Hudhen poshtë pretendimet e Thaçit se rasti kundër administrimit të drejtësisë duhej iniciuar nga trupi gjykues në rastin për krime lufte

23 qershor 2025 | 13:59

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë rrëzuar mocionin e mbrojtjes së ish-Presidentit Hashim Thaçi, me të cilin pretendohej se rasti kundër administrimit të drejtësisë ishte dashur që të iniciohet nga trupi gjykues në rastin për krime lufte.

Vendimi është marrë më 19 qershor 2025 nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, e cila rrëzoi edhe pretendimin e Thaçit se caktimi i saj në këtë çështje ishte bërë në kundërshtim me Ligjin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas kronologjisë së procedurave, më 29 nëntor 2024, ishte konfirmuar pjesërisht aktakuza ndaj Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Më 12 shkurt 2025, Prokuroria kishte bërë ankesë kundër aktakuzës së konfirmuar dhe më 3 prill Gjykata e Apelit vendosi që çështja t’i kthehet gjyqtares së procedurës paraprake për rishqyrtim.

Më 14 prill 2025, gjyqtarja procedurës paraprake e ndryshoi vendimin në përputhje me vendimin e Apelit dhe dy ditë më pas e dorëzo atë. Kurse, më 8 maj 2025, mbrojtja e Thaçit kishte dorëzuar mocionin e saj lidhur me këtë çështje.

Në mocionin e saj, mbrojtja e Thaçit ka kontestuar kompetencat e gjyqtares së procedurës paraprake për të shqyrtuar rastin aktual të tij.

Sipas mbrojtjes, këto procedura si kjo e rishqyrtimit dhe konfirmimit të aktakuzës bien në juridiksionin e trupit gjykues në rastin për krime lufte nga i cili e ka origjinën edhe kjo çështje.

Po ashtu, Thaçi pretendon se gjyqtarja e procedurës paraprake në këtë çështje është caktuar në kundërshtim me ligjin pasi më përpara kishte vepruar si gjyqtare e vetme gjatë hetimit për veprat që pretendohet se i ka kryer Thaçi dhe të tjerët.

Mbrojtja thotë se trupi gjykues në çështjen për krime lufte ka detyrim që gjykimi të jetë i drejtë, i shpejtë dhe që procedurat të zhvillohen duke i respektuar të drejtat e të akuzuarve.

Ata thonë se trupi gjykues nuk mund ta përmbush këtë detyrim nëse një panel tjetër është ngarkuar me çështje që kanë të bëjnë me menaxhimin e çështjes së tij.

Mbrojtja pretendon se trupi gjykues në çështjen për krime lufte duhet të ketë kompetencë dhe përgjegjësi ekskluzive mbi të gjitha aspektet, duke përfshirë edhe pretendimet për mosrespektim të gjykatës dhe ndërhyrje tek dëshmitarët.

“…prandaj ishte detyrë e Panelit gjyqësor II që të mbikëqyrte hetimin lidhur me veprat e pretenduara në çështjen aktuale, të përcaktonte nëse ato justifikonin një aktakuzë dhe një çështje të veçantë, dhe të vendoste nëse një Panel tjetër duhej të ngarkohej”, thuhet në vendimin i cili citon parashtrimet e mbrojtjes.

Mbrojtja gjithashtu pretendon se procedurat aktuale kanë minuar autoritetin e trupit gjykues në rastin për krime lufte për të garantuar gjykim të drejtë në atë çështje.

Shkrimi i plotë: https://betimiperdrejtesi.com/hudhen-poshte-pretendimet-e-thacit-se-rasti-kunder-administrimit-te-drejtesise-duhej-iniciuar-nga-trupi-gjykues-ne-rastin-per-krime-lufte/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në selinë e AAK-së, lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj,…