
Hoxhaj në Irak takohet me gjeneralin britanik: Mik i përhershëm i Kosovës
Ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti Enver Hoxhaj është takuar me Sir Gjeneral Nick Carter gjatë qëndrimit të tij në Forumin Ekonomik të Delfit, që këtë vit po mbahet në Kurdistan të Irakut.
Përmes një postimi në “Facebook”, Hoxhaj ka ndarë një moment nga mëngjesi i forumit ku shihet në bisedë me gjeneralin Carter, të cilin e përshkruan si një “mik të përhershëm të Kosovës”.
“Teksa prisnim kafen e mëngjesit në Forumin Ekonomik Delphi në Irak, pata kënaqësinë të bisedoj me Sir Gjeneral Nick Carter – mik i përhershëm i Kosovës, komandant i trupave britanike në Prishtinë në vitin 1999 dhe ish-Shef i Shtabit të Mbrojtjes së Britanisë së Madhe”, ka shkruar Hoxhaj.
Gjeneral Carter ka qenë një nga figurat kyçe ushtarake britanike gjatë dhe pas luftës në Kosovë, duke shërbyer si komandant i trupave britanike që vepruan në kuadër të KFOR-it. Më pas, ai ka mbajtur pozicionin më të lartë në ushtrinë britanike si shef i Shtabit të Mbrojtjes deri në vitin 2021.