
Ibrahimi: MASHTI nuk ka dërguar sasinë e kërkuar të librave nëpër komuna
Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka fajësuar Ministrinë e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovaconit për mungesën e teksteve shkollore për disa klasë.
Ai ka thënë se mungesa e këtyre teksteve është për shkak se MASHTI nuk e ka dërguar sasinë e librave që i është kërkuar nga komunat. “Furnizimi me tekste shkollore për klasat 6-9 komunat kanë formuar komisionet e duhura për pranimin e teksteve shkollore të dorëzuara nga MASHTI. Këto komisione kanë kryer punën në mënyrë shumë të mirë, mirëpo librat mungojnë, sepse MASHTI nuk i ka dërguar sasinë e kërkuar të librave nëpër komuna”, ka deklaruar Ibrahimi për Telegrafin.
Ibrahimi ka deklaruar se ministri i ka informuar shkollat për këto mungesa. “MASHTI ka informuar komunat që nuk do të ketë furnizim me tekste këtë vit për nivelin parashkollor si dhe për klasat 6 deri 9. Për klasat 6 – 9 është kërkuar që tekstet të barten nga gjenerata në gjeneratë. Vetëm për klasën e 7 janë dy libra alternativë të rinj që do të sigurohen nga MASHTI. Dhe për klasën e 8 janë libra të gjithë të rinj që MASHT do t’i sigurojë”, ka treguar ai.
Sipas tij, nga Komunat është kërkuar që të plotësojnë katalogun me kërkesa për furnizime me tekste shkollore brenda afatit prej 5 ditë. “Komunat kanë plotësuar kërkesat në katalogjet e parapara të MASHTI në afatin e paraparë kohor, dhe është raportuar numri i nxënësve në përputhshmëri me numrin e nxënësve të regjistruar në SMIA të MASHT”, ka deklaruar Ibrahimi, duke shtuar se furnizimi nuk është bërë sipas kërkesës. “Të gjitha obligimet që burojnë nga legjislacioni në fuqi sa i përket shpërndarjes së teksteve shkollore e që bien në kompetencë të komunave janë kryer në plotni. Për përgjegjësit e veta MASHT nuk mund të fajësoj komunat”, ka thënë ai.
Mungesa e teksteve shkollore për disa klasë dhe nivelin parashkollor ka bërë që të ketë ankesa nga prindërit dhe reagime ndaj MASHTI.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se ka dërguar komisione që të bëjnë vizita nëpër shkolla dhe sipas informacioneve ka pasur raste kur Drejtoritë Komunale të Arsimit nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave. Sipas Nagavcit, në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent.