
Hoxha: Jam në kulmin e karrierës sime
Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Arbër Hoxha, ia siguroi fitoren e madhe skuadrës së tij, Dinamo Zagreb, në përballje me Rijekën (1-2), duke shënuar në minutën e parafundit të ndeshjes.
Futbollisti nga Kosova mund të thuhet se i dha gjigantit kroat të futbollit titullin e 7 radhazi. 25-vjeçari ka thënë se ky është momenti më i mirë në karrierën e tij. “Natyrisht që jam shumë i kënaqur për golin, por edhe për fitoren e skuadrës. Nuk luajtëm mirë në pjesën e parë, por pas pushimit bëmë ndryshime në formacion. E vërtetë që goli që pësuam me penallti na tronditi, por më pas treguam karakterin dhe kthyem rezultatin në 2-1. Padyshim që ky është momenti më i mirë i karrierës sime, sepse e ndihmova ekipin në një fitore për titullin. Kjo është shumë e rëndësishme për mua, për klubin dhe natyrisht për të ardhmen”, u shpreh Hoxha.
Arbër Hoxha lufton ta sigurojë Kampionatin Evropian me Kombëtaren shqiptare, diçka që bëhet më e lehtë kur luan për një skuadër si Dinamo Zagreb, skuadër e cila ka fituar plot 11 tituj në Kroaci në 12 vitet e fundit.