
IKD-ja kërkon rikthimin e Ministrisë së Punës: 85 për qind e shteteve të BE-së e kanë këtë ministri të veçantë
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me mbështetjen e National Endowment for Democracy dhe Rockefeller Brothers Fund, të martën ka organizuar takim diskutues dhe ka publikuar raportin me titull: “Ndikimi i bashkimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale me Ministrinë e Financave” – Analizë e reformës qeveritare në fushën sociale.
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës rikthimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale si institucion të pavarur dhe të specializuar, duke theksuar se kjo është praktikë standarde në shumicën e vendeve evropiane.
“Sot, 85 për qind e shteteve të Bashkimit Evropian e kanë një ministri të veçantë për punë dhe mirëqenie sociale. Po ashtu, shumica dërrmuese e vendeve të Ballkanit Perëndimor e ruajnë këtë strukturë si shtyllë të rëndësishme të qeverisjes. Vetëm Kosova dhe pjesërisht Shqipëria kanë zgjedhur ta fusin këtë fushë jetike brenda ministrive me portofol financiar, duke e humbur fokusin strategjik dhe përgjegjësinë institucionale për të drejtat sociale”, ka thënë Jakaj gjatë prezantimit të raportit.
Ai ka paralajmëruar se vendimi për shuarjen e MPMS-së ka dështuar të ofrojë reforma dhe ka rezultuar në margjinalizimin e fushës sociale.
“Kjo nuk është çështje teknike, por politike dhe sociale me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve”, ka thënë ai.
Jakaj ka kërkuar gjithashtu miratimin e ligjeve sociale të paproceduara, funksionalizimin e Këshillit për dialog social dhe siguri në punë, si dhe nënshkrimin e kontratave kolektive për sektorët publik dhe privat. Ai nënvizoi se Kuvendi duhet të mbajë më shumë interpelanca dhe seanca për këtë fushë të rëndësishme, ndërsa Qeveria të sigurojë raportim dhe llogaridhënie për politikat sociale.