Hoti paralajmëron për ‘rrënim të ekonomisë’ nga kriza dhe pasiguria në furnizim me rrymë

20 qershor 2025 | 12:39

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se pasiguria e furnizimit me energji elektrike dhe kriza në këtë sektor po e rrënon ekonominë kosovare.

Hoti ka thënë se investimet aktuale dhe të ardhshme do të ndikohen negativisht nga mungesa e qartësisë sa i përket furnizimit me energji.

Pas njoftimeve të djeshme nga KEK-u se disa njësi gjenden në remont dhe disa njësive të tjera që patën probleme, Hoti ka thënë se këto po ndodhin pasi tenderët për rinovim e mirëmbajtje vonohen me vite.

“Paqartësia nuk lidhet vetëm me çmimin e lartë dhe të paparashikueshëm, por edhe me pasigurinë e furnizimit. Asnjë masë nuk është marrë tash e sa vite. Blloqet e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B vazhdojnë të bien nga sistemi, pasi tenderët për rinovim e mirëmbajtje vonohen me vite”.

“Centrali me gaz i marrëveshjes së Uashingtonit u anulua në vitin 2021. Mjetet e parapara për atë qëllim u destinuan për projektin e baterive, por në fund humbën krejtësisht për shkak të ndryshimit të prioriteteve të politikave amerikane”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se dalja në tregun e hapur energjetik, pa i siguruar kushtet paraprake, duket se do të jetë shkatërruese për shumë prodhues.

“Kjo do të ketë pasoja për punësimin e mijëra punëtorëve dhe, në veçanti, do të përkeqësojë aftësitë konkurruese të prodhuesve të Kosovës në tregun vendor dhe të jashtëm, duke e thelluar edhe më tej deficitin tregtar të Kosovës”, ka thënë Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Senatori Bernie Sanders është deklaruar kundër përfshirjes së ShBA-së në…