
I pakuptimtë insistimi i Kurtit për Haxhiun, në ShBA demokratët e ndërruan kandidatin për kryetar shteti
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për këmbënguljen në kandidaten e tyre për kryeparlamentare, tha se në vendet tjera kandidatët ndërrohen edhe në mes të garës.
Ai ka përmendur rastin e Joe Biden në ShBA, i cili është zëvendësuar me Kamala Harris në mes të garës nga Partia Demokratike atje.
“Në vende shumë më të zhvilluara se vendi ynë në situata politike të caktuara ndërrohen kandidatët edhe në mes të garës. Vetëm vitin e kaluar ju e dini që ShBA, Partia Demokratike ka ndërruar kandidatin e tyre që ka qenë president i vendit në garën presidenciale dhe kjo s’është parë diçka e jashtëzakonshme. Ky insistim i Kurtit për Haxhiun është i pakuptimtë dhe si duket është pasiguria e tij në faktin tashmë të njohur që s’i ka numrat për shumicën parlamentare”, ka thënë Krasniqi.
Më tutje, ai ka thënë se kjo që po ndodh në Kuvend është “e tepërt” dhe se po e pengon ecjen tutje të vendit dhe tha se qytetarët e institucionet kanë mbetur peng të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila “përkundër kërkesës që të ndërrojë kandidaten e propozuar që s’e ka votën për t’u bërë kryetare, ata po nuk po e bëjnë diçka të tillë”.
Ai ka thënë se do të insistojë për një qasje zhbllokuese.
“Më vjen mirë që presidentja ka pranuar propozimin tonë për të thirrur një takim për të gjitha partitë politike”, është shprehur Krasniqi.