Hyseni: Kushtetuta duhet të plotësohet me disa kapituj

09 prill 15:11

Profesori universitar i së Drejtës, Flamur Hyseni, ka shprehur nevojën e ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës. Ai ka bërë me dije se Kushtetuta e Kosovës ka nevojë të plotësohet me disa kapituj në dhjetë vjetët e ardhshëm.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të Kushtetutës, Hyseni ka treguar se duhet të ndryshohet edhe mënyra e zgjedhjes së presidentit.

“Disa formula kushtetuese kanë qenë si kushtëzime për të ekzistuar shteti i Kosovës, sepse kjo Kushtetutë ka pasur rol dhe mision historik, bërjen funksional të shtetit me të gjitha institucionet kryesore shtetërore. Këto kushtëzime, me kalimin e kohës, e humbasin rëndësinë e tyre dhe ndodhë ndryshimi. Kjo Kushtetutë në dhjetë vjetët e ardhshëm ka nevojë të plotësohet me kapituj të rinj për konstitucionalizimin e partive politike, integrimet evropiane dhe anëtarësimin në NATO. Ndërsa duhet të ndryshohet sa i përket mënyrës së zgjedhjes së presidentit. Presidenti duhet të zgjedhet drejtpërdrejt nga populli”, ka thënë Hyseni.

Ai ka deklaruar se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar më 9 prill 2008, ka arritur të realizojë dy qëllime kryesore: konstituimin e institucioneve themelore shtetërore dhe fillimin e procesit të transformimit të shumë segmenteve shoqërore.

Hyseni ka vlerësuar se Kushtetuta është sfiduar disa herë por, sipas tij, akti më i lartë juridik në vend është mbrojtur me sukses nga Gjykata Kushtetuese.

“Në secilën demokraci ka përpjekje të forcave politike për t’iu shmangur Kushtetutës dhe procedurave kushtetuese, me qëllim të realizimit të ideve dhe projekteve politike në mënyrë më të shpejtë dhe më të lehtë, por aty ku ekziston institucioni shtetëror për mbrojtje të kushtetutshmërisë, këto veprime janë të pamundura. Tentimet për shkelje kanë ekzistuar, por ato nuk janë realizuar deri më tani sepse Kushtetuta është mbrojtur nga ‘gardiani’, Gjykata Kushtetuese”, është shprehur ai, duke shtuar se sfidë e vazhdueshme mbetet forcimi i zbatimit të plotë të dispozitave kushtetuese nga institucionet shtetërore në tërë territorin shtetëror.

Ndër të tjera, ai ka ftuar institucionet që çdo vit të mbajnë kampanja që kanë për qëllim sensibilizimin e qytetarëve me Kushtetutën. “Pak ka pasur kampanja të tilla sensibilizuese me qytetarët për të nxitur dhe kultivuar ndjenjat e ‘patriotizmit kushtetues dhe ligjor’. Kjo është dashur të bëhet qoftë nga vetë shteti, sidomos nga shoqëria civile, e cila është orientuar vetëm në vënien në pah dhe theksimin e anëve negative të secilit proces socio-politik në shoqërinë tonë. Së paku, një herë në vit duhet të kemi fushata të tilla sensibilizuese dhe vetëdijesuese lidhur me rëndësinë e Kushtetutës dhe kultivimin e vlerave kushtetuese”, ka thënë Hyseni.

“Epoka e re”: Z. Hyseni, Kosova më 9 prill shënon dhjetëvjetorin e Kushtetutës, aktit më të lartë juridik të vendit. A mendoni se gjatë këtyre dhjetë vjetëve Kushtetuta është respektuar nga segmente institucionale dhe qytetarët dhe ku i keni parë ju shkeljet?
Hyseni: Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar më 9 prill 2008, ka arritur të realizojë dy qëllime kryesore: konstituimin e institucioneve themelore shtetërore dhe fillimin e procesit të transformimit të shumë segmenteve shoqërore duke materializuar vlerat themelore të demokracisë liberale. Natyrisht se përgjatë këtyre dhjetë vjetëve Kushtetuta është sfiduar disa herë, por që ka arritur të mbrohet nga ‘gardiani’ i Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese. Në secilën demokraci ka përpjekje të forcave politike për t’iu shmangur Kushtetutës dhe procedurave kushtetuese, me qëllim të realizimit të ideve dhe projekteve politike në mënyrë më të shpejtë dhe më të lehtë, por aty ku ekziston institucioni shtetëror për mbrojtje të kushtetutshmërisë, këto veprime janë të pamundura. Tentimet për shkelje kanë ekzistuar, por ato nuk janë realizuar deri më tani sepse Kushtetuta është mbrojtur nga Gjykata Kushtetuese. Sfidë e vazhdueshme mbetet forcimi i zbatimit të plotë të dispozitave kushtetuese nga institucionet shtetërore në tërë territorin e vendit.

“Epoka e re”: Është një vlerësim i opinionit se ka shkelje të Kushtetutës, pikërisht nga institucionet më të thirrura për përfilljen e Kushtetutës qoftë nga Kuvendi, Qeveria, Presidenca dhe Gjykata Kushtetuese. Pra, e kam fjalën për këta dhjetë vjet të miratimit të saj?
Hyseni: Po, në opinion ashtu është krijuar përshtypja, si rezultat se, demokracia mundëson që çdokush të krijojë opinion, pastaj si pasojë ka shumë konfuzion. Por, realiteti është shumë më ndryshe. Për këta dhjetë vjet ka pasur disa tentime për t’iu shmangur rrugës kushtetuese për realizim të ideve dhe projekteve politike, siç ndodhë edhe në demokracitë më të avancuara, por këto shmangieje apo, siç njihen tani si ‘shkelje kushtetuese’, janë parandaluar dhe ndaluar nga Gjykata Kushtetuese. Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese është shumë e pasur. Është rasti i dy presidentëve, janë shumë ligje që u është bërë verifikimi i kushtetutshmërisë, ka shumë kërkesa individuale të qytetarëve që janë trajtuar.

“Epoka e re”: Kjo Kushtetutë është paraqitur në disa raste si barrierë ose si pengesë e problemeve dhe zgjidhjeve të tyre. Ka pasur mendime të ndryshme sa i përket asaj nëse është e nevojshme të ndryshohet Kushtetuta. Cili është opinioni juaj?
Hyseni: Secila Kushtetutë ka nevojë që me kalimin e kohës të plotësohet, por edhe të ndryshohet. Disa formula kushtetuese kanë qenë si kushtëzime për të ekzistuar shteti i Kosovës, sepse kjo Kushtetutë ka pasur rol dhe mision historik, bërjen funksional të shtetit me të gjitha institucionet kryesore shtetërore. Këto kushtëzime, me kalimin e kohës, e humbasin rëndësinë e tyre dhe ndodhë ndryshimi. Kjo Kushtetutë në dhjetë vjetët e ardhshëm ka nevojë të plotësohet me kapituj të ri për konstitucionalizimin e partive politike, integrimet evropiane dhe anëtarësimin në NATO. Ndërsa duhet të ndryshohet sa i përket mënyrës së zgjedhjes së presidentit, i cili duhet të zgjedhet drejtpërdrejt nga populli.

“Epoka e re”:  Profesor, rasti i transformimit të FSK-së në ushtri rezulton si një vakum dhe një defekt i kësaj Kushtetute, për arsye se pa ndryshimin dhe plotësimin e saj nuk mund të ketë avancim të statusit për transformim të FSK-së, pasi duhen 2/3 e pakicave dhe 2/3 e shumicës shqiptare?
Hyseni: Formula e ndryshimit të Kushtetutës është e tillë, ku kërkohen votat e dyfishta 2/3. Por, kjo nuk paraqet ndonjë problem esencial sa i përket ndryshimit të statusit të FSK-së, sepse ndryshimi përmbajtjesor i statusit mund të bëhet edhe me ligj. Tjetër është projekti i ndryshimit të emërtimit. Natyrisht se duhet për ta ndryshuar dispozitën përkatëse, sepse aktualisht emërtimi është FSK dhe mund ta bëjmë: FAK, FARK, UK, URK etj. Por, mund të jetë edhe me emërtimin si FSRK – Forca e Sigurisë e Republikës së Kosovës. Ndryshimet në Kushtetutë sa i përket emërtimit nuk e nënkuptojnë edhe ndryshimin përmbajtjesor dhe të misionit substancial të Forcës së Sigurisë apo ushtrisë së Kosovës.

“Epoka e re”: A mendoni se për t’u njohur sa më shumë qytetarët me aktin më të lartë juridik të vendit do të duhej të mbaheshin sa më shumë takime vetëdijësuese se si do të duhej të respektohej Kushtetuta?
Hyseni: Po. Kjo ka shumë rëndësi. Pak ka pasur kampanja të tilla sensibilizuese me qytetarët për të nxitur dhe kultivuar ndjenjat e ‘patriotizmit kushtetues dhe ligjor’. Kjo është dashur të bëhet qoftë nga vetë shteti, sidomos nga shoqëria civile, e cila është orientuar vetëm në vënien në pah dhe theksimin e anëve negative të secilit proces socio-politik në shoqërinë tonë. Së paku, një herë në vit duhet të kemi fushata të tilla sensibilizuese dhe vetëdijësuese lidhur me rëndësinë e Kushtetutës dhe kultivimin e vlerave kushtetuese. Deri më tani, maksimumi që është bërë, ka qenë gëzimi për ditë pushimi, më 9 prill të secilit prej këtyre dhjetë vjetëve. Kushtetuta u nevojitet të gjithëve. Pozitës, më së shumti opozitës, medieve dhe shoqërisë civile, qytetarëve dhe studentëve, prandaj duhet të ekzistojë debati i hapur në mënyrë të përhershme për dhe lidhur me Kushtetutën.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Jahja Lluka Janë të rrallë njerëzit që me urtësinë…