Hoxhaj: Nëse s’ka vija të kuqe me Serbinë, s’do të ketë as me Shqipërinë

24 korrik 2018 | 13:13

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë të martën në inaugurimin e pikës kufitare me Shqipërinë, në Morinë, së bashku me homologen e tij nga Shqipëria, Senida Mesi, si dhe dy shefat e misioneve të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Kosovë.

Në fjalimin e tij me rastin e hapjes së kësaj pike, Hoxhaj ka thënë se nëse në këtë fazë të fundit të dialogut me Serbinë, e cila duhet t’i shërbejë stabilitetit dhe sigurisë në rajon, dikush në Beograd dhe Bruksel mendon se sa i takon normalizimit në raport me Serbinë nuk duhet të ketë vija të kuqe, atëherë, nëse këto vija të kuqe nuk vlejnë në raport me fqinjin tonë verior, nuk duhet të vlejnë as në raport me Shqipërinë.

“Kur sot, pas 12 vitesh, jemi në fazën e fundit të dialogut me Serbinë dhe ende kemi çështje të hapura me fqinjin tonë verior, duam që ky dialog, sa t’i shërbejë normalizimit të plotë në mes të të dy shteteve përmes njohjes së ndërsjellët dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB, po aq edhe një pajtimi Kosovë-Serbi pas një konflikti të thellë më shumë se një shekullor. Por, nëse në këtë fazë të fundit, e cila duhet t’i shërbejë stabilitetit dhe sigurisë në rajon, dikush në Beograd dhe Bruksel mendon se sa i takon normalizimit në raport me Serbinë nuk duhet të ketë vija të kuqe, atëherë, nëse këto vija të kuqe nuk vlejnë në raport me fqinjin tonë verior, nuk duhet të vlejnë as në raport me Shqipërinë”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ai ka thënë se çdo ndryshim i karakterit të brendshëm të Kosovës në parime territoriale mund të prodhojë gravitet të ri të jashtëm rajonal.

“Kosova e pavarur është gurthemeli i fundit i paqes mes popujve në Ballkan, por edhe gurthemeli më i rëndësishëm për t’i ruajtur balancat etnik dhe nacional në hartën e Ballkanit. Sikurse Kosova shumë-etnike është projekt shtetëror jo vetëm për ta jetësuar vullnetin politik të shumicës, por për t’i ruajtur edhe balancat e brendshme mes grupeve etnike në Kosovë. Çdo ndryshim i karakterit të brendshëm të Kosovës në parime territoriale, mund të prodhojë, si pasojë, një gravitet të ri të jashtëm rajonal”, ka deklaruar Hoxhaj.

Hoxhaj ka përmendur 24 korrikun e vitit 2006 kur ka ndodhur takimi i Vjenës i njohur si “takimi i elefantëve” e nga i cili takim sipas tij ka rrjedh më tutje dialogu me Serbinë.

“Më 24 korrik të vitit 2006, gjatë negociatave në Vjenë, ka ndodhur takimi më i madh në mes të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e Presidentit Ahtisaari, si i ngarkuar i posaçëm i OKB-së për ta adresuar çështjen e statusit final. Para 12 vitesh, ka pasur disa parime, disa parametra dhe disa vija të kuqe se si kemi arritur deri tek pavarësia. Por, po ashtu ka pasur, në këto 20-30 vitet e fundit të shpërbërjes hugosllave dhe krijimit të shteteve të reja, nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi, dhe Kosova, të cilat e kanë formësuar shtetbërjen në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Hoxhaj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) i përbërë…