
Hoti: Kemi vështirësi në zbatimin e ligjit në veri, por nuk heqim dorë
Për projektet e qeverisë së Serbisë që po realizohen në veri të Mitrovicës, kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se në veriun e Kosovës ka kohë që janë bërë plot veprime pa qenë në përputhje me ligjet në fuqi të Kosovës.
Për projektin “Lugina e diellit” dhe të tjera në veri Mitrovicës, kryeministri Hoti ka thënë se është i njohur për vështirësitë në zbatimin e ligjit plotësisht në atë pjesë të vendit, por shtoi se nuk do të lejojnë vazhdimisht në këtë mënyrë.
“Në veriun e Kosovës ka kohë që janë bërë plot veprime jo në përputhje me ligjet e Kosovës. Ne nuk kemi qasje tjetër përveç që të insistojmë në zbatim të ligjeve të Republikës së Kosovës. Kjo i bie që nuk ka dy standarde, ligji është një për të gjithë vendin. E di që kemi vështirësi në zbatimin e ligjit plotësisht në atë pjesë të vendit, por nuk do të heqim dorë asnjë herë dhe as nuk do të lejojmë që situata të shkojë ashtu”, ka thënë Hoti.