
Hoxhaj për Ahtisaarin: S’lejoi autonomi për serbët e Kosovës – ia mundësoi shqiptarëve ta jetësojnë vullnetin e tyre për një shtet sovran
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari, ishte “profet dhe vizionar” në parashikimin e dialogut Kosovë-Serbi.
“Ahtisaari ka qenë një lloj profeti në mënyrën se si e ka udhëhequr negocimin. Mënyra se si ai ka ndërmjetësuar ka qenë përtej asaj që është një ndërmjetësim i zakonshëm, ka qenë shumë imponues dhe vizionar në mënyrë se si ka hedhur propozime dhe si e ka parë situatën”, tha Hoxhaj në një intervistë për Euronews Albania.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës ka treguar po ashtu se delegacioni serb gjatë negociatave kishte insistuar që serbët në Kosovë të kenë një autonomi politike dhe fetare, por “Ahtisaari ka qenë i prerë që kjo të mos ndodh”.
“Ahtisaari e ka ruajtur karakterin e realitetit të Kosovës, meqë ia ka mundësuar shqiptarëve që ta jetësojnë vullnetin e tyre për një shtet sovran dhe të pavarur edhe ka ofruar zgjidhje për komunitetin serb pa e dëmtuar funksionalitetin e shtetit të Kosovës”, potencoi Hoxhaj.
Gjatë kësaj interviste, Hoxhaj është pyetur si ishte njohur me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe ish-krerët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Me zotëri Thaçin kemi qenë shok në studime në Universitetin e Prishtinës, kemi studiuar historinë. Përmes zotëri Thaçit kam njohur edhe zotëri Kadri Veselin dhe të tjerët. Në vitin 1993 kemi shkuar së bashku në Vjenë për të studiuar”.