
Icardi: Wanda Naran më vodhi shtatë milionë euro nga llogaria ime
Po vazhdon drama në mes të Mauro Icardit (32 vjeçar) dhe Wanda Naras (38 vjeçare).
Sulmuesi i Galatasarayt dhe modelja janë në mes të procedurave të divorcit pas një marrëdhënieje të stuhishme të shënuar nga tradhti.
Tani, Icardi ka bërë një akuzë të rëndë kundër ish-partneres së tij, e cila edhe e menaxhonte në anën profesioniste.
“Ajo transferoi 7 milionë euro nga paratë e mia në llogarinë e saj private”, pohoi ai.
Icardi deklaroi se ka ngritur një padi për vjedhje kundër Naras dhe pretendon se ka prova të ruajtura në telefonin e tij. Ai e akuzon atë se ka transferuar më shumë se 7 milionë euro nga llogaria e tij në llogarinë e saj.
“Wanda nuk ka menduar kurrë për vajzat e saj, vetëm për egon dhe xhelozinë e saj. Kur kontrollova telefonin, gjeta edhe më shumë prova”, shkroi Icardi.
Mosmarrëveshja e ka përshkallëzuar më tej ndarjen e tyre publike, tashmë të paqëndrueshme, duke tërhequr vëmendje të madhe mediatike si në botën e sportit ashtu edhe në atë të shoubizit.