HYSEN MALË ARIFI, PEDAGOGU DHE LUFTËTARI I LIRISË SË ATDHEUT

09 gusht 2020 | 17:21

Në 22 vjetorin e rënies për lirinë e Kosovës të dëshmorit HYSEN MALË ARIFI (1964- 1998)

9 Gushti përherë më kujton vitin 1998, ditën kur mora lajmin e hidhur për humbjen e mikut tim, tash dëshmor i Atdheut, Hysen Mal Arifi nga Pacaj i Lugut të Çarragojës.

Në betejën e Kallavajit Më 25 Korrik, në ditën kur bie heroikisht komandanti i Njësitit Komando Vezir Ademaj, por kur ishte plagosur edhe komandant Naim Maloku e shumë të tjerë, komandanti i Kompanisë së Tretë, Hysen Arifi plagoset rëndë në pjesët më vitale të trupit. Ai dërgohet në spitalin ushtarak të Irzniqit, por plagët kishin qenë të rënda dhe, pas 15 ditësh në përpjekje për t’i mundur ato, ai ndërroi jetë, për të mbetur përherë në kujtesën e brezave si një luftëtar i paepur i luftës për liri të vdndit të tij.

Sot, emrin e Hysenit dhe të Vezitit, me krenari mban shkolla në Sherematej, ku për vite me radhe derdhi mundin dhe dijen Hyseni.

Shkruan: Besim MUHADRI

Kush ishte Hysen Arifi?

Hyseni ishte djali i Malë Arifit nga fshati Pacaj të Lugut të Çarragojës. Ai lindi më 29. XI.1964 nga babë Mala dhe nënë Zadja. Familja e Hysenit ishte një familje e njohur për bujari dhe trimëri. I ati i tij, që herët, kishte rënë në konflikt të armatosur me kolonët serbo-malazezë që ishin vendosur në fshatin Pacaj.

Hyseni, që ishte djali i dytë i Malë Arifit, që në moshën gjashtëvjeçare mbeti jetim pa babë, duke mbetur kështu në një gjendje të rëndë ekonomike dhe nën përkujdesin e nënë Zades dhe të vëllaut Salihut, i cili në atë kohë nuk kishte më shumë se shtatëmbëdhjetë vjeç. Përkujdesin ndaj nipërve dhe mbesave jetime e morën dajët (familja Bezhani ) nga Smolica, të cilët bënë përpjekje të vazhdueshme që fëmijëve të mbetur jetimë pa baba t’u krijonin kushte për një jetë sa më normale.

Shkollimin fillor e kreu në Sheremetaj, ndërsa atë të e mesëm në Junik, Gjakovë dhe dy vitet e fundit, për mungesë kushtesh për vazhdim të mëtejmë të mësimeve në gjimnaz e më tutje edhe në ndonjë fakultet, i kreu në Akademinë e atëhershme Policore në Vushtri. Gjatë kësaj kohe Hyseni tregon interesim të jashtëzakonshëm dhe më 1983, me sukses të shkëlqyeshëm kryen shkollimin e mesëm, duke marrë gradën e kadetit të kësaj akademie, ndërsa  punën e policit Hyseni e kryen deri në shtator të vitit  1990, kur së bashku më shumë kolegë të tij shqiptarë përjashtohen nga puna.

Pas largimit nga policia, fillon punën e mësuesit në vendlindje

I etshëm për dije dhe për arsim kombëtar, Hyseni gjatë viteve 1985/1987 kryen studimet e larta në SHLP “Bajram Curri” në Gjakovë, drejtimi pedagogjik, ndërkaq, pas kësaj kohe ai vazhdon studimet edhe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në degën e Pedagogjisë, studime të cilat i përfundon kah mesi i viteve nëntëdhjetë, duke marrë kështu titullin profesional “profesor i mësimit klasor”.

Pas largimit me dhunë nga puna në polici, Hyseni fillon punën e mësuesit në fshatin Sheremetaj, punë të cilën me përkushtim të madh e kreu deri në vitin 1998.

Gjatë viteve nëntëdhjetë, Hysen Arifi ishte i përcjellur nga regjimi i egër serb, tashmë i instaluar dhunshëm në Kosovë dhe për veprimtarinë e tij prej mësuesi, veprimtari dhe atdhetari të devotshmëm të çështjes sonë kombëtare ai disa herë edhe dënohet. Një dënim të tillë në afat prej gjashtë muajsh do ta vuajë kah fundi i vitit 1993 dhe në fillim të vitit 1994. Por, megjithë torturat dhe bastisjet e vazhdueshme të shtëpisë së tij nga ana  e policëve dhe e punëtoreve të sigurimit serb, Hysen Arifi për asnjë moment nuk e ndali punën dhe aktivitetin e tij. Ishte i përkushtuar në  në shkollën ku punonte, por edhe në aktivitetin politik që bëhej gjatë asaj kohe. Në saje të aktivitetit të tij të palodhshëm, u arrit që lokaliteti ku punoi dhe veproi Hysen Malë Arifi të ishte ndër më të suksesshmit në mbajtjen e shkollës shqipe dhe në sigurimin e të ardhurave të punëtorëve të arsimit. Kjo ndodhte falë gadishmërisë së banorëve, por edhe falë autoriteti dhe përkushtimit të jashgtëzakonshëm të Hysen Malë Arifit. Kjo i kishte rënë në sy policisë dhe sigurimit serb të instaluar në Kosovë, të cilët vazhdonin ta përcillnin hap pas hapi Hyseni dhe bashkëveprimtarët e tjerë të tij, të cilët ftoheshin shpesh në biseda “informatrive” dhe maltrtetoheshin rëndë, ndërkohë që siç e thash, Hyseni kishte vuajtur edhe dënimin prej gjashtë muajsh.

Inkuadrimi në radhët e UÇK-së dhe emërimi komandant kompanie

Ndërkaq, vitet 1996, 1997 dhe fillimi i vitit 1998 shënojnë një etapë të re në historinë e Kosovës së okupuar nga Serbia. Dalja në skenë e UÇK-së nuk ishte një diçka e papritur e as befasi për Hysen Arifin, i cili me këtë aktivitet ishte i njohur që më parë. Që nga vizitat që i bënte të vëllaut Salihut ( tash të ndjerë) në Austri, si dhe kontaktet e shpeshta me njerëz që organizonin këtë aktivitet të çlirimit tonë kombëtar. Prandaj, dalja në skenë e UÇK-së si dhe organizimi i luftës edhe në rajonin ku jetonte dhe vepronte Hyseni, u mirëpritën nga ana e tij dhe që në ditët e para u inkuadrua në radhët e kësaj ushtrie, duke e ndier jo vetëm si obligim kombëtar e moral, por edhe  si një domosdoshmëri dhe nevojë profesionale dhe aftësive të tij për artin e luftës.

Fillimisht ai inkuadrohet në Shtabin e UÇK-së në fshatin Smolicë, ku ishte komandant edhe eprori i lartë Naim Maloku. Kjo ndodhi në prill të vitit 1998. Gjatë kësaj kohe Hyseni arrin që të organizojë luftën në fshtarat e Lugut të Çarragojës si Pacaj, Sheremetaj, Dobrosh, Dallashaj, Rrypaj, Rracaj e Meje, ndërsa me formimin Brigadës së Rekës së Keqe, më 19 qershor të vitit 1998 në fshatin Dobrosh, Hysen Arifi emërohet komandant i kompanisë së tretë të kësaj brigade.

Lufta dhe aktiviteti i Hysen Arifit janë të pandalshëm. Përpos pjesëmarrjes në luftëra dhe beteja të njëpasnjëshme që zhvillohen në atë kohë në rajonin e Rekës së Keqe dhe të Lugut  të Çarragojës deri në Junik, ai shpeshherë vazhdon rrugëtimin e  tij së bashku me shokë edhe për në Shqipëri, ku pajiset me armatim. Si ushtarak që ishte dhe si një njeri guximtar, ai merr pjesë në betejën e Junikut, që u zhvillua për disa ditë me radhë në korrik dhe gusht të vitit 1998, ndërsa plagoset rëndë në një betejë të pabarabartë në Kallavaj të Junikut, më 25 korrik të atij viti, ku bie heroikisht dëshmori i kombit Vezir Ademaj dhe, vetëm një ditë më vonë, në po të njëjtin vend edhe dëshmori Shaban Golaj.

Hyseni ishte plagosur rëndë dhe plagët ishin të pabërballueshme. Për gati tri javë rresht bëri luftë me vdekjen, të cilën kësaj radhe nuk arriti ta sfidojë. Ai  ndërroi jetë në spitalin e UÇK-së në Irzniq, më 9 gusht të vitit 1998, duke mbetur kështu përjetë në kujtim brezash dhe duke u renditur në radhën e dëshmorëve të kombit, si një shembull tipik i luftëtarit të lirisë së atdheut.

Hysen Arifi, pos një veprimtarie të bujshme prej pedagogu dhe arsimuesi brezash, pas vete la . edhe gruan dhe katër fëmijëet e tij: Albulenën, Malën, Dardanin dhe Atdheun.

Hysen Arifi është shpallur deshmor i atdheut, ndërsa sot, emrin e tij dhe të Vezir Ademajt, me krenari mban shkolla në Sherematej, ku pëër vite me radhe derdhi mundin dhe dijen Hyseni.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka përfunduar gara e pestë e Botërorit të vitit 2020…