
IKSHPK-ja bën thirrje për kujdes të shtuar deri në shuarjen e plotë të Covid-19
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat e ndërmarra për luftimin e pandemisë Covid-19.
“Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe mbajtjen e maskave. Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda! Virusi akoma gjendet në mesin tonë. Lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë”, bëhet me dije në njoftimin e IKSHPK-së.
IKSHPK-ja ka theksuar se lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm. “Nëse nuk do t’i përmbahemi rekomandimeve jemi të detyruar të vazhdojmë me këto masa! Këto masa përkufizojnë edhe shumicën të cilët me përpikëri nga fillimi iu kanë përmbajtur rekomandimeve. Sakrificën tonë për të ruajtur shëndetin ta konsiderojmë si vlerë sublime duke vazhduar me mbajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave në vendet publike”.
“Ju lutemi për kujdes të shtuar deri në shuarjen e plotë të Covid-19! Ju lutemi të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve. Virusi nuk ka këmbë, andaj mos ia jepni këmbët e juaja sepse do të rrezikoni të gjithë e më së shumti të afërmit tuaj. Luten institucionet për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 945 raste, prej tyre janë shëruar 690, ndërkaq raste të vdekjes kanë qenë 29.
(M.Q / Epoka e re)