
IKD: Konstituimi i Kuvendit, obligim kushtetues për të kthyer stabilitetin dhe legjitimitetin institucional
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) u ka bërë thirrje deputetëve që të konstituojnë Kuvendin pa vonesë dhe të hapin rrugën për formimin e Qeverisë, duke theksuar se vetëm kështu garantohet stabiliteti dhe legjitimiteti institucional.
Sipas IKD-së, pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka sqaruar çështjet kyçe për konstituimin e Kuvendit, çdo vonesë e mëtutjeshme thellon krizën institucionale dhe cenon funksionimin demokratik të institucioneve. Instituti kërkon që të lihen anash interesat partiake dhe të vihet në plan të parë interesi shtetëror dhe qytetar.
IKD ka paralajmëruar se moskonstituimi i Kuvendit ka lënë një numër institucionesh thelbësore pa kuorum dhe shumë të tjera në prag të jofunksionalitetit, përfshirë Avokatin e Popullit, Autoritetin e Konkurrencës, Komisionin e Pavarur për Media, Gjykatën Kushtetuese, Fondin e Kursimeve Pensionale dhe bordet e ndryshme publike.
Tutje, sipas IKD-së, bllokimi institucional ka penguar miratimin e Planit të Rritjes 2024-2027 në vlerë prej 882 milionë euro dhe marrëveshjet ndërkombëtare me partnerë si Banka Botërore, Gjermania e Franca, duke rrezikuar zhvillimin ekonomik, projektet infrastrukturore dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
IKD ka theksuar edhe problemin e ushtrimit paralel të mandateve nga disa deputetë, të cilët vazhdojnë të mbajnë edhe postet e ministrave në Qeverinë në detyrë, gjë që sipas vendimit të Gjykatës Supreme të 15 korrikut përbën shkelje të Kushtetutës dhe ligjit.
“Respektimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese është i paalternativë dhe përbën vlerë të qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit”, ka theksuar IKD, duke shtuar se barra kryesore për konstituimin e Kuvendit bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve.
Sipas institutit, Vetëvendosje ka dy mundësi reale: të propozojë një kandidat për kryetar të Kuvendit që ka mbështetjen e partive të tjera ose të arrijë marrëveshje politike me një subjekt tjetër. Ndërkohë, është theksuar se Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka përgjegjësi të posaçme për ta çuar deri në fund procesin e konstituimit dhe nuk duhet ta ndërpresë seancën pa u arritur zgjedhja.
IKD ka bërë thirrje që konstituimi i Kuvendit të përfundojë brenda afatit kushtetues 30-ditor, duke paralajmëruar se çdo shmangie nga ky afat është antikushtetuese dhe dëmton funksionalitetin demokratik të institucioneve të Kosovës.