
Importi gati katër miliardë euro, eksporti 595 milionë, tregon mjerimin ekonomik
Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, vlerëson se ekonomia e Kosovës po përballet me krizë të thellë si pasojë e dominimit të agjendës politike dhe mungesës së institucioneve funksionale.
Në intervistë për Ekonomia Online, Gërxhaliu vuri në dukje se nga janari deri në korrik të vitit 2025, importi ka arritur gati në katër miliardë euro, ndërsa eksportet vetëm 595 milionë euro, gjë që , sipas tij, e tregon “mjerimin ekonomik” të vendit.
“Kur dominon agjenda politike është vërtet utopike të flitet për ekonominë, sepse askush nuk merret me ekonominë, përveç efekteve negative që i paguan qytetari i Kosovës. Mirëpo të thuash që nga janari deri në korrik të këtij viti 2025 ke pasur importe afër katër miliardë dhe eksporte 595 milionë euro dëshmon më së miri mjerimin që e ka kapluar ekonominë kosovare. E tëra kjo e dëshmon faktin që ekonomia është politizuar dhe vetë fakti që nuk kemi krijim të institucioneve është një dëm direkt që e godet ekonominë vendore”, tha ai.
Ai mendon se pa ndryshime të menjëhershme në qasjen ndaj ekonomisë dhe pa mbështetje për bizneset, Kosova rrezikon të humbasë edhe më shumë kapital dhe prodhim.
“Gjendja është alarmante sa i përket bilancit tregtar apo raportit në mes eksportit dhe importit në Kosovë. Është koha për një dialog për depolitizim të ekonomisë, është koha kur duhet të ketë një qasje pro bizneseve dhe jo gjithmonë të kemi qasje për të shkatërruar bizneset, sepse në fund të fundit nga kjo situatë nga Kosova po ikin qytetarët, po ik kapitali dhe ka filluar të ikë edhe prodhimi. Në ekonomi nuk ka emocion, ka interes dhe profit. Nëse nuk krijohen kushte për një afarizëm të mirëfilltë me trende dhe rezultate pozitive atëherë nuk duhet të na habit fakti që shumë prodhime që sot prodhohen në Kosovë nesër do t’i gjejmë në Shqipëri, Maqedoni apo diku tjetër, sepse rrethanat ekonomike dhe faktorët ekonomikë, qoftë mikro, qoftë makro, janë shumë më të favorshme atje sesa çka ofrojmë ne në Kosovë”, tha ai.
Gërxhaliu kritikoi gjithashtu ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e quajtur këtë një faktor që po e bën prodhimin vendor jokonkurrues, jo vetëm në tregun rajonal, por edhe në atë evropian.
“Vetë fakti që kemi ngritje të çmimit të energjisë elektrike dhe tani edhe ZRRE-ja fiton në procesin gjyqësor që ka të drejtë pse e ka ngritur çmimin e bën prodhimin kosovar jokonkurrues, jo në tregun vendor apo rajonal, por edhe evropian edhe më gjerë.
Nuk duhet të na habit fakti që jemi këtu që Kosova për fat të keq eksporton vetëm para të gatshme. Vetë fakti që në nëntor të vitit 2024 e ke pasur shkallën e inflacionit 0.9 për qind dhe sot në korrik ka arritur në 4.3 për qind është një ngritje e çmimeve të produkteve esenciale për 25 për qind”, tha për Ekonomia Online, Gërxhaliu.