Bajrami: Propozimet e Kurtit nuk janë kompromis, por shkelje flagrante e Kushtetutës

28 qershor 2025 | 21:21

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas takimit të liderëve parlamentarë me kryetarin e VV-së, Albin Kurti, duke e quajtur “kompromisin” e ofruar nga Kurti si shkelje të rendit kushtetues dhe pazare politike jashtë kornizës së demokracisë.

Në një postim, Bajrami ka thënë se pas tri orë diskutimesh, Kurti kishte ofruar vetëm dy opsione, të cilat sipas saj nuk përfaqësojnë kompromis, por përpjekje për të anashkaluar rregullat dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Kompromisi” i vetëm, sipas Kurtit, ishte:

Që partitë opozitare të propozojnë anëtarët në Komisionin për votim të fshehtë, për ta rrëzuar më pas me votë.

Të kalohet në votim të hapur për kryetaren e Kuvendit, por vetëm nëse opozita e mbështet kandidaturën e Albulena Haxhiut.

Bajrami theksoi se një qasje e tillë nuk është kompromis, por një tentim për të shtrembëruar rendin kushtetues dhe për të bërë pazare politike që minojnë funksionimin demokratik të institucioneve.

Ajo kujtoi se Gjykata Kushtetuese ka qenë e qartë se rendi i ditës i seancës konstituive duhet të respektohet në mënyrë të rreptë dhe se nuk ka paraparë komision për votim të fshehtë në atë seancë, siç po pretendon Vetëvendosje.

“Demokracia nuk funksionon me pazare të fshehta, por me respekt të plotë të Kushtetutës. Kuvendi konstituohet me marrëveshje politike ose përmes një figure konsensuale – që do të duhej të ishte kompromisi i Lëvizjes Vetëvendosje, jo imponimi i kandidaturave pa shumicë,” shkroi Bajrami.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ali Nimanaj nga PDK-ja shpall kandidaturën për kryetar të Istogu…