Historia jonë duhet të përmirësohet aty ku është shtrembëruar

15 mars 2018 | 13:15

Intervistë me studiuesen dhe poeten Sabile Keçmezi-Basha

“Libri shqip duhet përkthyer në gjuhë të huaja, që të bëhet më e kapshme për ta konsumuar të tjerët. Tani për tani historia e përkthyer na mungon, andaj edhe është krejt e natyrshme që mos ta dijë bota të vërtetën për shqiptarët. Në këtë drejtim duhet të jemi më të angazhuar dhe duhet depërtuar historia e shqiptarëve në të gjitha bibliotekat e rëndësishme në botë”, kështu ka thënë, në një intervistë për “Epokën e re”, prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

Intervistoi: Ajete Zogaj

Znj. Keçmezi-Basha, mund të na përshkruani rrugëtimin tuaj të shkollimit?
Keçmezi-Basha: Koha kur nisa të studioja ishte e vështirë për shumë arsye. Po përmend më të zakonshmet. Nga fshati im i lindjes ende nuk kishte asnjë femër që kishte vazhduar shkollimin e mesëm, e mos të flasim të ishte ndonjë në fakultet. Isha femra e parë nga fshati që vazhdova mësimin në shkollë të mesme, pastaj isha femra e parë që mbarova Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd. Po ashtu, isha femra më e re që kisha doktoruar në Kosovë. Ishte viti 1972, kur bota ziente, e mos të flasim për Kosovën që ishte koloni e Serbisë. Por, dëshira e madhe, në të vërtetë e babait tim për t’i vazhduar studimet për shkenca politike, ishte një ëndërr që e tij që duhej ta bëja realitet. Për babin tim (që kishte qenë veprimtar i NDSh-së në Anamoravë, pastaj dy herë i burgosur politik, pastaj edhe vdekja e tij edhe sot është enigmatike), shkollimi dhe angazhimi i femrës në rrjedhat shoqërore, politike e shkencore ishte i domosdoshëm dhe imperativ i kohës. Babai gjithmonë më fliste se fëmijët në këtë botë nuk vijnë vetëm për vete, por kanë edhe një mision edhe më të rëndësishëm që duhet dashur, punuar e mbrojtur atdheun. Në kohën kur unë regjistrova Fakultetin e Shkencave Politike, thënë të drejtën, shumë pak njerëz dinin se çfarë është ky fakultet. Por babai kishte këmbëngul që unë duhet të shkoja atje dhe ta përfundoja, ngaqë në Prishtinë mungonte një i tillë. Dhe mendonte se Kosova ka nevojë për kuadër të tillë. Në këtë rast nuk dua të flas për peripecitë e rrugës së shkollimit, ngaqë kanë qenë të shumta. Shkoja në një vend që s’e njihja, gjuhën e të cilit s’e flisja aspak. Profesorëve në Beograd u dukej qesharake që një shqiptare kishte ardhur aty të studionte për shkenca politike. Më thoshin se “kur nuk keni as republikë e as shtet tuaj, më mirë është të studioni për mjekësi apo juridik, se Kosmeti ka nevojë për kuadro të tilla, por ka edhe për politikë, sepse ka kriminalitet edhe atje”. Dhe çfarë ndodhi, fjalët e profesorit më shtynë që punën e nisur ta përfundoja sa më parë dhe të kthehesha nga kisha ardhur. Puna gati-gati e pa pushim, ndikoi që pas katër vjetësh të kthehesha me diplomë dhe të punësohesha në Institutin e Historisë, në të cilin punoj edhe sot.

Në rrethanat dhe kohën kur ju u shkolluat, shkollimi i femrës ishte shumë i vështirë.
Keçmezi-Basha: Po, por më vonë numri i tyre u shtua dhe shkollimi i saj në Komunën e Dardanës (Kamenicës) shihej si domosdoshmëri. U shtua numri i atyre që vijuan fakultetet në Prishtinë e gjetkë. Motivimi kryesor u arrit kur unë përfundova studimet dhe fillova punën. Në atëkohë u prek suksesi. Më shkollimi i femrave nuk ishte tabu, por një gjë që të bënte të barabartë me të tjerët. Nuk dua të them me meshkujt, ngaqë në anën time në veçanti e tek shqiptarët në përgjithësi është respektuar gruaja. Andaj unë si zakonisht e kam ndier veten me fat, se si nga babai, por edhe nga rrethi, kam qenë e barabartë me të tjerët e, herë-herë, kam qenë edhe e privilegjuar. Dhe sigurisht, kjo ka ndikuar tek gjeneratat e reja për të ecur shtigjeve që i thonë shkollim.

Kush ju motivon të shkruani?
Keçmezi-Basha: Deri më tani kam shkruar dhe kam në dorëshkrim mbi 35 monografi shkencore, pa përmendur prozën e poezinë që i kam pasion. Unë jam këshilltare shkencore në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë. Instituti merret me hulumtimin dhe shkrimin e historisë së popullit shqiptar. Andaj, duke parë dhe përjetuar të kaluarën tonë të bujshme e të dhembshme historike, vetvetiu të imponohet të hulumtosh e ta shkruash atë. Shtrohet pyetja, si do të dëshmonim ne për padrejtësitë e shumta historike po qe se nuk do t’i paraqesim argumentet shkencore. Ka kaluar koha kur ne e mësonim historinë si përrallë. Kur isha e vogël, gjyshja më tregonte kur kanë hyrë bullgarët në anën tonë, ose kur i kanë marrë burrat në mes të natës në hetuesi në kohën e Rankoviqit, për armën që nuk e kanë pasur. Dhe ka ndodhur shpesh që ata ose nuk janë kthyer fare, ose i kanë sjellë të alivanosur në shtëpi të gjymtuar. Dhe, si fëmijë, e dëgjoja dhe mendoja çfarë përralle e tmerrshme. Por, më vonë, kur hyra në arkiva të ndryshëm, gjeta dëshmi edhe më të tmerrshme sesa që më tregonte gjyshja. Me një fjalë, duhet zbuluar, nxjerrë nga pluhuri dhe duhet dëshmuar se ato janë aty, me vulë, me nënshkrime, me emra njerëzish e çka jo tjetër. Materialet janë aty, vetëm duhet hulumtuar, sistemuar, botuar. Dhe, çfarë është më e rëndësishmja, libri shqip duhet përkthyer në gjuhë të huaja, që të bëhet më e kapshme për ta konsumuar të tjerët. Tani për tani historia e përkthyer na mungon, andaj edhe është krejt e natyrshme që mos ta dijë bota të vërtetën për shqiptarët. Në këtë drejtim duhet të jemi më të angazhuar dhe duhet depërtuar historia e shqiptarëve në të gjitha bibliotekat e rëndësishme në botë. Ta zëmë, libri “Të burgosurit politikë shqiptarë (1945-1990), nuk është thjesht një libër. Është një histori e tmerrit e dhunës nga okupuesi. Të burgosurit politikë shqiptarë nuk janë vetëm numra (statistikë). Ata kanë emër e mbiemër. Kanë datëlindje e vendbanim. Kanë vitin e dënimit, nenin pse dënohej dhe vitin marramendës të burgut. Kanë dosjet, kanë emrin e organizatës ilegale, kanë programin e tyre politik dhe, krejt në fund, kanë aktgjykimin e vulosur nga ana e gjykatësit. Kishte me qenë paradoksale diku tjetër, por në Kosovë ka qenë krejt normale që nga viti 1945 e gjerë më 1990, shqiptarëve të dënuar politikë t’u shqiptohen 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj burg. Dhe nuk gjendet mundësia që ky libër të botohej në gjuhën angleze dhe të shpërndahet në tërë botën me ndikim. Ne shkencëtaret këtë punë bëjmë, ama duhet bërë mirë dhe me përkushtim se, përndryshe, do të na hakmerret historia. Duhet shtuar edhe këtë se unë merrem me histori bashkëkohore, kryesisht me lëvizjen ilegale, andaj edhe librat e mi kanë këtë përmbajtje. Historia e Kosovës, sa iu përket organizatave ilegale, nuk është mjaft e hulumtuar. Është një periudhë historike shumë e rëndë dhe shumë e vështirë për t’u shkruar, ngaqë është një kohë mjaft e afërt dhe pjesëmarrësit e këtyre ngjarjeve janë ende gjallë (si ta marrësh këtë kohë), është mirë ngase mund t’i përdorim si subjekte dëshmuese historike) por mund të jetë edhe e dëmshme ngase çdo periudhë ka dritë-hijet e veta dhe është domosdoshmëri të shkruash për ngjarjet, por si të mos përmendim edhe emrat e disa personave që kanë qenë të implikuar në pushtet, ngaqë ata kanë familjarët e tyre të gjallë dhe nuk kisha dashur asnjëherë me dashje t’i lëndoj.

Keni bërë shumë hulumtime në arkiva, me theks të veçantë për Lëvizjen Ilegale në Kosovë. Çfarë mund të na thoni për të?
Keçmezi-Basha: Shtypi i organizatave ilegale është botuar ilegalisht dhe është shpërndarë ilegalisht, andaj rrallë, për mos të thënë fare, nuk ndodhet në arkiva apo në biblioteka. Të gjitha shkrimet që i kam bërë për shtypin, kryesisht i kam huazuar nga individët, të burgosurit politikë, që i kanë ruajtur nëpër thasë të plastikës të futura nën dhe apo në bunarë siç ishte rasti i Rexhep Malës, që shumë vonë janë zbuluar. Pastaj tek-tuk i kam gjetur në dosjet e të burgosurve politikë kur, me rastin e arrestimit, i kanë zbuluar në shtëpitë e tyre që në procesin gjyqësor janë përdorur si dëshmi për veprimtarinë e tyre ilegale. Ndërsa shtypi i mërgatës, atje ku është botuar, në shtete të Perëndimit, ka qenë legal, por me shumë vështirësi është futur brenda, por për ta hulumtuar ka qenë pakëz më i lehtë, ngaqë organizatat kanë pasur edhe arkivat e tyre dhe njerëzit qëllimmirë, m’i kanë huazuar dhe nga kjo punë, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kam hapur një ekspozitë me kopertinat e shtypit ilegal, që është botuar në Kosovë, por edhe në mërgatë. Tani jam në përfundim të librit për gazetën “Besa”, për gazetën e shqiptarëve që është botuar në Stamboll, por dhe për disa të tjera jam duke i grumbulluar materialet e nevojshme.

Veprimtaria atdhetare e mërgatës shqiptare po rritej dita-ditës

Si e shihni rolin e mërgatës dhe të shtypit të saj karshi Kosovës dhe zhvillimeve historike?
Keçmezi-Basha: Në vazhdën e shumë gazetave dhe publicistikës ilegale, që botoheshin në Kosovë, vend të rëndësishëm zë edhe shtypi i mërgatës që botohej nga mërgata shqiptare. Mirëpo, para se të shkruaj për shtypin e ilegales në mërgatë, do të ndalesha vetëm pak sa për të bërë një informim të shkurtër për zhvillimin dhe ecurinë e saj. Në shtetet evropiane, por edhe në tërë globin, kudo që ishin dhe jetonin shqiptarët, temë kryesore, çështje mbi çështjet, ishte dhe ngeli Kosova dhe viset e tjera shqiptare që kishin mbetur nën okupimin serb e jugosllav. Duke e parë se dhuna e terrori ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi dita-ditës po përshkallëzoheshin, shqiptarët që ndodheshin jashtë vendit kishin bërë organizime të ndryshme ilegale, vetëm për ta ndihmuar dhe për ta sensibilizuar opinionin ndërkombëtar për gjendjen e padurueshme nën okupim në të cilën ndodheshin Kosova dhe tokat e tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi. Pas vitit 1945 në botën perëndimore po vazhdonte tradita patriotike e mërgatës shqiptare, sikurse ishte vepruar edhe më herët, siç kishin vepruar shoqëritë shqiptare të Stambollit, të Bukureshtit, të Sofjes, të Selanikut e shumë të tjera. Veprimtarinë atdhetare të mërgatës shqiptare, sipas ecurive të saj pas Luftës së Dytë Botërore (1945), e kam ndarë në dy etapa. Etapa e parë fillon që nga viti 1945, për të përfunduar më 1966 (me Plenumin e Brioneve). Kjo periudhë karakterizohet me një organizim më të madh. Në krye të saj ndodheshin intelektualë të shumtë, të cilët kishin ikur e kishin emigruar menjëherë pas LDB-së, duke mos qenë të kënaqur me sistemin e ri komunist në Shqipëri, por në këtë grupim bëjnë pjesë edhe atdhetarët e tjerë, që ishin të zhgënjyer e të dëshpëruar me padrejtësitë e tradhtitë që iu bënë Kosovës, me aneksimin e saj nga Serbia e ish-Jugosllavia. Anëtarët e këtyre grupimeve të mërguarve, edhe pas largimit nga vendi, përsëri kishin vazhduar veprimtarinë e tyre atdhetare, duke formuar organizata të njëjta në mërgim, sikurse ato që kishin vepruar në atdhe, si: “Lëvizja e Legalitetit”, “Balli Kombëtar”, “Partia Agrare”, “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, “Besëlidhja Kombëtare Shqiptare” etj. Ndërkaq, etapa e dytë e mërgatës kap periudhën 1966-1999, në të cilën janë përfshirë organizatat politike të mërgimtarëve shqiptarë, që kryesisht kishin shkuar për të punuar, rëndom si punëtorë të zakonshëm, në shtetet perëndimore, po kishte edhe të tillë që, nga dhuna e terrori i paparë që ishte ushtruar ndaj tyre, kishin marrë botën në sy. Në fillim të viteve ’60 të shekullit XX, në këtë lloj mërgate mungonte organizimi i mirëfilltë politik. Mirëpo, me kalimin e viteve, numri i të ikurve shqiptarë nga ish-Jugosllavia u shtua dukshëm, ndërsa disa prej tyre ishin edhe anëtarë të organizatave ilegale që vepronin në Kosovë. Shpesh ndodhte që disa nga ta të merrnin hapa të mëtejshëm dhe formonin grupime të reja politike. Nga ky grupim duhet përmendur organizata ilegale “Fronti i Kuq”, të cilën e udhëhiqte me shumë sukses Ibrahim Kelmendi. Kjo organizatë gjatë tërë veprimtarisë luajti një rol të rëndësishëm për propagandimin dhe inicimin e shumë problemeve që kishin të bënin me Kosovën dhe rreth saj. Ajo jo vetëm se u angazhua për shpërndarjen e literaturës së marrë nga Kosova si dhe nga Shqipëria, por edhe vetë nxori gazetën “Bashkimi” në gjithsej pesë numra. Po ashtu, mori përsipër organizimin e shumë manifestimeve antijugosllave si dhe, në bashkëpunim me grupime të tjera ilegale, nëpër qytete të ndryshme organizoi demonstrata, greva, protesta dhe ligjërata të ndryshme antijugosllave. Në mërgatën shqiptare, me mjaft sukses vepronte edhe dega e OMLK-së, nën udhëheqjen e Hasan Malës dhe Kadri Abdullahut. Në ato vite vepronte edhe Grupi “Zëri i Kosovës”, nën udhëheqjen e Riza Salihut dhe Hysen Gegës. Më 1980, pas arrestimit të disa anëtarëve të grupit “Zëri i Kosovës”, merret edhe qëndrimi që ky grupim të bashkohet me grupin e Ibrahim Kelmendit “Fronti i Kuq” dhe nga këto dy grupime lind grupimi i ri, i cili pagëzohet me emrin “Fronti i Kuq Popullor”. Kthesën më të madhe në ilegalen shqiptare, që vepronte jashtë atdheut, e bëri dhe e pasuroi atë ikja e Jusuf Gërvallës dhe lidhja e tij me Ibrahim Kelmendin në mërgim. Puna e përbashkët e këtyre dy veprimtarëve shton dukshëm veprimtarinë patriotike jashtë vendit. Pas ardhjes së Kadri Zekës dukshëm aktivizohen dhe veprojnë në mënyrë më të organizuar organizatat ilegale, si OMLK-ja, LNÇVSHJ-ja, “Fronti i Kuq Popullor” e disa grupime dhe organizata më të vogla dhe më pak të njohura në vend. Krijimi i grupeve dhe i organizatave ilegale pas vitit 1981 u shtua me ikjen e shumë veprimtarëve të ilegales shqiptare, që vepronin në Kosovë, por edhe të tjerëve të cilët kishin mbajtur dënimin dhe ia kishin mësyrë kurbetit, ngaqë në Kosovë për ta ishte gjithçka nën vëzhgim. Ata u angazhuan me të madhe, duke qenë tani më të kujdesshëm dhe duke vepruar në një konspiracion edhe më të thellë. Vepronin në qarqe të mbyllura dhe të verifikuara mirë për çështje atdhetare. Organizata e cila luajti rolin e faktorit koheziv të mërgatës shqiptare, pa dyshim ishte “Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe e Viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi”, të cilën e udhëhiqte atdhetari i shquar Jusuf Gërvalla etj. Arsyeja që e shtyri mërgatën e grupimit të dytë për t’u marrë me aktivitetin dhe punën ilegale të shqiptarëve ishte po ajo e vitit 1945, ngase Kosova, pas Kuvendit të Prizrenit më 1945, u aneksua nga Serbia dhe Jugosllavia. Kjo ishte e natyrshme, ngaqë populli shqiptar kishte dalë në luftë dhe kishte luftuar kundër fashizmit, kur edhe i ishte premtuar se, pas kësaj, do të vendoste vetë për fatin e vet. Ishte normale që, pas aneksimit të trojeve etnike, popullata shqiptare të ishte e zhgënjyer dhe e pakënaqur. Faktor tjetër që ndikoi në largimin e shqiptarëve nga trojet e veta ishte presioni shtetëror që ushtrohej ndaj tyre si dhe faktorët politikë, ekonomikë, arsimorë, socialë dhe padrejtësitë e shumta që u bëheshin atyre. Papunësia e madhe që kishte goditur rininë, po kështu, ndikoi dukshëm në mërgimin e tyre jashtë atdheut. Më 1975-1978 largimi i rinisë për në Perëndim ishte shndërruar në dukuri. Ka të dhëna se më 1981 numri i shqiptarëve që punonin jashtë vendit kishte arritur një shifër alarmante prej 200 000 vetash. Faktorë të tjerë, që kishin ndikuar në organizimin e mërgatës, mund të llogariten edhe kontaktet e shumta me patriotë të ndryshëm, të cilët kishin ndikuar në formimin e organizatave ilegale në mërgatë. Kontaktet e shumta të emigracionit të Kosovës me patriotët e mëhershëm të viteve ’45-’48 të shekullit XX u kurorëzuan me formimin e organizatave të shumta atdhetare jashtë vendit. Si gjithkund në botë, edhe në shtetet evropiane, ilegalja shqiptare luajti një rol të madh dhe të rëndësishëm për përhapjen e së vërtetës dhe idesë çlirimtare. Gjatë veprimtarisë së saj, mërgimtarët tanë arritën të organizonin shumë demonstrata dhe demarshe para ambasadave jugosllave dhe në këtë mënyrë të ushtronin presion të vazhdueshëm lidhur me gjendjen e rëndë në Kosovë. Një punë të madhe për ndërkombëtarizimin e problemit të shqiptarëve nën Jugosllavi e bënte edhe emigracioni politik shqiptar me prejardhje nga Kosova, por edhe nga të gjitha viset nga kishin ikur shqiptarët, të cilët në vazhdimësi shtuan dhe sensibilizuan veprimtarinë patriotike drejt realizimit të kërkesave gjithëpopullore të shqiptarëve të Kosovës për liri, barazi dhe vetëvendosje.

Po sot, a po ia kthen borxhin Kosova mërgatës?
Keçmezi-Basha: Çdokush nga ne e di se sa e fuqishme ka qenë mërgata dhe sa aktive ka qenë për sensibilizimin e çështjes së pazgjidhur në kancelaritë botërore. Kuptohet se asnjëherë nuk është mjaft për të bërë për mërgatën në këtë rast, ama mos të harrojmë se për ndryshimet historike 10 vjet nuk paraqesin ndonjë kohë të madhe. Shpresoj shumë shpresoj se një ditë mërgata dhe veprimtarët e saj do ta zënë vendin e merituar në hierarkinë atdhetare.

Opusi juaj krijues përfshinë një gamë të gjerë librash: prozë, poezi, romane dhe dramë. Ku e ndieni veten më të realizuar, në fushën shkencore, apo atë letrare?
Keçmezi-Basha: Poezinë, romanin, dramën i kam pasion, andaj për të shkruar poezi nuk duhet të shkoj në arkiv, por ajo vjen befasishëm, me ndryshimin e gjendjes emocionale. Për mua është shumë e lehtë të më vijë muza për të shkruar ngaqë problematika me të cilën merrem, vetvetiu më ofron edhe ndjesinë për të shkruar diçka që i thonë varg poetik i kombinuar me historinë kombëtare. Shkenca e historisë dhe krijimtaria letrare tek unë bashkëjetojnë shkëlqyeshëm…

Sa është e vështirë të jeni bashkëshorte, nënë, studiuese, hulumtuese, krijuese…?
Keçmezi-Basha: Jo pak e vështirë, por tërë këto vite jam munduar ta balancoj dhe ta menaxhoj kohën për të mos i hyrë në hak asnjërës. Roli i nënës nuk pushon asnjëherë edhe kur je në zyrë, as kur je në shtëpi. Edhe roli i studiueses është i pakufizuar, nuk përfundon në zyrë, por as në mes të natës. Për poezinë fola më herët se ajo nuk ka kohë, vjen aty për aty dhe ikën edhe më shpejt. Si amësia, si shkenca, hulumtimi, krijimi të duan të tërën. Loja luhet gjithsesi me rregulla. Kjo është jeta e një nëne, e një shkencëtareje dhe e një krijueseje. Për çdo gjë nevojitet të jesh e kompletuar, edhe për Artën që edhe ajo tani e ka filluar këtë rrugë të “vështirë” të shkencës (Është prof. dr. e arkitekturës, tani bursiste e Fondacionit Fullbrajt në IMT, Boston, Masaquset, ShBA) dhe nënë e Agonit, doktorant i Arkitekturës në Universitetin e Vjenës. Veç kësaj, duhet të jem edhe nanushe e mirë e nipave të mi, Gertit, Darsit dhe Benit të vogël. Po ashtu, duhet të jem bashkëshorte e kolege e kujdesshme me Tefikun, me të cilin herë-herë zhvillojmë debate të pafundme shkencore, meqë edhe ai është profesor universitar.

Në vitin 2001-2004 ishit deputete e Kuvendit të Kosovës. Si e shihni rolin e femrës deputete, dhe a po i jepet sa duhet hapësirë femrës në jetën politike dhe institucionale?
Keçmezi-Basha: Shikuar nga kjo distancë kohore, do të thosha se ishim gra me fat apo edhe të privilegjuara që ishim deputetet e para të legjislacionit të parë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht. Atëherë Kosova porsa kishte dalë nga lufta dhe ishim gra entuziaste, me plot shpresa për një të ardhme më të lumtur. Ishim gra që sfidonim çdo gjë dhe ishim të gatshme të përballeshim me të gjitha sfidat që na dilnin para. Do të thosha, kohë tjetër ishte ajo, por sigurisht jo më e mirë se kjo e tanishmja. Kosova ecte me hapa të sigurt drejt pavarësisë së pritur, e ne ende përballeshim me situata ku shumëçka nuk ishte e sigurt dhe nuk ishte e mjaftueshme për të ecur vertikalisht. Para nesh qëndronte e madhe dashuria për shtetin e jo për pushtetin. Liria rrezatonte me uniformën e UÇK-së dhe çdo seancë parlamentare reflektonte besim dhe siguri tek populli i shumëvuajtur. Në duart tona kishim ëndrrën shekullore që ishte bërë binom me realitetin. I lumtur ishte populli, që lirinë e kishte fituar me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të kombit. Çështja e gruas, pa marrë parasysh se në ç’formë shtrohet, përbën një temë vazhdimisht aktuale në të gjitha kohët dhe në të gjitha shoqëritë. Sigurisht se nuk duhet hedhur poshtë në mënyrë arbitrare zhvillimet pozitive që patën gratë pas luftës së fundit që ndodhi në Kosovë. Dhe, pa hamendje do të thosha se këtë pozitë që ka sot, ishte lufta permanente që bënë ato si për barazi gjinore, njëherë edhe për pavarësi të Kosovës. Pjesëmarrja e saj në radhët e UÇK-së dëshmoi edhe një herë se ajo ishte e zonja të udhëheqë dhe të vendosë vetë për fatin e saj dhe të vendit. Andaj edhe fillimisht, 30% i propozuar nga OSBE-ja për pjesëmarrjen e gruas në zgjedhjet lokale dhe kombëtare, nuk ishte i rastësishëm. Por, mendoj se kjo përqindje kishte ngelur vetëm si numër po qe se ajo nuk do te angazhohej në organet e vendimmarrjes, atëherë edhe kjo përqindje do të ishte e kënaqshme, sepse përqindja do të ishte ashtu siç e ka dhënë natyra, 50 % = 50 %. Gruaja do të ngelë vetëm si dekor e jo si faktor atëherë, shtrohet pyetja se çfarë rëndësie do të kishte rritja e përqindjes. Por, nëse ajo angazhohet, vepron dhe jep maksimumin e vlerave të veta pozitive, atëherë arsyetohet edhe pjesëmarrja e saj dhe, në të ardhmen, pse jo, edhe të synohet një kuotë edhe më e madhe, ta zëmë, se edhe ashtu përbëjmë gjysmën e popullsisë, apo gjysmën e trurit kombëtar. Ne gratë jemi vërtet krijesa suptile, të ndjeshme, por ama me një krenari dhe qëndresë të paparë. Ne mund të bëjmë shumë edhe atëherë kur sfidat janë të mëdha. Ne mund t’i kalojmë ato edhe kur ato nuk kalohen dot. Gratë janë gurë themeltarë të kësaj shoqërie, se burrat trima lindin e rriten nga nënat trimëresha, thotë populli. Andaj sot, bëj apel, te të gjitha gratë, se e keqja mundet vetëm atëherë kur jemi unike dhe angazhohemi për të njëjtin qëllim.

Sipas jush, cili do të ishte parimi më i besueshëm për hartimin e një libri historik?
Keçmezi-Basha: Në përgjigjet e mëhershme biseduam për librin dhe të dhënat shkencore. Është mirë të shkruhet histori e mbështetur në fakte, përndryshe më vonë do të na hakmerret dhe do të na dënojë e kaluara jonë e lavdishme. Është mirë të shkruhen libra me kujtime nga të burgosurit politikë, nga ish-funksionarët në ish-Jugosllavi, të botohen libra me dokumente që ndodhen në arkiva private e individuale të njerëzve, të hulumtohen arkivat e vendeve që kanë vendosur për fatin tonë, se vetëm si e tillë historia jonë do të jetë e kompletuar shkencërisht. Ne nuk kemi nevojë ta zbukurojmë historinë, të krijojmë mite sepse për ne flet vetëm e vërteta shkencore.

A duhet të rishkruhet historia më e re e Kosovës? Nëse po, çfarë parimesh duhet të ndiçen?
Keçmezi-Basha: Kohët e fundit, në komunitetin shkencor, me të madhe po flitet e po përflitet, po debatohet e po shqyrtohet, se duhet të rishikohet dhe të rishkruhet historia jonë kombëtare. Në një mënyrë të heshtur nganjëherë fitohet përshtypja se tabori i historianëve është ndarë në dysh. Një grup mendon se veprat që janë shkruar nuk ka nevojë të rishkruhen dhe të riplotësohen me të dhëna të reja. Mendoj se tani nuk ka nevojë të zbresim shkallëve të shumta të historisë dhe të shohim se në çfarë kushtesh kemi punuar dhe në çfarë rrethanash kemi shkruar historinë tonë. Rishikimi i historisë është në natyrën e historiografisë, andaj mendoj se në logjikën e shkencës, në çdo kohë dhe në çdo periudhë është i lejueshëm dhe shumë i arsyetueshëm rishikimi i saj. Mendimi shkencor mendoj se ka edhe dialektikën e vet të zhvillimit, pikërisht në këtë mënyrë ai mendim thellohet dhe kapërcehet në kufizimet që, si rrjedhojë, kanë kushtet konkrete në periudha të caktuara historike dhe nga rrymat ideologjike që i përjetuam në kohë të ndryshme të historisë. Siç është e ditur, në rrugëtimet e gjata të historisë së hidhur populli shqiptar bëri shumë lufta, pati shumë personalitete, numër të panumërt organizimesh, pati shumë lëvizje e organizata të panumërta ilegale dhe vlen të cekim se gjatë historisë patëm edhe arritje, të cilat kishin vlera të larta e të mirëfillta jo vetëm për ne, por edhe për historinë e rajonit e më gjerë, me të cilën me plot të drejtë krenohet kombi shqiptar. Do ta përmendja figurën emblematike të heroit kombëtar – Skënderbeun, Nënën e Madhe – Terezë e shumë e shumë personalitete të tjera që nuk do të ndalesha tani t’i numëroja. Duhet pranuar se gjatë viteve 1945-1990 historia jonë është shkruar kryesisht bardhë e zi (me oscilime të vogla).
Tabori i dytë i historianëve mendojnë dhe thonë, me të drejtë, se historia jonë duhet të shkruhet dhe të rishkruhet, kuptohet vetëm aty ku është e shtrembëruar, të përmirësohet dhe të plotësohet me të dhëna të reja që i kemi me bollëk dhe kujdes të veçantë t’i kushtojmë historisë më të re të popullit shqiptar, që deri-diku është e pahulumtuar. Më se gjysmë shekulli historia e popullit shqiptar, në ish-Jugosllavi, herë-herë ishte e kualifikuar si veprimtari antishtetërore dhe herë-herë mbante shifrën e fshehtësisë shtetërore të shkallës më të lartë – si temë tabu. Në qarqet shtetërore dhe ndërkombëtare shteti ish-jugosllav kishte filluar një fushatë të paparë antihistorike dhe dezinformuese për popullin liridashës. Të gjithë historianët janë dëshmitarë (kuptohet, ata që kanë hulumtuar në arkivat e ndryshëm në Serbi), se si kanë qenë të censuruara dokumentet arkivore. Mbyllja apo seleksionimi që u bëhej dokumenteve arkivore dhe censura e hekurt që aplikohej në ish-Jugosllavi, kontrolli i plotë i shtypit, medies dhe mungesa e “rrjedhës” së informacionit, propaganda mbi “sukseset” e regjimit, kishin si qëllim ta pengonin të vërtetën për historinë dhe historiografinë shqiptare. Për qëllime propagandistike antishqiptare, pushtetarët dhe “shkencëtarët” serbë për një kohë shumë të shkurtër opinionit vendor dhe atij ndërkombëtar, gjatë viteve 1981-1989, i kishin servirur mbi 800 000 artikuj, deklarata, diskutime, fejtone, foto, intervista, karikatura, komente, reportazhe për shqiptarët, për jetën, luftën dhe bëmat e tyre. Nga kjo del e dhëna se shteti totalitar i Jugosllavisë, duke politizuar çdo qelizë të jetës shqiptare, nuk la pa prekur assesi as historiografinë. Ky politizim u shfaq në faktin se gjithë zhvillimin e proceseve historike e lidhte vetëm me faktorin serbo-sllav, me rolin e shtetit dhe luftën e tyre për çlirim. Në shkrimet dhe punimet e ndryshme, të gjitha ngjarjet dhe figurat shqiptare vlerësoheshin vetëm sipas kutit të historiografisë serbe. Për çdo sukses, përcaktues ishte roli i këtyre të fundit. Madje, për këto ishin të pakta ose të papërfillshme gabimet apo të metat, gjë që fliste për një trajtim të njëanshëm e jo objektiv të realitetit. Ky trajtim i njëanshëm i historisë linte në harresë ngjarje e figura të tjera të rëndësishme të historisë, që lidheshin me forca të tjera kombëtare e politike. Me këtë trajtim të njëanshëm, historia kombëtare shqiptare ishte jo vetëm bardhë e zi, por dimensionet kombëtare të saj tkurreshin e ngushtoheshin deri në pabesueshmëri. Gjatë tërë kësaj periudhe (1945-1990), nga historia shqiptare u mënjanuan ose fare pak u shkrua për ngjarje e figura të shquara të kombit, vetëm pse binin në kundërshti me qëllimet okupuese të shtetit jugosllav. Bile-bile, shkohej aq larg sa këto të fundit ishin trajtuar si forca reaksionare dhe antikombëtare. Por, pas vitit 1990, kur në Kosovë filloi “të jetësohej” sistemi shumëpartiak (megjithëse i kufizuar), në një mënyrë, kjo kohë është edhe kapërcyell, kur ndërgjegjja intelektuale haptas dhe me këmbëngulje u vu në mbrojtjen e popullit të vet dhe filloi të shkruante për të kaluarën e afërt nga një kënd tjetër, kur shkrimet historike, publicistike dhe politike filluan me rebelizëm të mos respektonin censurën e hekurt serbo-jugosllave dhe të zhvishen nga ideologjizmat e censurat e ndryshme. Pikërisht atëherë, kur të dhënat historike filluan të quhen me emrin e vërtetë e shkencor – fakte historike, lirshëm mund të shprehem se, ndoshta, edhe ashtu pa u vërejtur, filloi në një mënyrë të rishikohet dhe të rishkruhet historia e mirëfilltë e popullit shqiptar. Dhe, mendoj se përkushtimi ndaj historisë së kombit përbën një detyrim për çdo penë të historisë, të letërsisë, të dramës e të gjinive të tjera. Pra, kjo ngel në ndërgjegjen e çdonjërit nga ne.

Çfarë keni plan të botoni këtë vit?
Keçmezi-Basha: Besoj se në fillim të marsit Instituti i Historisë së Kosovës do t’i nxjerrë nga shtypi tre libra të mi: “Formimi dhe veprimtaria e ONDSh-së: procesi gjyqësor i Prizrenit, 1946”; “Ngjarjet, dëshmitë dhe identiteti kombëtar” dhe librin e tretë “Ballafaqim me dëshmitë historike”. Ndërsa adhuruesit e poezisë nga java tjetër do t’i kenë në duar edhe tri përmbledhje me poezi, si: “Testamenti”, “Çka do të bëjë pritja pa mua” dhe përmbledhjen me poezi për fëmijë “Beni e qenushi” dhe kam diçka të formësuar nga publicistika shkencore.

Porosia juaj për studiuesit e rinj dhe femrën shqiptare?
Keçmezi-Basha: Do t’ua thosha atë që ia kam thënë vazhdimisht Sabiles: gjithnjë besoni vetëm në punën tuaj, se ajo arrihet vetëm me punë të vazhdueshme, të palodhshme. Femrat tona duhet të jenë vetvetja dhe asnjëherë dhe kurrë mos ta ndiejnë veten inferiore me të tjerët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh kryeministër…