Lufta e UÇK-së dhe NATO-s, ndërmarrje e përbashkët çlirimtare

11 dhjetor 2022 | 08:39

Dr. Albulenë Halili

 (tri teza)

1. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një ndërmarrje çlirimtare

Në studimet bashkëkohore strategjike gjithnjë e më tepër po zënë vend teori të reja të cilat ofrojnë një kuadër të ri që synon t’i analizojë marrëdhë­niet themelore të luftës me politikën në përputhje me traditën e Klauzevicit, sipas të cilit,“Lufta është vazhdim i politikës me mjete të dhunës”.[1] Të rimenduarit e marrëdhënies themelore të luftës me politikën dhe përshtatja me teorinë klasike të Klauzevicit mbi logjikën politike të luftës, përbëjnë qasjet më të reja teorike në fushën e këtyre studimeve dhe jo vetëm.

Duke u nisur nga ky kuadër teorik modern, padyshim edhe nga dijet tona, vijmë në përfundim se çdo studim mbi luftën çlirimtare shqiptare të fundshekullit të kaluar, pra luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të fillojë me studimin e logjikës politike të luftës, të cilën e gjejmë te studimi i pararendëses legjitime të saj – Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Kësisoj, filozofia politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të për­kufizohet si vijon – çlirimi nga sundimi serb, irredentizmi përmes republi­kanizimit të Kosovës dhe bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin amë, Shqipërinë, si qëllim i fundmë, i mishëruar në betimin e luftëtarit të UÇK-së, ku artikulohej arsyeja përse ai/ajo do të flijonte gjënë më të shtrenjtë e më të shenjtë – jetën.

Në përkufizimin e mësipërm do të veçoja për ta zbërthyer konceptin e çlirimit që është edhe objekt i tezës së parë të kësaj kumtese.

Konceptualizimi i çlirimit rri i dyzuar midis individit dhe kolektives dhe pandashëm me përkufizimin e lirisë si një premisë universale, nga njëra anë dhe shtypjes nga tjetri si mohim i kësaj lirie, nga ana tjetër. Filozofia e çlirimit mbështetet mbi të drejtën natyrore të individit dhe grupit të cilit ai i përket, për të qenë i lirë nga çdo zgjedhë. Premisa e parë e UÇK-së ishte çlirimi i tokave shqiptare nga pushtimi dhe sundimi serb.

2. UÇK-NATO ishin në një aleancë të heshtur për çlirimin e Kosovës

Në vitin 1999, kur fushata bombarduese e NATO-s po vijonte, një zyrtar i lartë perëndimor pati deklaruar se “NATO nuk do të kthehej në një forcë ajrore të UÇK-së”.[2] Por si për ironi të këtij qëndrimi, kjo ndodhi. Shumë shpejt u vërtetua se në rastin e Kosovës një luftë ajrore pa atë tokësore nuk mund të siguronte një fitore. Edhe nëse do të arrihej një e tillë, në rastin më të mirë, do të ishte një fitore e Pirros. Serbët kishin vënë në zbatim operacionin “Patkoi”, një projekt të hollësishëm me synim gjenocidal, që u bë publik në prill në vitit 1999, i cili vijonte ta bënte spastrimin etnik në terren pavarësisht prej sulmeve ajrore të NATO-s, madje me intensitet të lartë e të përshpejtuar.

Kështu, konsensusi i brishtë atlantik filloi të forcohej. Konferenca e Ram­bujesë dhe roli i Rugovës në të e përforcoi edhe më shumë këtë bindje. Aleatët transatlantikë ishin bindur tashmë se UÇK-ja dhe ajo çfarë përfa­qësonte kjo ushtri përbënte forcën dominuese në terren dhe me përkrahjen më të gjerë popullore, ndaj ishte e domosdoshme të bashkëpunohej me të.[3] Për më tepër, gjatë fushatës së bombardimeve fati i popullsisë së mbe­tur civile ishte i lidhur me atë të UÇK-së. Kështu, ata vendosën për të kon­tribuar në një riorganizim, riorientim dhe ristrukturim të UÇK-së i cili do të ndodhte padyshim me ndihmën e kuadrove ushtarakë të Shqipërisë.

Pas kësaj kthese lufta për çlirimin e Kosovës u shndërrua në një ndër­marrje të përbashkët çlirimtare UÇK-NATO. Roli i luftëtarëve të UÇK-së në përcaktimin e shënjestrave të bombardimeve ka qenë shumë i rëndë­sishëm. Por, roli i tyre kryesor ka qenë detyrimi i njësiteve të ushtrisë jugo­sllave të dilnin në terren të hapur. Këtë e kishte pohuar pas mbarimit të luftës gjenerali amerikan Short, duke thënë se edhe pse NATO nuk ishte aleate zyrtare me UÇK-në, operimi i saj i suksesshëm në terren kishte ndih­muar aeroplanët gjuajtës të mësojnë pozicionet e ushtrisë jugosllave duke mundësuar asgjësimin e tyre. [4]

Një nga studiuesit e njohur të marrëdhënieve transatlantike, Stanley Sloan, lidhur me këtë shkruan: “Ringjallja ushtarake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si forca kryesore luftarake e shqiptarëve të Kosovës, luajti një rol vendimtar në shpërfaqjen e njësiteve serbe nga fshehja, duke i bërë ato më të ndjeshme ndaj sulmeve ajrore perëndimore. NATO, në fund, kishte një komponentë të forcës tokësore në strategjinë e saj, edhe nëse ajo u zhvillua në heshtje dhe me gjysmë zemre”.[5] Gjatë kulmit të fushatës ajrore të NATO-s u shqua sidomos një bashkëpunim i madh midis grupeve të njësive të UÇK-së dhe forcave speciale britanike të cilat, në bashkëpunim me gjeneralët amerikanë që drejtuan fushatën bombarduese, janë meritorët e çlirimit të Kosovës. Ndaj me të drejtë historiani i njohur i Ballkanit, James Pettifer, shkruan:“UÇK-ja ishte gjithçka që NATO kishte”.[6]

3. Intervenimi i NATO-s në Kosovë qe një test për të ardhmen e saj

Krerët e lartë të diplomacisë së ShBA-së dhe shteteve evropiane vendosën, më në fund, që përmes mekanizmit të NATO-s ta ndalonin gjenocidin serb mbi popullin shqiptar në Kosovë. Kjo nënkuptonte që Kosova në vitin 1999 kishte kaluar në instancat më të larta të sigurisë botërore. Për Koso­vën ky ishte fillimi i zgjidhjes së një procesi 100-vjeçar. Për herë të parë gjatë historisë pesëdhjetëvjeçare të aleancës mbrojtëse NATO përdori for­cën e saj ushtarake në një hapësirë jashtë territorit të saj dhe mbi një subjekt ndërkombëtar. Me këtë NATO doli nga doktrina tradicionale e saj si ale­ancë e cila ishte e përcaktuar të vepronte vetëm në rast sulmi dhe brenda kufijve të saj.

Në rast mosintervenimi në një krizë brenda orbitës së saj, NATO do ta vinte në pikëpyetje vetë ekzistencën e saj si një aleancë e mbrojtjes së paqes dhe demokracisë. Këtë e kishte pohuar dhe senatori Durbin në një seancë dëgjimore në Senatin amerikan në vitin 1999: “Unë besoj se NATO ka një të ardhme. Unë sigurisht besoj se Amerika ka një të ardhme në udhëheqjen e saj në botë. Ne jemi duke u testuar në Ballkan. Unë dua ta kaloj atë provë kështu që shekulli XXI të jetë një shekull i paqes”.[7]

Pesëdhjetëvjetori i aleancës transatlantike qe një nga çastet më kulminante të historisë së saj të pas Luftës së Ftohtë. I gjithë Samiti i Uashingtonit, ku edhe u rishqyrtua koncepti strategjik dhe drejtimi i saj në mijëvjeçarin e ri, u përshkua nga zhvillimet në hapësirën ajrore ballkanike, për t’i dhënë fund gjenocidit serb mbi popullatën shqiptare të Kosovës. Koncepti i ri strategjik, i cili u miratua gjatë këtij samiti, i cili u mbajt një muaj pas fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë, përmbante udhëzimet për përgatitjen e aleancës për sfidat e sigurisë, por edhe për mundësitë e shekullit XXI.

Në këndvështrimin global, ndihma e NATO-s për zgjidhjen e krizës në Kosovë luajti rol vendimtar për kthimin e besueshmërisë në këtë organi­zatë të krijuar për ruajtjen e sigurisë euro-atlantike dhe justifikimin e qelli­mit të krijimit dhe ekzistencës së saj.

Ndërkaq, parë nën thjerrëzën shqiptare, NATO përmes një aleance të heshtur i ndihmoi UÇK-së për ta përmbushur premisën e parë të filozofisë politike të kësaj ushtrie të hedhur në fillim të kësaj kumtese – atë të çlirimit, duke i hapur rrugë edhe përmbushjes së premisës së dytë, krijimit të një shteti të pavarur të Kosovës, gjë e cila, siç e dimë, u bë më 17 shkurt 2008, kur Kuvendi i Kosovës e shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

 

(Marrë nga libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, botuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kjo kumtesë është paraqitur në sesionin shkencor mbajtur në Prishtinë më 7 mars 2022, organizuar nga: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kumtesat e njëzet intelektualëve shqiptarë gazeta “Epoka e re”, përpos në portal, do t’i botojë për njëzet ditë me radhë edhe në formatin pdf. Librin mund ta gjeni në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.)

 

[1] Carl Von Clausewitz, On War, Princeton UP, 1976, f. 69.

[2] “KLA asks for air strikes to assist guerrilla ground offensive” The Irish Times, 27 prill 1999.

[3] James Pettifer, Ushtria Çlirimtare e Kosovës: nga një luftë e fshehtë në një kryengritje të Ballkanit 1948-2001,Onufri, Tiranë, 2013, f. 252-253.

[4] William Drozdiak,Allies Need Upgrade, General Says,Washington Post, 20 qershor 1999.

[5] Stanley Sloan, Permanent Alliance?: NATO and the Transatlantic Bargain from Truman to Obama,Continuum, 2010, f. 161.

[6] James Pettifer, Ushtria Çlirimtare e Kosovës…, f. 255.

[7]“Deployment of United States Armed Forces to The Kosovo Region In Yugoslavia”, Congressional Record Volume 145, Number 62 (Monday, May 3, 1999), Senate, from the Congressional Record Online through the Government Publishing Office, ff. S4548-S4570.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 11 dhjetor të vitit 1941, Italia dhe Gjermania i…