Humbja e shpejtë e peshës me Ozempic po lë pasoja estetike

03 gusht 2025 | 08:39

Aty ku më parë mbizotëronte entuziazmi për transformimin trupor, tani po lindin pasiguri të reja lidhur me ndryshimet estetike, veçanërisht ato që prekin fytyrën. A janë këto pasoja të pritshme apo të anashkaluara?

Ozempic, një medikament me përbërësin aktiv semaglutide i miratuar fillimisht për diabetin tip 2, është bërë gjithnjë e më i përdorur për reduktimin e peshës trupore. Megjithatë, përveç kilogramëve të humbur, përdoruesit po hasin efekte të papritura në paraqitjen e jashtme, më së shumti në zonën e fytyrës, çka ka sjellë një rritje të ndjeshme të konsultimeve me dermatologë dhe specialistë të mjekësisë estetike.

Ndërsa Ozempic dhe Wegovy po ndryshojnë rrënjësisht trajtimin e obezitetit, po krijojnë gjithashtu një terren të ri për industrinë e kujdesit estetik. Tashmë, pacientët nuk ndjekin vetëm humbjen e peshës për arsye shëndetësore, por edhe për të ruajtur një pamje që pasqyron vitalitet dhe vetëbesim. Kjo situatë tregon se kujdesi ndaj trupit duhet të jetë gjithmonë gjithëpërfshirës duke përfshirë lëkurën, mirëqenien emocionale dhe ndjeshmërinë estetike.

“Fytyra e Ozempic”: Kur dobësimi shndërrohet në plakje të parakohshme

Termi “Ozempic face” është përdorur për herë të parë nga dermatologu amerikan Dr. Paul Jarrod Frank, i cili në një intervistë për The New York Times (janar 2023) deklaroi se po vëren një rritje të ndjeshme të pacientëve që, pasi kanë humbur peshë me Ozempic, vijnë të shqetësuar për shfaqjen e rrudhave, rënien e faqeve dhe humbjen e volumit natyral të fytyrës.

“Fytyra humbet yndyrën në mënyrë të papritur dhe kjo sjell një pamje të plakur, të lodhur, një efekt që askush nuk e pret kur nis një trajtim për dobësim,” thekson Dr. Frank për The NY Times.

Fenomeni është vënë re gjithashtu edhe nga CNN Health, që në një artikull të posaçëm mbi efektet anësore të Ozempic për humbje peshe, thekson se fytyra është një nga pjesët që humbet yndyrën më shpejt, duke ekspozuar rrudhat dhe strukturën kockore të fshehur më parë nga indi dhjamor, përcjell Telegrafi.

Një sukses me çmim estetik: “Humba peshë, por edhe identitetin estetik”

Pacientë të intervistuar nga NBC News dhe Vogue rrëfejnë se ndonëse janë ndier më të lehtësuar fizikisht pas humbjes së peshës, pamja e re e fytyrës u ka shkaktuar tronditje psikologjike. “U ndjeva më e dobët, por jo më e bukur. Sytë mu futën thellë, faqet u rrafshuan dhe shprehja e fytyrës sime u ndryshua plotësisht,” tregon një paciente për Vogue.

Kjo ka shtuar ndjeshëm kërkesat për trajtime estetike si mbushës dermal (fillers), lifting jo-kirurgjik dhe transplante dhjamore, që synojnë të rikthejnë pamjen më të plotë dhe të freskët të fytyrës.

Ekspertët paralajmërojnë: Humbja drastike e yndyrës ndikon edhe në shëndet emocional

Sipas një raporti të Harvard Health Publishing, ndonëse semaglutide mund të ndihmojë në rënien e peshës dhe uljen e rrezikut për sëmundje metabolike, humbja e shpejtë dhe e pakontrolluar e yndyrës mund të ketë pasoja jo vetëm estetike, por edhe emocionale. Ndryshimi i papritur i pamjes ndikon në vetëvlerësimin dhe ndonjëherë mund të shkaktojë izolim social apo ankth.

Në këtë kontekst, mjekët këshillojnë që pacientët të kenë pritshmëri reale dhe të kenë ndihmë nga profesionistë të fushës së estetikës, për të siguruar një tranzicion të shëndetshëm fizikisht dhe emocionalisht.

Çfarë rekomandojnë profesionistët për ta shmangur këtë efekt?

Dr. Frank dhe mjekë të tjerë të intervistuar nga CBS News theksojnë se dobësimi duhet të jetë gradual – 0.5 deri në 1 kg në javë, në mënyrë që lëkura dhe indet të përshtaten me ndryshimet. Aktiviteti fizik, kujdesi për lëkurën, hidratimi, përdorimi i kolagjenit dhe kontrolli i stresit janë masa mbështetëse që ndikojnë në ruajtjen e pamjes natyrale gjatë procesit të humbjes së peshës.

Në të njëjtën kohë, duhet të merren parasysh faktorët si mosha, elasticiteti i lëkurës dhe historia e dietave ekstreme, pasi këto ndikojnë në mënyrën se si trupi e përjeton transformimin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tre persona janë arrestuar në Dumnicë të Poshtme të Podujevës…