaj, kjo klikë grumbullon dhe organizon armiqtë e popullit dhe tradhtarët e vendit tonë në tokën e saj dhe hedh spiunë, provokatorë dhe diversantë brenda kufijve të vendit tonë. Të gjitha këto i bën për një qëllim të vetëm: të pengojë ndërtimin e socializmit në vendin tonë, ta shkëputë vendin tonë nga Bashkimi Sovjetik dhe ta futë në prehrin e imperializmit. Në veprimtarinë e grupit, në të cilin bënin pjesë elementët kryesorë: Abedin Shehu, Niazi Islami, Shyqri Këllezi etj., ka pasur shenja që tregojnë se ka gisht në të edhe klika trockiste e Beogradit. Puna antiparti dhe antishtetërore e këtij grupi me format dhe me taktikën tipike të trockistëve, pohimi direkt i Niazi Islamit se ka bërë punë trockiste, frika e shfaqur prej tij se mos konsiderohej pro titist, mospranimi i sugjerimeve të këshilltarëve sovjetikë për organizimin më të mirë të punës dhe mospranimi dhe hedhja poshtë e eksperiencës sovjetike prej tyre, sabotimet në shkallë të gjerë dhe të hapët nga agjentët titistë sidomos në hekurudhë, mosmarrja e masave nga Niazi Islami për t’i dhënë fund këtij sabotimi, mbrojtja që u bënte ai sabotatorëve dhe inkurajimi i tyre me lavdërime e dekorime, vetëvrasja e Niazi Islamit më 25 shkurt, pa i dhënë llogari Partisë për të gjitha fajet e tij dhe të grupit dhe pa zbuluar të gjithë aktivitetin armiqësor, vërtetojnë këtë aktivitet antiparti dhe antishtetëror të këtij grupi. Zbulimi i këtij grupi është një sukses tjetër i rëndësishëm në rrugën e forcimit të unitetit të Partisë, të udhëheqjes dhe të forcimit të radhëve të Partisë, në mobilizimin revolucionar të Partisë dhe të masave punonjëse për realizimin e vijës së Partisë, për forcimin e marrëdhënieve tona e të miqësisë me BS, të dashurisë për popujt e Bashkimit Sovjetik, për Partinë Bolshevike dhe Stalinin e madh dhe për forcimin e lidhjeve tona me popujt e çliruar të demokracisë popullore që qëndrojnë të bashkuar rreth Bashkimit të lavdishëm Sovjetik. Por për t’u bërë plotësisht kështu duhet:

Të zhvillohet gjithnjë më e fuqishme lufta kundër klikës trockiste të Titos që është bashkëpunëtore e reaksionit imperialist dhe armike e Bashkimit Sovjetik, e demokracive popullore, e socializmit dhe e partive komuniste dhe punëtore. Të intensifikohet lufta në shkallë më të gjerë kundër aktivitetit të tyre dhe ideologjisë së tyre trockiste e pseudosocialiste. Të intensifikohet puna për demaskimin e gjithanshëm të tyre. Të vigjilohet dhe të goditet çdo shfaqje e pikëpamjeve dhe e veprimtarisë trockiste në Parti dhe jashtë Partisë. Partia të jetë vazhdimisht e mobilizuar kundër çdo shfaqjeje dhe veprimtarie armiqësore të kësaj klike.
Të zhvillohet edhe më shumë kritika dhe autokritika e shëndoshë bolshevike dhe të forcohet demokracia e brendshme në Parti. Të rritet kombativiteti në organizatat e Partisë për pastërtinë e radhëve të Partisë, për pastërtinë e vijës së saj, për edukimin komunist të shokëve. Të çmohet kritika dhe autokritika si i vetmi ligj i zhvillimit të Partisë dhe të Republikës sonë, pa të cilin rrezikohet ekzistenca e Partisë dhe ndërtimi i socializmit në vendin tonë. Atje ku nuk përdoret kritika dhe autokritika e shëndoshë bolshevike, zënë vend miqësitë e sëmura, rezervat, paragjykimet, mëritë personale, hatëret e mbetura, dizarmonia që çojnë dalëngadalë dhe në mënyrë sistematike në rrugë antiparti dhe në shkatërrimin e organizatës së Partisë. Atje ku nuk zhvillohet kritika dhe autokritika nuk mund të spastrohen shokët nga të metat dhe nga mbeturinat mikroborgjeze që sillen në Parti, nuk mund të ruhen ata nga presioni i borgjezisë, nuk mund të ndihmohen njerëzit të përmirësohen dhe të përmirësojnë edhe punën e tyre. Partia duhet ta bëjë kritikën dhe autokritikën gjithnjë e më shumë një armë të fuqishme për veten e saj, për organet e pushtetit dhe për masat e popullit.
Të zhvillohet vigjilenca revolucionare që është e domosdoshme për ruajtjen e Partisë nga armiqtë që futen në të kontrabandë dhe për spastrimin e saj, që është e domosdoshme për të parë dobësitë, të metat dhe lëshimet në punën e Partisë dhe të pushtetit, për të dalluar shkaqet dhe arsyet e tyre të thella dhe për të marrë masat me kohë. Të mbahet parasysh se armiku synon të futet në Parti dhe kur është brenda synon drejt udhëheqjes. Këtë na e tregon eksperienca e Partisë Bolshevike dhe eksperienca e Partisë sonë. Ai synon të dobësojë Partinë në çdo mënyrë dhe përpjekjet e tija bëhen aq më të mëdha dhe metodat aq më të stërholluara, sa më tepër armiku dobësohet dhe goditet. Prandaj edhe më me forcë shtrohet përpara Partisë detyra që të zhvillojë vazhdimisht vigjilencën revolucionare dhe ta zhvillojë këtë vigjilencë edhe në masat punonjëse të vendit tonë, në të gjithë patriotët që të ruhet pushteti ynë nga armiqtë dhe të sigurohet mbrojtja e vendit tonë nga ana e vetë masave.
Të forcohet disiplina e ndërgjegjshme dhe e çelniktë në Parti. Të ruhet dhe të mbrohet principi i centralizmit demokratik dhe rregullat organizative të Partisë kundër të cilave zhvillojnë luftën të gjithë armiqtë e Partisë. Respektimi dhe zbatimi me përpikmërinë më të madhe i rregullave të Statutit është detyra e parë dhe kryesore e çdo anëtari të Partisë.
Të intensifikohen përpjekjet nga ana e forumeve dhe nga anëtarët e Partisë për ngritjen ideo-politike të anëtarëve të Partisë. T’i jepet rëndësi më e madhe ndjekjes së kurseve të Partisë dhe të gjitha formave të tjera të edukimit, si shkollave politike, rretheve të studimit, studimit individual, leximit të shtypit, leximeve kolektive, luftës kundër analfabetizmit në radhët e Partisë, që anëtarët e Partisë të armatosen me armën e fuqishme të teorisë marksiste-leniniste për të qenë luftëtarë të denjë të pararojës.
Të shtohen përpjekjet për realizimin e planit ekonomik të shtetit dhe lufta kundër neglizhencave, lëshimeve, pakujdesive, çorganizimit, demobilizimit, disfatizmit në realizimin e planit. Armiku e di se me realizimin e planeve është e lidhur mirëqenia e popullit tonë, prandaj ai i drejton goditjet e tija kundër planit ekonomik të shtetit. Të luftohet me ashpërsinë më të madhe kundër çdo shpërdorimi dhe kundër çdo sabotimi të planit ekonomik të shtetit.
Të punohet pa pushim dhe gjithnjë e më shumë për forcimin e lidhjeve të miqësisë dhe të dashurisë me Bashkimin Sovjetik që është ndihmësi dhe mbrojtësi i vendit dhe i popullit tonë, që është mbështetja e madhe e mbrojtjes së pavarësisë së vendit tonë dhe të ndërtimit të socializmit në vendin tonë. Të shtohet gjithnjë e më shumë dashuria dhe mirënjohja ndaj Partisë Bolshevike dhe Stalinit të madh, udhëheqës i gjithë njerëzimit përparimtar dhe mbrojtës i paqes, i demokracisë dhe i socializmit. Të forcohen dhe të shtrëngohen gjithnjë e më shumë radhët e popullit tonë me ato të popujve të vendeve të demokracisë popullore përreth Bashkimit Sovjetik dhe me gjithë forcat përparimtare të botës, në lëvizjen e madhe të partizanëve të paqes që udhëhiqet nga Stalini i madh.
Në dritën e eksperiencës së zbulimit të aktivitetit të grupit antiparti, organizatat e Partisë të analizojnë punën e tyre, të godasin dhe të ndreqin gabimet, të metat dhe lëshimet.
Duke marrë parasysh sa u thanë më lart, Plenumi i Komitetit Qendror, Vendosi:

Të përjashtohen nga radhët e Komitetit Qendror anëtarët e Komitetit Qendror, Abedin Shehu, Niazi Islami dhe kandidati i KQ Shyqri Këllezi, të cilët në kundërshtim me rregullat më elementare të Partisë kanë zhvilluar një aktivitet grupazhi antiparti me të cilin kanë dëmtuar Partinë, nuk kanë ruajtur vijën e Partisë dhe interesat e saj dhe kanë punuar në kundërshtim me vijën e Partisë, nuk kanë bërë autokritikë përpara Komitetit Qendror. Duke marrë parasysh se pas përjashtimit nga Komiteti Qendror Niazi Islami vrau veten, akt ky që është në vetë vete i dënueshëm nga Partia, duke marrë parasysh që Niazi Islami i ka fshehur Partisë aktivitetin e tij armiqësor, duke marrë parasysh se vetëvrasja e tij është një tjetër akt armiqësor kundrejt Partisë për të mbuluar tradhtinë që i ka bërë Partisë dhe shtetit, Komiteti Qendror vendosi përjashtimin e tij nga Partia pas vdekjes.
Komiteti Qendror përjashtoi nga radhët e Partisë, Hamit Keçin dhe Isuf Keçin dhe aprovoi arrestimin e tyre për faje kundër popullit dhe shtetit.
Të mblidhen aktivet e Partisë për të punuar këtë rezolucion dhe mbas aktiveve rezolucioni të punohet në të gjitha organizatat bazë të Partisë.
Të shërbejë punimi i këtij rezolucioni si një armë e fuqishme për forcimin e Partisë, të unitetit të saj, të rregullave organizative të Partisë dhe të vigjilencës revolucionare. Të shërbejë punimi i këtij rezolucioni për realizimin e planit ekonomik të shtetit dhe për një zhvillim të madh të kritikës dhe të autokritikës në mënyrë që elementët, që eventualisht mund të kenë rezerva, që mund të kenë gabuar dhe që janë ndrojtur të flasin hapur, që janë gjendur padashur të komprometuar nga metodat e ndryshme që përdor armiku i klasës, të flasin hapur, pa frikë e pa hezitime, për veten e tyre dhe për të tjerët. Partia këtyre do t’u japë dorën, do t’i ndihmojë të dalin nga pozitat që janë të rrezikshme për Partinë dhe për veten e tyre, të dalin nga ato pozita që i bëjnë ata të jenë gjithnjë preja e armikut. Vetëm në këtë mënyrë këta elementë do të ringjallen dhe do të ecin kryelartë, me zemër të pastër prej revolucionari, në rrugën e Partisë./Memorie.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës e gjen veten përballë kërkesave të qytetarëve…