Hoxhaj takon pesë ambasadorë evropian (foto)

22 janar 19:46

Zëvendës kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka zhvilluar sot takime të shumta me ambasadorë të vendeve të BE-së, me të cilët ka diskutuar në lidhje me rrugën euro-integruese të Kosovës, e në veçanti në lidhje me Strategjinë e Re për Zgjerim të Bashkimit Evropian në Ballkan deri me 2025.

Hoxhaj ka pritur ambasadorin e Francës, Italisë, Austrisë, Sllovenisë dhe Kroacisë, të cilëve ua ka shprehur shqetësimin për mënyrën e qasjes së BE-së në Strategjinë për Zgjerim e cila do të publikohet ne fillim të shkurtit.

Hoxhaj ka thënë se Kosova ka nevojë për perspektivë të qartë në rrugën e saj integruese. Ai ka shtuar se gjuha në këtë dokument është e përgjithshme sa i përket Kosovës dhe nuk jep kritere as kornizë kohore për ecjen përpara të Kosovës në rrugën e integrimit në BE.

Në të njëjtën kohë, në takimet e ndara Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e këtyre vendeve për Kosovën dhe integrimin evropian të saj, duke i falënderuar për përkrahjen e deri tanishme në shtetndërtimin e Kosovës.

Hoxhaj theksoi se Kosova e ka vendin në Bashkimin Evropian dhe duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera të Ballkanit sa i përket procesit të integrimit në BE të gjashtë vendeve të Ballkanit.

Për këtë temë, Hoxhaj ka folur edhe në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, duke i informuar kolegët e tij për dy versionet konfidenciale të këtij dokumenti ku qasja për Kosovën është e përgjithshme dhe nuk jepet perspektivë e qartë në lidhje me kriteret dhe kornizën kohore për ecjen përpara në procesin e integrimit në BE.

Ky dokument, ndërkaq, përmban qartësi për anëtarësimin e Serbisë dhe të Malit të Zi, deri në vitin 2025, ndërsa nuk ka perspektivë të qartë për katër vendet e tjera të Ballkanit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj ka theksuar se…