Hungarezët votojnë për zgjedhjet parlamentare

03 prill 2022 | 10:35

Hungarezët votojnë sot për zgjedhjet parlamentare, që paraqesin sfidën më të madhe për kryeministrin Viktor Orban në 12 vjetët e sundimit të tij.

Për dallim nga zgjedhjet e mëhershme, opozita hungareze është bashkuar në një koalicion dhe synon që ta largojë nga pushteti Orbanin dhe partinë e tij Fidesz.

Sondazhet thonë se Fidesz dhe partnerët e tij kanë një epërsi të ngushtë ndaj gjashtë partive opozitare që janë bërë bashkë.

Në këto zgjedhje të drejtë vote kanë 8 milionë persona, por një pjesë e rëndësishme e elektoratit, në ditët e fundit të fushatës është deklaruar e pavendosur.

Gara e ngushtë rrit shqetësimet se Orban nuk do të respektojë mbajtjen e zgjedhjeve fer.

Në një lëvizje të paprecedent për shtetet e Bashkimit Evropian, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka dislokuar një mision monitorues të zgjedhjeve, pas shqetësimeve se mund të ketë manipulim të votave dhe përdorim të burimeve shtetërore që do t’i jepnin një avantazh të padrejtë partisë në pushtet.

Ndërkaq, çështjet e brendshme kanë mbetur në hije gjatë fushatës, e cila u dominua nga lufta në Ukrainë, shtet në kufi me Hungarinë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi belg është përjashtuar nga skuadra e Chelseat dhe rrezikon…