
Humb jetën një 35-vjeçar në vendin e punës në Suharekë, dyshohet se u godit në kokë nga vinçi
Një 35-vjeçar me inicialet P.O, ka vdekur sot në Mushtisht të Suharekës, pasi dyshohet se është goditur nga një vinç në kokë derisa po punonte.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se viktima, gjatë punës në një kompani në fshatin Mushtisht, Komuna e Suharekës, duke operuar me një ngarkues (vinç), në rrethana ende të paqarta, është goditur rëndë në kokë. Për shkak të lëndimeve të marra, viktima nuk ka arritur t’i mbijetojë”, ka deklaruar Bytyqi.
Ai ka bërë me dije se për rastin është njoftuar edhe Inspektorati dhe Prokuroria.
“Njësitet e hetuesisë, në bashkëpunim me prokurorin e shtetit kujdestar, janë duke zhvilluar hetimet lidhur me rastin si vepër penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”. Trupi I pa jetë, me urdhër të prokurorit dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, ka thënë Bytyqi.