
Izraeli sulmon Iranin, godet reaktorin bërthamor, vret gjeneralë
Izraeli kreu një sulm të madh ajror në kompleksin bërthamor Natanz të Iranit mbrëmë.
Sulmi siç u tha, është pjesë e një operacioni ushtarak të quajtur “Rising Lion” që synon, sipas kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, “neutralizimin e kërcënimit ekzistencial” që paraqet programi bërthamor i Iranit.
Televizioni shtetëror iranian IRINN raportoi se sulmi izraelit vrau gjeneralin Mohammad Bagheri, shefin e shtabit të Forcave të Armatosura Iraniane dhe zyrtarin më të lartë ushtarak të vendit.
Bagheri është figura e dytë e lartë ushtarake që dihet se është vrarë në sulmet e paprecedentë izraelite gjatë natës ndaj Iranit. Më parë, media shtetërore iraniane raportoi se u vra edhe gjenerali Hossein Salami, komandant i Korpusit të Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC).
Kryeministri Benjamin Netanyahu vlerësoi forcat izraelite për kryerjen e një “sulmi fillestar të suksesshëm”.
Deri më tani, personat e mëposhtëm janë konfirmuar të vdekur:
Hossein Salami, komandant i Korpusit të Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC)
Gholamali Rashid, Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Khatam-al Anbiya
Fereydun Abbasi, shkencëtar bërthamor dhe ish-kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit
Mohammad Mehdi Tehranchi, një fizikant bërthamor i lidhur me programin e zhvillimit të armëve bërthamore të Iranit
Mohammad Bagheri, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit
Gjithashtu, sipas burimeve iraniane, Ali Shamkhani, një këshilltar i lartë i Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei, u plagos rëndë.