
Botohet libri “Ruh” i Fitim Veliut
Ka dalë nga shtypi libri me poezi “Ruh” i autorit Fitim Veliu. Libri është konceptuar në një variant të thellë të shpërfaqjes së një ndjenje të madhe të shpirtit në luftë me trupin për ta kontrolluar dhimbjen e shembjen e tij. Varianti i të gjitha poezive ka një frymë unike në rrjetëzimin e ndjenjës si lakim nëpër situatat më të rënda të subjektit lirik. Në këtë vëllim lirik kemi të pranishme vetëm dy personazhe të një situate reale dhe një personazh episodik të një situate kontekstuale. Brenda të gjitha poezive kemi të pranishme figurën si derivat i një situate dramatike dhe mitin e dashurisë si esencë tragjike.
Shënime për autorin
Fitim Veliu (1983) lindi në fshatin Polac të Skenderajt. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, kurse gjimnazin në Skenderaj. Studimet themelore në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe i mbaroi në Prishtinë, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, në të cilën magjistroi në vitin 2011. Ka doktoruar në vitin 2024. Ka punuar profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Kolegjin “Mehmet Akif” në Prizren, në Akademinë “Ora” në Prishtinë, në Gjimnazin “Sami Frashri” në Prishtinë dhe në Gjimnazin Britanik për Teknologji. Po ashtu, profesor Fitim Veliu ka qenë asistent në Fakultetin e Filologjisë “Ukshin Hoti” në Prizren dhe në Fakultetin e Filologjisë “Fehmi Agani” në Gjakovë. Një vit ka mbajtur ligjërata në cilësinë e lektorit në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”, Fakulteti i Edukimit, Drejtimi Fillor dhe Parafillor. Aktualisht është mësimdhënës i rregullt në Shkollën e Mesme të Lartë “28 Nëntori” në Prishtinë dhe anëtar i Komisionit të Pavarur për Medie. Ka botuar qindra artikuj studimorë dhe recensione në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka marrë pjesë në konferenca të ndryshme shkencore, kulturore dhe arsimore. Është poet, studiues, kritik letrar dhe recensent i dhjetëra librave me poezi, romaneve e studimeve të fushave të ndryshme.