
Homazhe dhe seancë solemne për 26-vjetorin e Çlirimit të Junikut
Në nder të 26-vjetorit të Çlirimit të Junikut, sot u organizuan homazhe pranë lapidarit të Heronjve, Dëshmorëve dhe Martirëve në qendër të qytetit. Përfaqësues të institucioneve, familjarë të të rënëve dhe qytetarë të shumtë vendosën lule dhe u përkulën me respekt përpara sakrificës së atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
Pas homazheve, në Sallën e Asamblesë Komunale u mbajt seanca solemne nën patronatin e Kryetarit të Komunës, z. Ruzhdi Shehu. Kryesuesi i Kuvendit hapi mbledhjen, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite historike, ndërsa Kryetari i Komunës, në fjalën e tij, uroi të pranishmit dhe nënvizoi përkushtimin për ruajtjen e vlerave të lirisë, duke kujtuar luftën e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë të rënët për lirinë e atdheut.
Nxënësit kishin përgatitur një program të pasur artistik, me interpretimin e këngëve dhe valleve.
Lavdi Heronjve, Dëshmorëve dhe Martirëve të rënë për lirinë e Kosovës!
Fjalimi i plotë i kryetarit të Komunës z. Ruzhdi Shehu
Sot është një ditë që na prek thellë në zemër.
Sot, Juniku kujton dhe feston 13 qershorin e vitit 1999 – ditën kur u çlirua pas një kohe të gjatë sakrifice, rezistence dhe krenarie të pashoqe.
Sot shënojmë 26 vjet liri, 26 vjet krenari, 26 vjet Junik të çliruar.
Në këtë tokë ku jemi mbledhur sot, është derdhur gjak për liri.
Në çdo shteg të këtij vendi, në çdo gur të kësaj toke, është e gdhendur historia e qëndresës sonë.
Juniku nuk është vetëm një komunë e vogël – Juniku është zemra e Dukagjinit, vend i burrave të besës, i nënave të dinjitetit dhe i trimave të pushkës.
Në luftën për liri, Juniku nuk mungoi. Përkundrazi – dha më shumë sesa kishte. Dha djemtë më të mirë të kësaj toke, që sot prehen me nder në altarin e lirisë.
Dëshmorët tanë nuk janë vetëm emra në pllaka përkujtimore – janë udhërrëfyesit tanë të përjetshëm.
Sot, përulemi me nder përpara kujtimit të tyre.
Sot i themi vetes: a jemi duke e mbajtur lart idealin që ata ëndërruan?
A po punojmë për Junikun që ata e ëndërruan?
Të dashur qytetarë,
Liria nuk mjafton të fitohet – ajo duhet të ndërtohet çdo ditë.
Dhe ne kemi punuar me përkushtim. Sot, Juniku është në rrugën e zhvillimit, me investime në infrastrukturë, në bujqësi, në turizëm malor, në ruajtjen e natyrës sonë të mrekullueshme.
Ne kemi potencial, por kemi edhe vullnet. E mbi të gjitha – kemi njerëz të mirë, të ndershëm e punëtorë.
Kjo ditë na bashkon si asnjëherë tjetër. Na rikujton se pavarësisht sfidave, kur jemi bashkë, nuk ka pengesë që nuk e kalojmë.
Lavdi për dëshmorët tanë të përjetshëm!
Nder për familjet e tyre fisnike!
Faleminderit të gjithë atyre që luftuan për këtë ditë.
Urime të gjithë qytetarëve të Junikut 26-vjetori i Çlirimit!
Le të jetë kjo ditë frymëzim për punë, për bashkim dhe për një të ardhme edhe më të mirë.
Zoti e bekoftë Junikun!
Zoti e bekoftë Kosovën!
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian!